“Ndërtimet te Bërthamorja, rrezikohet jeta e qytetarëve”

Mar 22, 2011 | 10:12

“Fukushima” në Tiranë. Nuk duhet të ketë pranë asnjë ndërtesë, por është i rrethuar nga të tilla.Sakaq, të tjera leje janë dhënë për pallate që pritet të ngrihen. E, si për ironi, nëse bën search në “google” për adresën e saktë të Institutit të Fizikës Bërthamore, pjesa më e madhe e njoftimeve dhe informacioneve janë të këtij tipi: “Shes dyqan me hipotekë” apo “Shes apartament pranë instituti të fizikës bërthamore, komuna Dajt”. Pranë institutit janë të depozituara materiale të ndryshme me rrezik bërthamor, por banorët që jetojnë aty duket se nuk shqetësohen shumë. Vendim i Këshillit të Ministrave që përcakton se distanca nga kjo godinë duhet të jetë minimalisht 150 metra, është shkelur me të dyja këmbët. Këtë problematikë e ka denoncuar dje edhe Universiteti i Tiranës. Kreu i këtij universiteti, Dhori Kule, gjatë një konference për shtyp deklaroi se kërcënohet jeta e qytetarëve. “Kjo zonë duhet të jetë 150 metra larg Institutit të Fizikës Bërthamore. Oborri po ndërtohet dhe po jepet leje ndërtimi për pallate pranë dhjetëra shtëpive të tjera që ka aty. Kjo zonë mund të them është “Fukushima e Tiranës”, tha Kule. Ai nënvizoi, se ndërtesat e banimit janë ngritur në mënyre abuzive duke shkelur edhe ligjet në fuqi. “Do të përmendja edhe VKM nr. 83, date 27.05.1971, i cili përcakton rrezen në të cilën nuk duhet të ngrihet asnjë ndërtese  nga Qendra e Fizikës Bërthamore. Situata aktuale përbën një rrezik shumë të lartë dhe kërkon vëmendje të menjëhershme”,tha Kule. Ai bëri me dije se territori universitar cenohet rëndë çdo ditë. “Probleme të theksuara me ndërtimet pa asnjë kriter, konstatohen në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku laboratorët janë nxjerrë jashtë përdorimit, pasi dritare nuk mund të hapen për shkak të ndërtesave që ndodhen pranë. Në këtë fakultet, është për t’u përmendur edhe fakti që investimet për këtë fakultet brenda territorit të tij janë pezulluar për shkak të mos dhënies së lejeve të ndërtimit, ndërkohë që përreth ndërtohen pallate shumëkatëshe”, tha Kule. E njëjta situatë konstatohet edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe Fakultetin e Drejtësisë, ku këto fakultete janë të rrethuara nga ndërtimet 3 ose 4 herë më të larta se godinat e fakulteteve, ku në shumë raste distanca midis tyre është vetëm pak metra. Në Fakultetin e Histori – Filologjisë brenda territorit të këtij fakulteti janë ndërtuar objekte private që kanë penguar zhvillimin potencial, infrastrukturor të Fakultetit të Histori- Filologjisë dhe Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Një rast tjetër flagrant është Fakulteti i Ekonomisë, ku brenda oborrit të tij tentohen të ngrihen ndërtime të subjekteve private. Ato, sipas krerëve të UT, nxjerrin jashtë funksionit oborrin e këtij fakulteti dhe pengojnë zhvillimin potencial, infrastrukturor të tij.

“Hapësira që do cenohet te Botaniku, të kompensohet”

Sa i përket mbrojtjes së Kopshtit Botanik, Kule  falenderoi  gjithë grupet e interesit dhe partitë politike të cilat janë shprehur në mbrojtje të tij. Ai theksoi se në së është e paevitueshme prekja e Kopshtit Botanik në realizimin e këtij projekti, ajo pjesë e cila do të cënohet, do të kompensohet pranë Liqenit Artificial.”Në kalimin që do ketë unaza e madhe tek Kopshti Botanik, do të kërkojmë që në ristrukturimin e brendshëm bimësia të vendoset sërish në një hapësirë tjetër brenda liqenit artificial”, theksoi Kule. Sipas rektorit, projektet për të cilat Universiteti i Tiranës është vënë në dijeni në lidhje me ndërtimin e Unazës së Madhe si nga Bashkia dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, janë të  njëjta. Ai nënvizoi sërish se kampusi universitar duhet të ndërtohet menjëherë pasi në fakultetet e Tiranës ka pak mjedise. Në fakt që prej më shumë se 3 vjetësh premtimet nga Ministria e Arsimit dhe qeveria janë të shumta në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës së universitetit më të madh në vend. Por, pavarësisht pranimeve të studentëve që shtohen çdo vit, pak gjë është bërë për të shtuar ambientet.

 

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura