“Romeo & Zhulieta”, dhimbja e bukur e Kiço Londos

Mar 7, 2011 | 9:55

Kujt ia merrte mendja se Zhulieta do të zbriste nga ballkoni dhe do të kërcente majë gishtash për të prekur dorën e Romeos… Kiço Londo arrin ta bëjë, madje me hijeshi dhe nuk të dëshpëron aspak fakti që ka guxuar t’u ndërrojë vendin heronjve të tragjedisë më të famshme të dashurisë, “Romeo dhe Zhulieta”. Prej disa ditësh, në sallën më të re të Teatrit të Metropolit po shfaqet një nga kryeveprat e letërsisë botërore, tragjedia shekspiriane, e cila kthehet në një skenë shqiptare pas gati 25 vjetësh. Kush ka parë disa nga veprat që regjisori Kiço Londo ka vënë në skenë, pa dyshim mund të mendojë se nuk bëhet fjalë për një vënie të zakonshme. Dhe në të vërtetë nuk është. Por kjo jo sepse pjesës i mungonin veshjet e kohës, gratë e bukura me fustanet me dantella, burrat me tunika të gjata, apo dyluftimet me shpata, apo muzika dhe kërcimet karakteristike. Shfaqja e Kiço Londos ndryshon nga të gjitha vëniet e tjera për disa arsye.
Salla
“Romeo dhe Zhulieta” përuroi sallën më të re të Teatrit të Metropolit. Dhe jo më kot. Salla mban emrin e tragjikomedianit të madh Shekspir dhe është ndërtuar sipas shembullit të Teatrit anglez “Globus”. Një sallë me një kube të lartë, me tetë ballkone, me një skenë rrethore në mes, e qarkuar nga karriget e spektatorëve. Janë 300 syresh. Që në këtë moment thyhet komunikimi tradicional mes publikut dhe aktorëve. Aktori është shumë afër me publikun, i cili ka mundësi ta shohë atë në sy, t’i ndiejë frymëmarrjen, po të shohë edhe ndonjë incident të vogël të tipit zinxhiri i fustanit që nuk do të mbyllet, apo një thikë që ka ngecur në brez dhe që të shtojnë ankthin për të parë se ç’do ndodhë më pas. Në këtë lloj komunikimi nuk ka truke. Dhe të gjitha këto i japin një shije tjetër të parit.
Aktorët
E gjithë trupa e aktorëve, të përzgjedhur nga Londo, për të luajtur tek “Romeo dhe Zhulieta” është e re. Mosha maksimale, me shumë gjasë është 33 apo 34 vjeç, deri tek të sapodiplomuarit. Përgjithësisht, si qenie paragjykuese që jemi, mund të mendojmë se një vepër me aktorë kaq të rinj, zaten ta kalojë nivelin e një shfaqjeje studentësh, megjithatë nuk është kështu. Të paktën në karakteret kryesore, Londo ka bërë zgjedhjet e duhura.  Nuk mund të kishte një Zhulietë më Zhulietë se Esela Pysqyli. Ajo është 14–vjeçarja që dashuron si e marrë, që nuk do t’ia dijë për hasmëritë mes familjeve, që digjet nga padurimi për të parë të dashurin e zemrës, që mallkon dhe bekon në të njëjtën kohë, që ka frikë nga errësira e dhomat me lagështirë, por nuk ka frikë të vdesë, sepse pa dashuri, jeta i duket pa kuptim. Dhe Esela, me atë pamjen prej vogëlusheje të pafajshme, herë çamarroke e herë e përkëdhelur, rrezëllitëse, i rri aq mirë rolit, saqë dashurohesh menjëherë pas saj. Por ajo është e mbështetur nga një Romeo, që është po aq i çmendur sa ajo. Pas bashkëpunimit tek vepra “Plejboj i trojeve tona”, Kiço Londo kishte sigurinë se Lulzim Zeqja nuk do ta linte në baltë. Energjik, i prirë për të rënë në dashuri, karizmatik, fjalëgjetur, i qetë, por edhe i