
Transformime rrënjësore për t’u ofruar standarde bashkëkohore strehimi e arsimimi studentëve.Këto janë prioritetet që drejtuesit e Qytetit Studenti kanë vënë për vitin e ri akademik, i cili është në prag. Në intervistën e tij për gazetën, drejtori i QS, Bujar Brovina, sqaron detajet që lidhen me menaxhimin, investimet, transparencën, akomodimin, tarifat, projektet.
Zoti Brovina, jemi në prag të fillimit të vitit të ri akademik 2011-2012, në çfarë faze janë përgatitjet për të pritur studentët?
Jemi gati në të gjitha aspektet. Kjo lloj gatishmërie është rrjedhojë e parapërgatitjeve, që nga momenti i përfundimit të vitit akademik 2010-2011. Pra, pas largimit të studentëve, ne si staf vazhduam punën në mënyrë të pandërprerë, duke e kanalizuar anën menaxheriale në funksion të përmirësimit të kushteve për vitin pasardhës. Në këtë kontekst, tashmë kanë përfunduar të gjitha restaurimet e nevojshme në bujtina, duke nisur nga lyerja dhe deri tek pajisja me orendi të reja dhe bashkëkohore. Gjithashtu kemi investuar në hapësira të gjelbra shtesë, përfshirë edhe ndërtimin e një parku modern pranë Drejtorisë së Qytetit Studenti. Ç’është më e rëndësishmja, që në muajin korrik kemi përfunduar atë që ne e quajmë akomodim të studentëve nëpër dhoma, duke shmangur kështu problemet që mund të hasen. Tashmë, pas shpalljes të fituesve ndër studentët e rinj, i kemi marrë të gjitha masat për ta përmbyllur këtë cikël që këtë javë. Pra, marrë në tërësi, mund të pohoj se Qyteti Studenti i ka përmbushur të gjitha detyrimet, që janë në funksion të studentëve. Nga statistikat e evidentuara deri më tani, këtë vit akademik do të jenë rreth 6 mijë e 800 studentë, por sipas të gjitha gjasave mund të ketë edhe më shumë. Gjithsesi, e rëndësishme është që studentëve t’u garantohen kushtet maksimale që ta ndiejnë vetën si në shtëpitë e tyre.
Për studentët e vitit të parë nuk është e lehtë të nisin një jetë të re, larg familjeve të tyre. Pra, çfarë i bën ata që të besojnë se do të ndihen komodë?
Do të ishte e tepërt të thuhej se Qyteti Studenti ofron mrekulli, por e them me bindje të plotë se oferta jonë është shumë joshëse për të gjithë studentët, përfshirë edhe ata që nisin për herë të parë vitin akademik. I gjithë kapaciteti dhe energjia e stafit është përqendruar dhe orientuar për t’u garantuar studentëve shërbime cilësore, energji elektrike dhe ujë të pijshëm në mënyrë të pandërprerë, kushte të volitshme në dhomat e tyre, shërbim sanitar në nivelin e duhur, qetësi, siguri, ambiente çlodhëse e argëtuese. Krahas këtyre kushteve, Drejtoria e Qytetit Studenti u ka garantuar studentëve salla leximi, bibliotekë të pasur, madje dhe internet falas. Në këtë kuadër, askush nuk duhet të ketë dilema, aq më pak konfuzion për kushtet dhe mënyrën e jetesës në Qytetin Studenti.
Kur flisni për transformime, çfarë keni parasysh?
Natyrisht nuk e kam fjalën vetëm për formën, por edhe për përmbajtjen. Para vitit 2005, Qyteti Studenti gëlonte nga probleme të natyrave të ndryshme. Mungesë menaxhimi, vizioni dhe përgjegjshmërie, asokohe ndërmarrja ballafaqohej me deficite të madha si pasojë e keqmenaxhimit. Nëse do ta zgjerojmë gamën e problemeve, është e evidentuar mungesa e vullnetit për ndryshim nga ana e paraardhësve. Në atë periudhë, papengueshëm ngrihej sistemi kaotik, ku incidentet ishin kthyer në përditshmëri, ku fenomenet abuzive preknin xhepat e studentëve, apo më keq akoma, ku paratë e taksapaguesve nuk linin gjurmë për ndryshime thelbësore, por përfundonin pa adresë të saktë. Por gjithçka e ka një fund. Përtej modestisë, puna jonë menaxheriale, dallimet, ndryshimet dhe transformimet janë të dukshme, mjafton të bëhet një krahasim para dhe pas vitit 2005. Vetëm dy vitet e fundit janë bërë investime tepër të rëndësishme, duke nisur me ristrukturimin e 26 bujtinave, ndriçimin publik, funksionalitetin e mbi 6 mijë m2 hapësirë të gjelbër, mbjelljen e pemëve, ambiente dekorative, shtrimin e rrugicave, asfaltimin e akseve kryesore dhe të rrugicave, ndryshimin e itinerarit të mjeteve motorike që shkaktonin kaos dhe deri tek investimet e tjera në përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve. Ne gjithashtu kemi investuar për përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, për simulimin e veprimtarisë argëtuese dhe kulturore etj. Pa dashur të përsëris, investimet tona janë të dukshme dhe të prekshme, edhe në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve për lexim nga ana e studentëve, përfshirë këtu edhe sallat e internet, që tashmë janë kthyer në domosdoshmëri për të gjithë.
Në vigjilje në hapjes së procesit akademik, studentët janë të interesuar jo vetëm për kushtet, por edhe për tarifat dhe si përkthehen ato në raport me hapësirën që akomodohen…
Në këtë aspekt, nuk do të ketë asnjë ndryshim krahasuar me vitin e kaluar, do të jenë të njëjtat kushte. Më konkretisht, për vitin akademik, studentët do të paguajnë 40 mijë lekë të rinj. Studentët edhe në vitin akademik 2011-2012 do akomodohen tre veta në një dhomë. Mendoj se pagesa është në përputhje me ofertën tonë si në aspektin e akomodimit, por edhe të kushteve që ofrojmë. Pra, i kemi marrë të gjitha masat për të qenë edhe këtë vit të suksesshëm. Në këtë drejtim dua të theksoj se suksesi ynë është i garantuar edhe falë bashkëpunimit që kemi më dy ministritë përkatëse, ku ndërmarrja jonë varet konkretisht nga Ministria e Ekonomisë dhe e Arsimit. Askush të mos ketë dilema, paratë e taksapaguesve do të orientohen në kuadër të investimeve të tjera, fundja gjithçka mbetet transparente.











