“Në 20 shkurt, ditën që u rrëzua monumenti i Enverit, Ramiz Alia urdhëroi të qëllohej me armë mbi demonstruesit.” Dëshmia e fortë vjen nga një prej figurave të rëndësishme të sistemit komunist.Në emisionin “Periskop” të gazetarit Roland Qafoku në “Ora News”, Kiço Mustaqi, ish-ministri i Mbrojtjes (1990-1991), për herë të parë zbardh disa nga misteret e ngjarjeve të periudhës së kapërcyellit të sistemit komunist, ndodhitë në Shkollën e Bashkuar pas rrëzimit të monumentit të diktatorit, reagimet e dyzuara të Ramiz Alisë ndaj zhvillimeve antikomuniste, marrëdhëniet me Enver Hoxhën dhe Mehemt Shehun, të vërtetën e planit sekret të ushtrisë shqiptare për çlirimin e Kosovës, rolin e Greqisë në trazirat e vitit ’97 etj…
Zoti Kiço! Ju keni qenë ministër i Mbrojtjes në momentin e ndryshimit të sistemit politik. Është me interes për të sqaruar disa nga misteret e asaj periudhe të vështirë dhe shumë të rëndësishme.
Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes kam qëndruar në periudhën 1990-1991, kur i kisha shkelur të gjitha karriget e karrierës ushtarake. Jam përpjekur që detyrën ta kryej me korrektesë dhe në përgjithësi e kam mbyllur pa vërejtje serioze…
Në periudhën kur ju ishit ministër i Mbrojtjes, në Shkollën e Bashkuar ndodhën ngjarjet e bujshme që i kundërviheshin lëvizjes antikomuniste shqiptare. Çfarë mund të na thoni lidhur me këto ngjarje?
Unë e mora detyrën në një moment tepër të vështirë. Ishin hapur ambasadat dhe protestohej diku hapur e diku nën zë për varfërinë e madhe dhe shtrëngimin e jashtëzakonshëm që kishte sistemi. Gjithë atij vërshimi të turmës në dyert e ambasadave, policia nuk mundi t’i rezistojë. Për ta frenuar u angazhua ushtria, Shkolla e Bashkuar, ajo e Zall-Herrit, Shkolla e Oficerëve Rezervistë. Ato më në fund do garantonin ruajtjen e ambasadave…
Si do t’i ruanin?
Duke zbatuar detyrën me seriozitet. Unë dhashë porosi që kur të dilnin ushtarët në qytet të ishin me paraqitje seriozë, të rregullt e korrektë në komunikim me qytetarët…
Çfarë prisnit nga studentët ushtarakë në këtë operacion, kur i vetmi mjet luftarak që ju kishin dhënë ishte lopata xheniere?
Lopata për luftë të ftohtë. Aty nuk kishte si të përdorej arma. Po të kishte ndeshje, do të kishte ndeshje me lopata…
Ndodhte kështu kur nuk na kishte sulmuar njeri?
Ne nuk i çuam ushtarët aty për të sulmuar ambasadat, e as për të nxjerrë ata që ishin futur aty. Ushtarët tanë ruanin ambasadat dhe ndërkaq ruanin që mos të futeshin në to turmat e tjera. Këto ishin detyrat që na u ngarkuan në atë situatë. Ndërkohë, nxorëm edhe patrulla me ushtarë në Tiranë që të kishte siguri për qytetarët, për pleqtë e femrat të ekspozuar nga bandat dhe rrugaçët…
A ishte e ligjshme kjo?
Ne kështu e morëm detyrën. Pastaj rrodhën situata të tjera. U shkatërrua ekonomia, u goditën objektet shtetërore, komitetet ekzekutive, ato të partisë dhe ne na angazhuan në të tjera detyra…
Ndodhi në vazhdim rrëzimi i monumentit të Enverit në Tiranë…
Kur u rrëzua busti i Enverit, unë isha në zyrën time në Ministri të Mbrojtjes. Deri para rrëzimit e ruanin policët me forca të shumta. Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai, drejtonte situatën në helikopter, që fluturonte mbi qytet. Ramiz Alia kishte dhënë urdhër të qëllohej, por…
E keni dëgjuar këtë urdhër ju?
