
Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, kërkon jo vetëm të ndalë Francën, por edhe të dhurojë një lojë mbresëlënëse për tifozët kuqezinj.Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, kroati ka bërë një ekspoze të gjendjes së skuadrës së tij, duke treguar edhe dilemat në lidhje me aktivizimin ose jo të kapitenit Altin Lala, si dhe mënyrën për të ndalur Frenk Riberinë. Kuzhe me një entuziazëm gati në tepri ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarët, por gjithsesi ka konfirmuar se kërkon me ngulm që të mos dalë pa pikë nga “Qemal Stafa”.
Mister, trajneri i Francës Lorent Blank me siguri është duke pritur të mësojë 11-shen titullare të Shqipërisë…
Mirë, atëherë po i them 12 dhe jo 11 lojtarë (qesh)… Në portë do luajë Ujkani; në mbrojtje, Dallku, Cana, Teli dhe Vangjeli; në mesfushë, Skela, Agolli, Curri, Bulku e Lala, ndërsa në sulm Salihi dhe Bogdani. Ju thashë 12 lojtarë, pasi ende jam në dilemë mes Lalës dhe Bulkut. Do shikoj në seancën e sotme stërvitore reagimin e tyre dhe do mendohem mirë para se të bëj një zgjedhje për të cilën jam i sigurt se do jetë ajo më e mira.
Nuk mendoni se rrezikoni disi, pa kapitenin në formacion?
E di që rrezikoj, pasi Lala është diçka më shumë se një lojtar i thjeshtë, është zemra e kësaj skuadre. Është ai që merr përgjegjësitë dhe situatat në fushë, por duhet të mendojmë për ndeshjen dhe kundërshtarin që kemi përballë, duke e analizuar pikë për pikë. Gjithsesi, ju thashë që jam ende duke menduar dhe besoj se do bëj zgjedhjen e duhur.
Pse u kalua pikërisht tani Curri në mesfushë?
Sepse pashë që ai më jepte më shumë siguri. Është një lojtar që përballet mirë fizikisht, mban lart linjën defensive të skuadrës sonë dhe mund të jetë shumë i aftë edhe në zonën kundërshtare në rastet e goditjeve. Nga ana tjetër, pashë se Teli ka kapur një formë të shkëlqyer, ndaj asesi nuk mund ta lija jashtë skuadrës.
Pas Francës vjen ndeshja me Luksemburgun, ku rrezikojnë që të mos luajnë 9 lojtarë pasi kanë kartonë, a i keni bërë llogaritë?
Nuk më lejohet të bëj ndonjë llogari në këto momente. Jam i sigurt se po mendova që tani për Luksemburgun, ju mediat, gazetarët do ishit të parët që do “më vrisnit” ditën tjetër me komentet tuaja. Unë mendoj të bëj më të mirën ndaj Francës, pikë së pari. Normal që mendoj edhe për formën e lojtarëve, nëse ata i kanë mundësitë ose kush i ka mundësitë që të luajë pa probleme të dyja ndeshjet, duke u ndier mirë fizikisht.
Do kënaqeshit edhe me një barazim?
Jo, jo s’para pëlqej që të jap të tilla parashikime. Unë po përgatis skuadrën për të ndalur Francën dhe pse jo për të fituar. Gjithsesi, të shohim se çfarë do ndodhë në fushë.
Krahu ynë i djathtë me Dallkun dhe Skelën është më problematiku, pasi në atë krah luan Riberi….
Kam shumë besim te Skela, te mënyra e lojës së tij, por edhe te Dallku. Është një lojtar mjaft i fortë në lojën një për një, ndaj them se do arrij ta ndalë Riberinë. Ndërsa për t’u kthyer te Skela, mendoj se ka lojtarë nga më të ndryshimit: Disa që kanë fizikun dhe disa të tjerë që kanë idetë në kokë dhe Skela duhet pikërisht për vizionin që i jep lojës së skuadrës. Gjithsesi, edhe ai do ketë detyra mbrojtëse.
Mister, a e keni vlerësuar faktin se Franca ka një sulm shumë të fortë, por që në mbrojtje çalon dhe sidomos në këtë takim, pasi nuk ka në dispozicion as Mekses dhe as Rami?
Unë kam bërë një analizë të thellë me lojtarët e kësaj France. Kemi parë të gjitha pikat e dobëta dhe të forta. Gjithnjë jam munduar që të mos hedh në fushë një skuadër, që mendon vetëm të mbrohet por edhe të sulmojë, madje edhe me shumë forca. Do shihni një skuadër të rreshtuar 4-1-4-1 në linjën defensive dhe, kur të hidhemi në kundërsulm, do ndryshojmë skemë në 3-5-2, kjo për të pasur përparësi ndaj kundërshtarit, edhe pse jam koshient që Franca ka lojtarë shumë të mirë.
Shqipëri-Francë
Sonte, ora 21:00/ Stadiumi: “Qemal Stafa”
Formacioni i mundshëm
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Teli, Vangjeli, Bulku (Lala), Curri, Agolli, Skela, Salihi, Bogdani. Trajner: Josip Kuzhe
Franca: Loris, Sanja, Kabul, Abidal, Evra, A.Diarra, M’Vila, Remi, Riberi, Nasri, Benzema. Trajner: Lorent Blank
Grupi D
Renditja & ndeshjet
Rumani-Shqipëri 1-1
Shqipëri-Luksemburg 1-0
Shqipëri-Bosnjë 1-1
Bjellorusi-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Bjellorusi 1-0
Bosnjë-Shqipëri 2-0
Sonte
Bjellorusi-Bosnjë 19:30
Luksemburg-Rumani 19:30
Shqipëri-Francë 21:00
Renditja
Nr. Ekipi ND F B H P
Franca 6 4 1 1 13
Bjellorusi 7 3 3 1 12
Bosnja 6 3 1 2 10
Rumania 6 2 2 2 8
Shqipëria 6 2 2 2 8
Luksemburg 7 0 1 6 1
Leonard Karaj
© Panorama.al











