
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, nuk arrinte t’i besonte syve kur e pa veten pas vetëm 20 minutash në disavantazh të dy golave.Këtë gjë ka thënë ai pas ndeshjes, duke theksuar faktin se kishte përgatitur ekipin e tij për të përballuar një Francë me yje dhe pretendonte, në bazë të lojës që Shqipëria zhvilloi në fraksionin e dytë të lojës që të paktën të merrte një pikë. Kuzhe theksoi edhe mungesën e eksperiencës në radhët e ekipit të tij si dhe dëmtimet që pësuan dy lojtarë, si Curri dhe Bulku, çka ndryshoi disi edhe planet e tij për këtë takim.
Trajneri – “Pamë një ndeshje me dy tabllo: në pjesën e parë pësuam menjëherë dy gola, sepse u treguam të ngathët dhe totalisht të papërqendruar në pjesën defensive. Nuk i morëm me shumë seriozitet disa sulme, që mund të konsideroheshin edhe pa shumë pretendime, por në fund rezultuan dy gola për kundërshtarin. Po të vëreni me kujdes statistikat do të shikoni se nuk pësonim prej shumë ndeshjes dy gola në harkuan e kaq pak minutave. Më pas dolëm në lojën tonë, por ishte gati e pamundur për të shënuar. Sigurisht na mungoi, në disa raste, edhe fati, por edhe eksperienca, çka Franca e kishte dhe e ka me bollëk. Në pjesën e dytë u mundova të freskoj mesfushën duke bërë të mundur ngritjen e linjës sonë defensive. Luajtëm mirë dhe për disa minuta ushtruam edhe presion mbi kundërshtarin, duke qenë edhe superiorë ndaj tyre. Kjo tregon se edhe pse përballë kishim Francën, ne nuk u stepëm dhe kërkuam me patjetër rezultatin, paçka se në fund nuk e arritëm atë që kërkonim”, ka theksuar Kuzhe.
Luksemburgu – Më tej trajneri ka prekur edhe temën e pezullimeve për kartonë, dëmtimeve që ka skuadra para ndeshjes të së martës me Luksemburgun. “Di të them se dola i pakënaqur nga rezultati, por jo nga loja që zhvilluam. Ndërkaq, kjo ndeshje na solli edhe probleme të tjera, pasi ndaj Luksemburgut nuk do të kem në dispozicion Canën dhe Dallkun, dy lojtarë të rëndësishëm dhe që të dy të të njëjtit repart. Duhet të shoh edhe gjendjen e Currit dhe Bulkut, por, gjithsesi, mjaftojnë pezullimet në mbrojtje për të qenë i shqetësuar. Nuk e di sesi do të luajmë në atë takim, por këtë do ta shikoj nga dita e nesërme. Megjithatë, në këtë transfertë do të shkojmë për të marrë pikë të plota, pavarësisht problemeve që na krijoi Franca, jo vetëm me humbjen e shkaktuar por edhe me pezullimet dhe dëmtimet”, ka përfunduar Kuzhe.
LEONARD KARAJ











