“Shtrigat e Salemit” kthejnë në Teatër Timo Fllokon

Mar 21, 2011 | 9:33

Sa herë që pushteti trembet nga individi, shpik ndonjë fushatë panikndjellëse. Ndoshta nuk përndiqen më aktet e shtrigonerive, por ama sebepe për fushata përndjekjeje, gjenden që ç’ke me atë punë. Për shqiptarët kjo nuk është e panjohur. E kanë përjetuar gjatë periudhës së diktaturës për dekada me radhë, ku në emër të luftërave fantazmë dhe puçeve të stisura janë sakrifikuar sa e sa jetë të pafajshme. Si për të na sjellë ndërmend këtë fakt, në skenën e Teatrit Kombëtar do të ngjitet këtë fundjavë drama e Arthur Millerit, “Shtrigat e Salemit”, me regji të Spiro Dunit. Një dramë e fuqishme, e cila është ngjitur në të gjitha skenat e mëdha të botës. Një tundim i fortë, të cilit nuk i rezistoi as regjisori Spiro Duni. Ngjarja e “Shtrigave të Salemit” zhvillohen në shek. XVII në Masaçusets, ku zien fushata kundër magjive dhe magjistareve dhe, ku, për një akuzë të këtillë përfundoje në litar. Megjithatë, regjisori ka vendosur ta nxjerrë këtë vepër nga qerthulli kohor dhe hapësinor. “Shtrigat e Salemit” nuk është thjesht rrëfim për një gjyq, por ngërthen në vetvete shumë linja problemesh, ku ai që u qëndron të gjitha kohërave është raporti mes individit dhe pushtetit, janë përpjekjet në të gjitha kohërat për t’u identifikuar dhe për të mbijetuar në një botë, e cila i rrafshon vlerat individuale. Puna për realizimin e kësaj drame ka filluar me kohë në ambientet e Kombëtarit dhe, tanimë, çdo gjë është në fazat e saj të fundit. Është punuar fort për të rrokur një nga veprat më të mëdha të dramaturgjisë botërore. Përveçse në konceptin e vet regjisorial, i cili synon të sjellë në skenë një vepër pa kohë dhe kufij, Duni është mbështetur shumë edhe në lojën e aktorëve. Është përzgjedhur një numër i madh, shumica pjesë e organikës së Teatrit Kombëtar, por edhe prurje të tjera. Në rolet kryesore shohim një treshe shumë interesante aktorësh. Bëhet fjalë për Timo Fllokon në rolin e Xhon Proktorit, Eva Alikaj dhe Elia Zaharia. Nëse dy të parët janë dy aktorë të sprovuar, nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë për Zaharian, të cilën nuk e kemi parë prej kohësh në ndonjë rol teatri. Një pjesëmarrje e papritur është ajo e aktores Drita Pelinku, e cila 2-3 vjet më parë deklaroi publikisht se pas interpretimit në monografinë “Rouz” do të tërhiqej nga skena. Megjithatë, duket se ish-studenti i saj e ka bindur të jetë pjesë e trupës së “Shtrigave të Salemit”. Të tjerë aktorë janë Fatos Sela, Neritan Liçaj, Vasjan Lami, Naun Shundi, etj. Një peshë jo pak të lehtë do të mbajë edhe skenografia e kostumografia. Skenën, Duni ia ka besuar piktorit të njohur gjirokastrit Bashkim Ahmeti, i cili prej vitesh zhvillon karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa kostumet, të cilat do të jenë sa besnike të kohës që i referohet drama e Millerit, aq edhe moderne, duke u bërë veç të tjerash edhe një fill lidhës mes kohëve mbajnë firmën e stilistes Anila Zajmi Katanolli.
Drama
Arthur Miller e shkroi “The Crucible” në vitin 1953. Ngjarjet ndodhin në një provincë të Masaçusets në vitin 1692-1693. Miller e shkroi këtë dramë si një alegori kundër Mekartizmit (McCarthyism). Ishte koha kur qeveria amerikane radhiti në listën e zezë komunistët. Në këtë fushatë, edhe vetë Miller ka qenë i marrë në pyetje dhe i shtrënguar të tregojë emrat e njerëzve që merrnin pjesë nëpër takime “të kuqe”. Për herë të parë shfaqja u dha në 22 janar 1953 në Martin Beck Theatre në Broadëay. Kritikat ndaj prodhimit të parë ishin të ftohta, madje armiqësore. Vetëm “The New York Times” do ta konsideronte atë si një “dramë të fuqishme”. Në të njëjtin vit, “The Crucible” fiton “Tony Award” si drama më e mirë. Produksioni i një viti më pas ishte më me fat. Pjesa pati sukses dhe u kthye në një vepër klasike dhe sot ajo studiohet në shkolla dhe në universitete si një vepër revolucionare dhe alegorike.

Shfaqja

Drama: “Shtrigat e Salemit”
Autori: Arthur Miller
Përktheu: Rudi Erebara
Regjisori: Spiro Duni
Skenografia: Bashkim Ahmeti

Kostumografia: Anila Zajmi Katanolli
Interpretojnë: Timo Flloko, Eva Alikaj, Elia Zaharia, Drita Pelinku, Fatos Sela, Vasian Lami, Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, Eni Janin, Mir Sina, Naum Shundi, Flaura Kureta, etj.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura