“Buka dhe vaji, me përbërës sintetikë”

Mar 26, 2011 | 12:45

Përbërës sintetikë në produktet ushqimore. Veçanërisht për bukën përdoren ngjyrues për ta bërë atë të zezë, ndërkohë që mielli i përket një cilësie të dobët dhe është i bardhë. Abuzime të tjera janë konstatuar me etiketat në gjuhën shqipe e mallra të skaduara. Kësaj here ka qenë vetë Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që ka ngritur alarmin. “Sa i përket cilësisë, ne jemi të vëmendshëm ndaj rrugëtimeve që bëhen. Ka shumë probleme për bukën, por zanafillën e ka tek prodhuesit e miellit. Do të merremi edhe me vajrat, sidomos me atë të ullirit, me ingredientët sintetikë në pijet freskuese etj. Gjithashtu, po punojmë për uljen e prezencës mikrobakteriale në qumësht”, deklaroi dje Genc Juka, kreu I i AKU-së. Ai shtoi se rreth 2 mijë ton ushqime janë asgjësuar gjatë vitit të shkuar. Cilësia e keqe, tejkalimi i afateve të përdorimit dhe rreziqet e tjera për shëndetin e konsumatorëve, kanë detyruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që të asgjesojë ushqimet. Sipas kreut  të AKU-së , produktet me origjinë shtazore dhe mallrat e importit janë në krye të listës së ushqimeve problematike. “Institucioni ka ushtruar kontrolle në 12 qarqe të republikës dhe si rezultat i kontrolleve të ushtruara që shkojnë tek rreth 8 mijë, janë asgjësuar tek rreth 20 mijë kuintalë produkte ushqimore jashtë kritereve të sigurisë ushqimore. Përkundrejt shkeljeve të konstatuara, janë penalizuar 20 subjekte të cilat operojnë në tregun shqiptar”, tha Juka. Ai shtoi se gjatë këtij viti do të nisë dhe kontrolli i shëndetit të kafshëve dhe bimëve në vend. Kjo procedure, sipas tij, do të ndjekë cilësinë e ushqimeve që nga krijimi deri në tavolinat e qytetarëve. Prioritet për këtë vit do të jetë kontrolli i tregut vendas. “Ja vlen të theksohet se shumë shpejt AKU-ja, do të marrë dhe disa funksione shtesë. Bëhet fjale për ato të mbrojtjes së bimëve dhe shëndetit të kafshëve. Me marrjen e këtyre funksioneve shtesë, AKU-ja do të jetë edhe më shumë e pranishme në sektorë të tjerë të garantimit të sigurisë ushqimore, me synim mbylljen e të gjithë ciklit.”, tha kreu I i AKU-së. Ai theksoi se  për të arritur nivelin e vendeve të zhvilluara Evropiane, nevojitet kohë dhe bashkëpunim i të gjithë faktorëve dhe aktorëve të shoqërisë, duke filluar që nga konsumatori e deri tek operatori i biznesit ushqimor.  “Mjafton të përmendim faktin se BE-ja,  e cili garanton standardet më të larta të sigurisë ushqimore në botë, e ka arritur këtë standard në disa dekada përms bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor”,  theksoi Genc Juka.

© Panorama.al

Te lidhura