Partia Demokratike akuzoi dje kreun e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, se po bën parking privat mbrapa Pallatit të Kulturës. Kreu i degës së Tiranës, Aldo Bumçi, tha në një konferencë për shtyp se “Edi Rama është njeriu që betonizoi Tiranën, shkatërroi lulishtet historike të qytetit për pallatet e Fidelit, Dashit dhe Koços me kompani, zhduku lulishten në sheshin “Skënderbej” dhe dje filloi të prishë lulishten prapa Pallatit të Kulturës për të ndërtuar një parking privat”. Sipas deputetit demokrat, Bashkia e Tiranës ka katërfishuar taksat e gjelbërimit, ndërkohë që hapësirat e gjelbra janë pakësuar. “Edi Rama nuk mund t’i fshihet këtij krimi me zhurmën për Kopshtin Botanik, që po ai e ka rrethuar me shumëkatëshe të paligjshme. I garantoj qytetarët e Tiranës se do të ndërtojmë Unazën e Madhe të Tiranës, duke i dhënë zgjidhje jo vetëm trafikut të kryeqytetit, por edhe ndotjes që krijohet nga trafiku i bllokuar, duke mbrojtur Kopshtin Botanik”, tha Bumçi.











