“Vrasja e gjyqtarit, krim i organizuar”

Sep 16, 2011 | 11:25

Grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi ka në dispozicion informacione të rëndësishme mbi pistën e mundshme të ngjarjes.Këtë fakt e konfirmoi dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili, për plot tri orë, raportoi përpara deputetëve të Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare në lidhje me situatën e kriminalitetit në vend. Ndërsa e cilësoi një akt shumë të rëndë kriminal, ministri tha se nuk është Policia e Shtetit në këtë rast ajo që drejton hetimet, por është e gatshme për të ndihmuar organin e akuzës. “Po ju them se për këtë rast, Policia e Shtetit i ka dhënë grupit hetimor informacione të rëndësishme mbi pistën e mundshme të ngjarjes. Informacione që shpresojmë dhe besojmë të jenë të vlefshme e të çojnë drejt zbardhjes”, theksoi Nishani. Duke iu kthyer përgjigje deputetëve të opozitës për mundësinë e parandalimit të kësaj vrasjeje, ministri tha se goma e makinës së gjyqtarit ishte dëmtuar ditën e vrasjes dhe jo më përpara. “Jam i bindur që ka qenë një krim i organizuar për faktin se mjeti me të cilin udhëtonte atë ditë i ndjeri nuk përdorej nga ai në mënyrë të rregullt. Ditën që ka ndodhur ekzekutimi, në pamundësi për të vendosur eksplozivin mbi mjetin që përdorte rregullisht, e kanë vendosur tek i vjetri. Po atë ditë i kanë çarë gomën mjetit që përdorte që ta ndryshonte”, sqaroi Nishani. Ministri nënvizoi gjithashtu faktin se pavarësisht fakteve dhe provave që dalin dita-ditës e që dëshmojnë se ngjarja nuk ka qenë e rastit, policia nuk ka pasur asnjë shqetësim të paraqitur më përpara nga viktima apo nga rrethi i tij miqësor.
Debatet
Në seancën me pyetje-përgjigje në Komision, deputetët e Partisë Socialiste u ndalën edhe te publikimet e fundit të WikiLeaks-it në lidhje me nëndrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Deputeti socialist Gazmir Bizhga risolli në vëmendje deklaratat e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, për përfshirjen e Kuliçajt në kontrabandën e naftës “Virgine” dhe ato çka shkruheshin në WikiLeaks. “Nga WikiLeaks u mësua se Kuliçaj dyshohej se kishte ndihmuar Dritan Dajtin për t’i shpëtuar policisë në të shkuarën. Operacioni për Dajtin u zhvillua në gusht, kur Kuliçaj ishte jashtë vendit, për të mos i dhënë mundësinë të dekonspironte operacionin”, tha Bizhga. Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Nishani zbuloi për herë të parë se edhe pse ishte në detyrën e ministrit të Brendshëm në atë kohë, nuk ka pasur informacion për operacionin e arrestimit të Dritan Dajtit. “Po ju them sot se nuk është sekret hetimor që edhe unë si ministër kam qenë i painformuar. Në fakt, nëse ka një çështje për të cilën kam ndjerë keqardhje për atë ç’ka ka ndodhur, është se kam qenë i painformuar. Ndoshta mund të konsiderohem edhe unë se do ndihmoja Dritan Dajtin!!??”, shtroi pyetjen Nishani. Duke iu referuar Kuliçajt, ministri insistoi se akuzat ndaj tij janë politike dhe pa fakte. Ai mori në mbrojtje nëndrejtorin e Policisë duke e vlerësuar për punën e bërë në shkatërrimin e grupeve kriminale. “Zoti Kuliçaj edhe më parë e në vijimësi u është drejtuar institucioneve të shtetit duke bërë kallëzim për akuzat që i janë bërë. Prokuroria është institucion i hetimit dhe secili prej nesh duhet t’i adresojë atje akuzat”, sugjeroi ministri. Ai mohoi gjithashtu të ketë ndonjë nismë për lëvizjen nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndërsa këmbënguli se rezultatet e punës së tij janë të pëlqyeshme. Nishani u ndal edhe te pyetjet në lidhje me vrasjet e pazbuluara, si ajo e ish-deputetit Fatmir Xhindi, kryekomunarit të Tërthores, Remzi Veseli, dhe ato të 21 janarit. Duke iu referuar rastit “Xhindi”, ministri tha se nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë një deklaratë në lidhje me identitetin e autorit pa pasur prova të sigurta. “Ka pasur një deklaratë që hetimi ka qenë në drejtimin e duhur. Ju siguroj se edhe në atë rast, Policia e Shtetit i ka dhënë grupit hetimor informacione të rëndësishme që kemi besuar se do t’i shërbenin grupit hetimor për zbardhjen e asaj ngjarjeje. Ajo është një dosje e hapur dhe ende jo e mbyllur”, nënvizoi Nishani.

“Xhindi, jo vrasje politike”
Ministri mohoi të ketë folur më parë në lidhje me identitetin e autorit të ekzekutimit të deputetit Fatmir Xhindi, ndërsa insistoi se nuk kemi të bëjmë me vrasje politike. “Nuk mund të bëhet një deklaratë për identitet pa pasur prova të sigurta.
Ka pasur një deklaratë, që hetimi ka qenë në drejtimin e duhur. Nuk është policia ajo që organizon e menaxhon hetimin. Në atë rast, Policia e Shtetit i ka dhënë grupit hetimor informacione të rëndësishme që kemi besuar se do t’i shërbenin grupit hetimor për zbardhjen e asaj ngjarjeje. Ajo është një dosje e hapur dhe ende jo e mbyllur”, tha ministri.

“Dajti? Nuk kisha informacion”
Aksioni për arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Dajti është kryer pa dijeninë e ministrit të atëhershëm, Bujar Nishani. Ky i fundit rrëfeu për herë të parë dje para deputetëve se “nuk është sekret hetimor që edhe unë si ministër kam qenë i painformuar. Nëse ka një çështje, – tha ai, – për të cilën kam ndjerë keqardhje për atë çka ka ndodhur, është se kam qenë i painformuar. Ndoshta mund të konsiderohem edhe unë se do ta ndihmoja Dritan Dajtin….”, tha Nishani duke ironizuar sulmet e opozitës mbi nëndrejtorin e Policisë, Agron Kuliçaj, nën pretendimin se nga ËikiLeaks kuptohet që nuk ishte informuar që të mos dekonspirohej operacioni.

“Akuza pa fakte ndaj Kuliçajt”
Sulmet ndaj nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, janë cilësuar nga eprori i tij, Bujar Nishani, si politike dhe pa fakte. “Zoti Kuliçaj ka qenë për një kohë të gjatë e të vështirë në krye të departamentit të hetimit ndaj krimit të organizuar dhe falë angazhimit të të gjithë atyre që veprojnë nën drejtimin e tij është bërë i mundur arrestimi i atyre elementëve kriminalë që sot janë pas hekurave”, tha Nishani. Secili prej nesh, vijoi ai, duhet t’i adresojë akuzat tek institucioni i pavarur i Prokurorisë, që ka instrumentet për të verifikuar çdo pretendim. Nishani kërkoi që të mos sulmohen drejtuesit e Policisë, pasi në këtë mënyrë po dekurajohet puna.

DARDAN MALAJ

© Panorama.al

Te lidhura