çartur njëkohësisht. Të dy protagonistët janë të rinj, të bukur dhe ta themi, pse jo, nuk kanë turp të puthen në skenë. Një tjetër karakter që duhet veçuar ndër të tjerë është ai i Vajës, interpretuar nga Adriana Tolka. Ajo është dadoja tipike, me një dashuri pa kufi për çupëlinën që ka rritur e që tani është bërë për burrë, e gatshme për të mbuluar çdo prapësi të saj, madje edhe martesën e fshehtë, e që nuk di të pushojë kur nis të tregojë ndonjë histori nga e kaluara. Kjo e bën atë deri diku komike, por aktorja di ta ruajë masën dhe di të jetë po aq dramatike, kur duhet të jetë e tillë, si në momentin e dhënies së lajmit për vdekjen e Tibaldit, apo vetë vdekja e rremë e Zhulietës. Roli i Markucios i vjen pas shtatit Ervin Bejlerit. Një i ri i shpenguar, i pacipë, gjysmë horr e gjysmë filozof, që nuk heziton të vërë në lojë këdo, ta marrë jetën si t’i vijë, por i hidhur në prag të vdekjes, teksa mallkon Montegë e Kapuletë. Një tjetër karakter i këndshëm në tërësinë e vet është ai i priftit, luajtur nga aktori Xhejni Fama. Me fizikun e bëshëm, me modelin e flokëve dhe zërin e qetë, ai është imazhi i priftit tipik, rrondokop, me fytyrë të ngjallur, por që përçon shumë mirësi. Florian Agalliu në rolin e Kapuletit, baba, është fisniku tipik, patriark, për të cilin fjala e së bijës nuk ka asnjë lloj peshe. Edhe aktorët e tjerë janë në funksion të këtij ansambli të madh, ku çdo hallkë ka vendin e vet.
Regjia
Që kur dëgjon se regjia është e Kiço Londos, je i bindur se sido që të jetë, nuk do të të zërë gjumi. “Romeo dhe Zhulieta” është një shfaqje dinamike, plot energji, ku aksionet nuk zvarriten, por ndjekin vrullshëm njëra-tjetrën, gati-gati pa frymë. Pjesën e korit, apo rrëfimtarit e luan një personazh, që Londo preferon ta quajë Dashuri, e ka veshur në të bardha dhe ajo është vazhdimisht e pranishme në çdo skenë të veprës. Londo i vë asaj përballë personazhin Vdekje, grimi i së cilës të kujton paksa Natalie Portman në “Mjellma e zezë”. Është ajo që jep puthjen fatale. Pasi Romeo goditet nga Zhulieta, teksa lë pallatin e Kapuletëve, ai kthehet dhe i puth të dyja, pastaj ato të dyja shkëmbejnë një puthje. Për një moment publiku konfuzohet, u vjen e papritur puthja mes dy aktoreve, por që për veprën, është pikënisja e tragjedisë.
Gjuha
Sa herë që flitet për një Shekspir, lind dilema se si gjuha e vargëzuar e tragjikomedianit të madh do vijë në buzët e aktorëve në mënyrë të tillë, që ajo të mos duket “modë e vjetër” për publikun e shek. XXI. Ajo që bie menjëherë në sy tek “Romeo dhe Zhulieta” është puna e bërë me tekstin. Aktorët nuk i heqin asgjë atij, por nuk e recitojnë me rimë, duke iu larguar kësisoj patetizmit që të dikton vargu.

Vepra

Titulli: “Romeo dhe Zhulieta”
Autori:
Uilliam Shekspir
Regjia: Kiço Londo
Kostumografia: Berina Kokona
Përkthimi: Alqi Kristo
Koreografe: Aledia Kondaj
Skerma: Skënder Plasari
Interpretojnë: Lulzim Zeqja, Esela Pysqyli, Adriana Tolka, Xhejni Fama, Dorian Ramanlliu, Florian Agalliu, Ervin Bejleri, Florind Belliu, Besmir Bitraku, etj.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura