“Në Shqipëri mund të ketë një vendburim ari”

Sep 2, 2011 | 10:22
Sokol Mati

Në vendin tonë funksionojnë sot 730 leje minerare shfrytëzimi, të cilat vit pas viti po rritin volumin e prodhimit minerar në vend.Ndërkaq, janë rreth 120 leje të tjera kërkim-zbulimi. Drejtori i Drejtorisë Minerare dhe Industriale pranë Ministrisë së Ekonomisë, Sokol Mati, në një intervistë për gazetën, jep detaje lidhur me ecurinë e sektorit minerar në vend, metalet që nxirren, në çfarë sasie dhe ku shiten. Lidhur me historinë për pasuri të mëdha ari në vend, z. Mati deklaron se Shqipëria nuk shquhet për ndonjë pasuri të madhe ari, aq më tepër për vendburime të shumta. I vetmi vendburim që mund të shfrytëzohet për këtë është ai i Gjazujt, por edhe ky, sipas drejtorit të METE-s, mbetet një tezë e paprovuar sepse asnjëherë nuk janë bërë shpime perfekte sipas parametrave të përcaktuar. Sigurisht, ar dhe argjend ka si bashkëshoqërues të metaleve të tjera, por interesi për t’i nxjerrë varet nga fakti se sa ekonomike e sheh kompania këtë vendim. “Akoma nga të dhënat gjeologjike që kemi ne sot, vendburim të mirëfilltë për arin në Shqipëri nuk ka, dhe i vetmi që diskutohet për vlerat, të cilat edhe këto janë të diskutueshme, pasi nuk janë të vërtetuara (pra realisht me shpime perfekte deri në 40 metra, që është rrjeti minimal), është Gjazuj. Aty ka prova dhe për 27 gramë për ton, siç ka edhe për 2.7 gramë për ton ar. Unë mbaj mend që Gjazuj ka qenë në nivelin 2-4 gramë për ton. Të gjitha vendburimet e tjera janë burime bakri i shoqëruar me ar”, shprehet Mati.
Sa miniera funksionojnë aktualisht në vendin tonë? Në cilat zona të Shqipërisë dhe çfarë prodhojnë?
Aktualisht në Shqipëri funksionojnë mbi 730 leje minerare shfrytëzimi dhe rreth 120 leje kërkim-zbulimi. Zonat kryesore janë në pjesën e mineraleve metalore bakër, krom, hekur-nikel, një kemi në mineralin qymyr, që ka qenë mineral tradicional, dhe pjesa tjetër janë mineralet ndërtimore, apo siç i njohim, minerale industriale, që janë gëlqerorët, bazaltët, olinat, gurë dekorativë, ranorët, pllakorët dhe minerale të tjera. Shpërndarja e  tyre është në të gjithë Shqipërinë, kryesisht zona tradicionale të kromit janë në pjesën e masivit Bulqizë-Batër dhe masivin e Kalimashit ose Kukës-Tropojë. Një pjesë e vogël e tyre në minierat e Pogradecit, Katjelit. Kjo është për pjesën e kromit. Për pjesën e hekur-nikelit, janë të përqendruara në zonën juglindore të Shqipërisë, pjesa e Korçës, e Pogradecit e Përrenjasit, ndërsa pjesa tjetër, kryesisht e nikelit silikat, është në veri, Struma, Surroi, Kukësi. Në mineralet e bakrit  është kryesisht zona e Mirditë-Pukës. Aktualisht kemi një koncesionar, i cili funksionon në  shfrytëzim. Ka dy miniera, atë të Munellës dhe Lavroshit, dhe ka një fabrikë pasurimi me një kapacitet rreth gjysmë milioni tonë dhe shumë leje kërkim-zbulimi, kryesisht në zonën e Mirditës, Pukës, pothuajse në zonën e minierave të vjetra, të cilat kanë pasur dhe më përpara vlerësime gjeologjike të aktivitetit minerar.
Si ka ecur prodhimi i metaleve në vend, sa prodhohet nga këto miniera, sa shitet dhe ku shitet?
Po marr bakrin të parin. Shumë nga subjektet që punojnë për bakrin sot kanë një tendencë për t’i shndërruar në leje shfrytëzimi, ku tendenca është që të kalohet për rritjen e prodhimit të bakrit dhe përpunimin e tij. Ideja është që sa i përket këtij metali, kemi qenë në nivelet e shfrytëzimit deri në 150 mijë tonë, sivjet duhet të dalim në nivelin mbi 400 mijë dhe vitin tjetër, me hyrjen e lejeve të reja të shfrytëzimit, ndoshta mund të shkojë deri në 700 mijë tonë, të paktën nga kërkesat që kanë ardhur deri tani për shndërrimin e lejes. Hekur-nikeli ka pasur një problem në kapacitete, pasi tregu ka qenë i ulët, niveli i çmimeve ka qenë gjithashtu i ulët. Ne nuk kemi metalurgji hekuri, pasi aktualisht është shkatërruar ajo e Elbasanit dhe zakonisht ata e shesin në Maqedoni dhe Kosovë, pra dy janë tregjet kryesore ku e çojmë sot hekur-nikelin. Për efekt të çmimit, hekur-nikeli është luhatur sipas çmimeve të