Nxënësit e gjimnaziit “Petro Nini Luarasi” kanë bojkotuar dje mësimin. Pas shembjes së një pjese të tavanit të shkollës dy ditë më parë, ata nuk kanë pranuar të futen në klasa.Me ta janë bashkuar edhe një pjesë e mësuesve. Më tej, drejtoria e shkollës vendosi të pezullojë procesin mësimor. Bashkia e Tiranës nuk pati asnjë reagim tjetër dje për ngjarjen e ndodhur. Sipas përfaqësuesve të saj dhe të firmës “Geci” që ka zbatuar projektin, nuk është ndërhyrë në tavane.”Firma jonë ka bërë vetëm lyerje në tavane dhe mure të cilat për herë të fundit janë rikonstruktuar në vitin 2002, prandaj nuk është përgjegjësia jonë”, janë shprehur përfaqësuesit e firmës. Edhe Bashkia e Tiranës ka konfirmuar këtë fakt. Sakaq, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”, mësimi do të jetë i pezulluar deri sa të verifikohen rrethanat e incidentit dhe të garantohet siguria e nxënësve. “Ne kërkuam që dje ekspertizë dhe sot si nxënësit, ashtu edhe një pjesë e mësuesve, nuk pranuan të futeshin në mësim. Kanë të drejtën e tyre. Për fat të mirë javën që vjen nxënësit kanë 1 javë pushim të pranverës dhe besojmë se deri në përfundimin e tyre, do të jetë zgjidhur ky problem”, tha nëndrejtoresha e shkollës, Mimoza Verzivolli. Gjatë ditës së djeshme, një grup inspektorësh nga Ministria e Arsimit kanë shkuar për të kryer verifikimet për shkaqet e incidentit. MASH-i bëri dje me dije gjithashtu se inspektime do të kryhen edhe në shkolla të tjera të rikonstruktuara të kryeqytetit e në rrethe, për cilësinë e punimeve. “Kryesorja është të shohim se pse ka ndodhur dhe a mundet të ndodhë në atë shkollë në vend tjetër. Duhet të kontrollojmë urgjentisht që të mos ndodhë më kjo. Duhet të vëmë ca standarde këtu në Ministri, në drejtorinë e investimeve, që kushtet për investime të mos kalojnë pa u kontrolluar.”, deklaroi Hektor Buza, drejtor i shërbimeve në MASH. Rastet e rënies së suvasë nga tavanet janë shënuar edhe në shkolla të tjera të Tiranës. Ka qenë vetëm çështje minutash dhe incidenti i dy ditëve më parë mund të kthehej në tragjedi. Një pjesë suvaje me sipërfaqe prej 5 metrash u shkëput rreth orës 13.10 të së mërkurës, pak para se të përfundonte ora e fundit e mësimit dhe nxënësit të dilnin nga klasat. Nuk është hera e parë që ngjarje të tilla ndodhin në shkolla të rikonstruktuara. Pavarësisht se në çdo inagurim flitet për standarde evropiane dhe u bëhet jo pak bujë,cilësia e punimeve është vënë shpesh në dyshim. Dy vjet më parë, i njëjti incident ndodhi në shkollën e mesme “Sami Frashëri”.Fatmirësisht, edhe këtu nuk pati të lënduar, ndërsa shkollës së saporikonstruktuar, iu rindërtuan sërish suvatë e tavaneve, për sigurinë e jetës së nxënësve.
ZIRINA LLAMBRO











