“Kësaj here faji nuk është i … burrit”

Mar 20, 2011 | 13:40

Në fjalëkryqin e një gazete, numri 8 vertikalisht, ishte “e kundërta e femrës”. Kutitë dilnin fiks për fjalën “burrë”. Kur e plotësova m’u duk sikur zbulova një kontinent të ri. Po sa të kundërt jemi ne në të vërtetë? Radhita horizontalisht ca fakte që më zhvendoseshin si shigjeta udhërrëfyese. Nga të shkojë njeriu i  shkretë, kur një në çdo dy gra (marrë nga statistikat e lagjes sime) zgjohet me dëshirën për të modifikuar të shoqin?! Femrat dëgjohen më shpesh të ndihen të tradhtuara, të lodhura, të shpërfillura e si për ironi, mua kjo më rezulton edhe te meshkujt. Një i tillë më pyeti një ditë, kur prisja autobusin e Unazës: “Mos jeni ju, F-ja?”. Hija e tij, si e një gjiganti më kishte eklipsuar të tërën. Mua më argëtojnë tej mase takimet e llojit “unë do kem veshur një bluzë rozë, kurse ti me një ngjyrë  çokollate”. Ai sa i kishte mbushur njëzet vjeç për herë të dytë, po mbahej si çun sportiv. Emocionet po e mbysnin dhe bënte hapa të vegjël, pastaj fiksohej duke parë larg…. F-ja e tij ndoshta e kishte parim në jetë t’i bënte të tjerët të prisnin, duke bërë rolin e “së pamundurës”. Aq me padurim priste ai, saqë unë e lashë një autobus të ikte. Kisha një dëshirë të ngutshme t’i thosha: “Mirë është që edhe ju meshkujt ta kalitni pak durimin duke pritur. Ndoshta pret kot, se ajo mund të mos vijë kurrë. Rrallë qëllon me fat në këto raste. Pse nuk e bën ti lojën e saj, ta lësh të presë ajo, që të ketë një arsye më shumë të ankohet për meshkujt e kësaj bote (siç bëjmë ne femrat edhe për inerci)?  Gishti ynë tregues është nga ju kur bëhet fjalë për të gjetur burimin e çdo mosmarrëveshjeje. Nuk është e drejtë, e di. Ti je shembulli konkret për të vërtetuar se po pret aty, njëlloj siç do bënte ajo. E ke kombinuar bukur edhe veshjen, madje unë jam e sigurt që me vete i kë thënë shumë herë fjalët që do i thuash asaj, ndoshta këtë e ke bërë edhe para pasqyrës. Ka për t’i vlerësuar si pozitive përpjekjet, duke i marrë si shprehje të një vullneti ndërtues. Kaq i kujdesshëm sa je treguar ti, më shtyn të mendoj se nuk jemi absolutisht të kundërt me njëri-tjetrin. Në këtë logjikë një mashkull dashuron, përkushtohet, vuan e të bën të vuash po aq sa edhe një femër. Atëherë ne paskemi bërë luftë me mullinjtë e erës deri tani. Nuk paskan qenë po këta meshkuj që na kanë ngjitur si pullë fiskale etiketën “seks i dobët”, nuk qenkemi ndjerë inferiore kur na është thënë “e po është burrë ai”. Unë mendoj pa zë, ti nuk më dëgjon, vetëm pret duke i shtuar të rrahurat e zemrës në pritje të F-së.. Mund të më bindësh se ato që i thashë në nerva e sipër edhe mund të rregullohen. Po me njerëz si ty, bota do ishte më e mirë, po ku ka të tjerë si ty se? Si taktikë nuk është e keqe. Kjo F-ja do jetë ndonjë revolucionare që merr përsipër të na thotë se ka burra, po ka edhe burra të mirë!”
Kam që të mërkurën që nuk argëtohem më me njerëz që hakmerren, duke të lënë të presësh. Megjithatë, kjo më vlejti për të më ringjallur një farë shprese se ia vlen ndonjëherë të marrësh përsipër të mos ua hedhësh gjithmonë fajin meshkujve. Po deri të dielën që vjen edhe mund të më ndryshohet mendja përsëri.

© Panorama.al

Te lidhura