detyruara nga këta dy metalurgjikë, prandaj dhe nuk ka një trend të zhvillimit të qëndrueshëm. Ka pasur vite që ka qenë 400 mijë tonë, në 2008-n ka vajtur 200 mijë dhe vjet shkoi mbi 100 mijë. Duke mos pasur kapacitete përpunuese ne jemi të varur thjesht në nxjerrje të mineralit dhe çmimet janë të përcaktuara nga të tjerët. Duke qenë se minerali ynë shkon afërsisht drejt kostos, shpesh subjektet janë të detyruara të rishikojnë kapacitetet, të cilat, realisht, vitet e fundit kanë rënë, pasi dhe kërkesa në treg për të ka qenë më e ulët. Për qymyrin është vetëm një subjekt, i cili punon në zonën e Memaliajt. Tendenca që qymyrin e kemi promovuar për procese të prodhimit të energjisë, deri tani ka pasur pak interes të shprehur. Shohim që vitet e fundit disa kompani kanë shprehur interes për miniera, kryesisht kompani angleze, për shfrytëzimin e qymyrit për prodhim energjie. Ndërsa për mineralet ndërtimore mund të themi që ka pasur një trend gjithmonë në rritje.
Sa është në volum sot prodhimi minerar në vend dhe si është e ndarë struktura e tij kur u referohemi metaleve?
Sot prodhimi minerar në volum është 25 për qind më i madh sesa prodhimi më i mirë qëkur filloi veprimtaria minerare sipas ligjit të ri minerar. Nëse kemi qenë në nivelet 5 milionë tonë para viteve ’90, sot jemi diku te 6 milionë e gjysmë. Por ka ndryshuar si strukturë. Nëse në atë kohë pjesa e mineraleve metalore apo mineraleve tradicionale, si krom, bakër nikel, qymyr, zinin 90 për qind të prodhimit dhe 10 për qind e zinin materialet ndërtimore, kjo strukturë e prodhimit ka ndryshuar. Sot mineralet tradicionale zënë jo më shumë se 25-30 për qind të prodhimit dhe pjesa e tjetër, rreth 65-70 për qind, mbulohet nga mineralet ndërtimore, të cilat kanë filluar të gjejnë tregun edhe jashtë, kryesisht gurë dekorativë, ranorë, pllakorë, bazaltët dhe të tjerat janë për tregun e huaj e janë shpërndarë në gjithë zonat e Shqipërisë, duke krijuar edhe treg pune.
Kompania kanadeze “Tirex” deklaroi pak kohë më parë që ka gjetur ar në zonën e Mirditës dhe se po kërkon të kthejë lejen e kërkim-zbulimit në leje shfrytëzimi. Sa e vërtetë është kjo? A ka ar apo argjend në Shqipëri?
“Tirex” ka pasur një zonë të madhe minerare për kërkim-zbulim dhe brenda zonës së vet ka pasur disa kushte specifike; kanë qenë disa objekte të veçanta ekzistuese që ka pasur dhe këto objekte i janë përjashtuar nga zona e vet minerare. Por “Tirex” ka një të drejtë, që brenda zonës së saj mund të shndërrojë pjesë të zonës dhe ligji të kalojë për objekte për shfrytëzim minerar nga kërkim-zbulim në shfrytëzim. “Tirex” këtë ka kërkuar. Çështja e arit është pak edhe punë e medias, sepse mendohet sikur Shqipëria ka pasur sasi të jashtëzakonshme ari. Dihet që mineralet e bakrit janë të bashkëshoqëruara me minerale të tjera të rralla, siç është ari, argjendi, qoftë dhe minerale të tjera, por nuk mund të themi analiza ekzakte. Ne kemi një vendburim ari, që ka qenë vendburimi i Gjazujt, dhe është i vetmi vendburim që mund të hapet thjesht për ar, por kjo varet, pasi ka disa kushte dhe në radhë të parë është sa efektivitet ekonomik ka. Bakri në Shqipëri gjithmonë ka qenë i bashkëshoqëruar me arin, por ka nivele të caktuara që fillojnë nga 0.2 në 1 gram, apo 2 gram për ton. Ka dhe pika në zona të caktuara të vendburimit që mund të kenë edhe 4 gramë, edhe 8 gramë për ton. Kjo sasi konvertohet dhe në totalin e përgjithshëm flitet që kemi zonë bakri i bashkëshoqëruar me x gram për ton ar, apo x gram për ton argjend, apo selen. Por nuk flitet për vendburim të mirëfilltë ari. Akoma nga të dhënat gjeologjike që kemi ne sot, vendburim të mirëfilltë për arin në Shqipëri nuk ka. I vetmi që diskutohet për vlera, që dhe këto janë të diskutueshme pasi nuk janë të vërtetuara (pra realisht me shpime perfekte deri në 40 metra, që është rrjeti minimal). Aty ka prova dhe për 27 gramë për ton, siç ka edhe për 2.7 gramë për ton ar. Unë mbaj mend që Gjazuj ka qenë në nivelin 2-4 gramë për ton. Gjithë vendburimet e tjera janë burime bakri i shoqëruar me ar.

