“Qytetarë e profesionistë të shëndetësisë, denonconi efektet anësore të ilaçeve.” Ky është apeli që përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe Kontrollit të Barnave, bënë dje gjatë konferencës së dytë të farmakovigjilencës. Në të u prezantuan edhe rezultatet e para të këtij sistemi të rëndësishëm që ngrihet për herë të parë në vendin tonë. Që nga ngritja e strukturave, janë bërë sinjalizime e raportime për 11 medikamente, vetëm dy prej të cilave të regjistruara në Shqipëri. Këto barna përdoreshin për diabetin ndërsa 9 të tjerët për patologji të ndryshme. “Profesionistët e shëndetit janë dhe burimi kryesor i raportimeve, por dhe raportimi nga pacientët është mjaft i vlefshëm. Jo më larg se prilli i vitit të kaluar, në vendin tonë është tërhequr nga tregu në të njëjtën kohë dhe me vende të tjera të zhvilluara evropiane edhe medikamenti i parë, për shkak të funksionimit të sistemit të farmacovigjilenës dhe efekteve të padëshiruara të raportuara.”, tha Besnik Jakaj ,drejtori i QKKB-së. Sipas tij, një numër i konsiderueshëm raportimesh apo sinjalesh si nga profesionistë të shëndetit ashtu dhe nga qytetarë, janë në verifikim dhe analizim nga specialist të Qendrës së Farmakovigjilencës. Jakaj u shpreh se funksionimi i Sistemit të Farmakovigjilencës plotëson kuadrin e garancive për t’i siguruar qytetarëve barna të sigurta, “Që do të thotë jo vetëm barna të efektshme, por gjithashtu ulje të sëmundshmërisë dhe hospitalizimit për shkak të barnave dhe reduktimit drejt zeros të vdekshmërisë prej tyre” tha Jakaj. Edhe zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, e vuri theksin tek shërbimi që i ofrohet popullatës. “Së bashku mund të ruajmë dhe të përmirësojmë jetën e gjithsecilit. Konferenca e dytë e farmakovigjilencës zhvillohet në terrenin e një angazhimi të gjithanshëm të qeverisë shqiptare për të siguruar shërbime shëndetësore cilësisht në rritje për të gjithë popullatën, duke ofruar zgjedhje dhe rezultate të prekshme”, tha zv/ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia. Ai theksoi se mosraportimi i efekteve të panjohura dhe të padëshirueshme të barnave, është thyerje flagrante e etikës mjekësore. Përfaqësuesit e grosistëve farmaceutikë kërkuan gjithashtu që qytetarët të raportojnë për efektet e ilaçeve në dy mënyrat që iu vihen në dispozicion. Ata mund të ankohen online në faqen zyrtare të QKKB-së, por edhe në zyrat përkatëse të saj, duke plotësuar një formular të posaçëm.











