PRISHTINE- “Vetëvendosja” ka njoftuar që protesta e sotme e saj do ta ketë skenarin e njëjtë si më 14 janar, por shpreson se Policia e Kosovës do te ndryshojë skenarin e vet.
“Ne shpresojmë e besojmë që policët tashmë e kanë kuptuar gabimin që e kanë bërë më 14 janar, posaçërisht Njësia speciale dhe do të jenë krejt ndryshe”, ka thënë kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, një ditë para protestës për zbatimin e vendimit të Kuvendit të dhjetorit të vitit të kaluar për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, shkruan sot Koha Ditore.
Por pavarësisht sjelljes së PK-së, Kurti ka thënë se ai bashkë me kolegët e tij kanë për t’iu përmbajtur planit të tyre i cili flet për protestë paqësore.
“Skenari ynë për nesër është saktësisht i njëjtë me 14 janarin, por shpresoj që skenari i Policisë nuk është i njëjti sikurse më 14 janar”, ka thënë Kurti. “Ne do të jemi paqësorë, njerëz tërësisht të padhunshëm prej nisjes deri në destinim dhe gjithashtu kërkojmë edhe prej Policisë që të mos na sulmojë, të mos ndërhyjë dhunshëm kundër nesh, sepse ajo është e padrejtë, e paarsyeshme dhe shumë e dëmshme për vendin”.
Kryetari i “Vetëvendosjes” i ka kërkuar PK-së që të mos pengojë subjektin e tij sikur të shtunën e kaluar, siç ka thënë ai, për të penguar Serbinë për të depërtuar në Kosovë.
“Ne po na zhduket Republika përderisa s’kemi reciprocitet me Serbinë. Protesta paqësore e demokratizon Republikën. Duke mos e kuptuar dhe duke mos u mësuar me protestat paqësore kontribuohet në mundësitë për diktatura”, ka thënë Kurti. “Protesta paqësore është liri e qytetarëve, liri për grumbullimin e tyre për ta shprehur pakënaqësinë dhe për ta ndryshuar gjendjen për të cilën janë të pakënaqur”. (Koha)
© Panorama.al