Ramiz Alia e ka thënë këtë në një mbledhje në Ministrinë e Mbrojtjes, dy ditë pas rrëzimit të bustit. Aty oficerët i kërkuan llogari pse nuk u reagua për ruajtjen e bustit dhe ai u shpreh se unë kam dhënë urdhër që të qëllohej me armë ndaj atyre që tentojnë të rrëzojnë monumentin…
Më konkretisht, cili ishte ky urdhër?
Ramiz Alia tha hapur se këtë urdhër ia kishte dhënë Hekuran Isait..
Si e përjetuat ju rrëzimin e monumentit të Enverit?
Të them të vërtetën, nuk e përjetova mirë. Kam bindjen që edhe tani nuk është zotësi tërheqja e një busti zvarrë me litar. Këtë ta kishin bërë kur ishte gjallë, atëherë po. Kjo puna e busteve më lë një shije të keqe. Bile unë nuk e konsideroj zotësi festën e përvitshme që bëhet për këtë ngjarje. Nejse, punë e tyre.
E vërteta është se bashkë me bustin planet ishin për shkatërrime të mëtejshme. Ma ka thënë ato ditë vetë ministri aktual i Mbrojtjes, Arben Imami, që kishin plan të merrnin me forcë televizionin, Kryeministrinë, Komitetin Qendror.
Dhe ju si reaguat?
Unë e kisha mbledhur mendjen top, i kisha thirrur vetes, çdo gjë do ta zbatoja me urdhër e vetëm me urdhër dhe vetëm në interes të popullit. Këtë bëra edhe në rastin kur u sulmua Shkolla e Bashkuar…
Çfarë ndodhi ato ditë në Shkollën e Bashkuar dhe si u inspiruan studentët për ta rivënë bustin e Enverit në shesh?
E para, ta sqaroj se në këtë reagim nuk ishte vetëm Shkolla e Bashkuar, por edhe Akademia e Shtabit të Përgjithshëm, shkolla “Skënderbej”. Ndodhi që ato u sulmuan. Në planin luftarak kishim parashikuar të gjitha veprimet për t’u ruajtur ato me çdo kusht. Pra, ato nga brenda ruheshin vetë dhe për këtë kishin të gjithë arsenalin e nevojshëm. U goditën nga jashtë, u provokuan. Ajo që u bë në ’97, do të bëhej edhe në ’91 po ta lejonim.
Gjithsesi, janë dy ngjarje krejtësisht të ndryshme…
Nga pikëpamja ushtarake ishte sulm mbi ushtrinë. Për të ruajtur ushtrinë e shtetin, ka plane. Atëherë kishim plane deri në detaje. Bie fjala, për të ruajtur një milimetër linear në harkun e një minute ishte planifikuar një zjarr me pesë plumba…
Ç’ndodhi konkretisht në Shkollën e Bashkuar?
Shkolla e Bashkuar, duke filluar nga 21 shkurti u sulmua për dy ditë me radhë. U sulmua nga jashtë. Të parët që shkuan aty ishin efektivat e policisë. Unë dyshoj pse policia shkoi atje të rrethojë Shkollën e Bashkuar. Unë nuk e kërkova. Pse duhej që ajo të rrethonte shkollën nga jashtë? Ne brenda kishim fuqi të mjaftueshme njerëzore e luftarake për ta ruajtur shkollën. Këtu kishte një lidhje të dyshimtë. Policia në atë kohë drejtohej nga Ramiz Alia. Ndodhi vërtetë diçka e çuditshme, që iu dha një lloj shkëndije zhvillimeve rreth e qark shkollës…
vijon nesër