730 leje
minerare shfrytëzimi janë dhënë aktualisht në vendin tonë, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre kompani të ndryshme si për nxjerrjen e metaleve, ashtu dhe për nxjerrjen e materialeve të ndërtimit, të cilat vitet e fundit kanë pasur një
rritje të konsiderueshme në sasi

120 leje
kërkim-zbulimi u janë dhënë kompanive të ndryshme të interesuara për të kërkuar minerale në zona të ndryshme të Shqipërisë. Kompanitë, pasi kryejnë studimet e tyre përkatëse dhe kërkimet, mund të bëjnë kërkesë për ta shndërruar këtë leje në leje shfrytëzimi

Kompanitë

Kompanitë që kanë të drejtë shfrytëzimi të një zone minerare për një metal të caktuar, nëse bashkë me të gjejnë metale shtesë, janë të detyruara të deklarojnë. Në momentin që kjo kompani gjen sasi të tjera, i lind e drejta që brenda afatit të kërkim-zbulimit dhe 60 ditë para përfundimit të këtij afati, pjesë të zonës së lejuar minerare të mund t’i  shndërrojë në leje minerare shfrytëzimi. Në të kundërt, shteti i shpall ato zona konkurruese.

Harta gjeologjike

Sot Shqipëria ka një hartë gjeologjike, e cila u miratua në vitin 2009, pas një periudhe 50-vjeçare pune nga Instituti i Gjeologjisë. Por, ndërkaq, është duke u punuar për hartën metalogjenike që jep një informacion më të detajuar lidhur me formacionet e shkëmbinjve. Kjo hartë, në momentin  që do të përfundohet, do t’u përshtatet kërkesave të ligjit të ri minerar që tashmë është në fuqi.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura