“Bleona, e fshehur në Tiranë”

Mar 29, 2011 | 12:34
Bleona Mata, vajza e zhdukur që prej 22 majit 2010. Djathtas, e ëma, Bukurije Mata

“Bleona fshihet në Tiranë. Ajo mbahet nga njerëz që janë nga fshati Zapod”.Bukurije Mata, nëna e 7-vjeçares, e zhdukur prej 10 muajsh në rrethana misterioze, jep këtë pistë. Sipas saj, nuk është hera e parë që e bën publike, duke akuzuar dhe organet shtetërore për paaftësi në moszbulimin e vajzës së saj. Nga ana tjetër, gruaja, tashmë e divorcuar me të atin e Bleonës, kërkon që institucionet të angazhojnë ekspertë ndërkombëtarë për gjetjen e së bijës.
Çfarë informacionesh keni deri tani për Bleonën, znj.Bukurie?
Unë si nënë, e kam pasur pistën duke u nisur edhe nga fjalët e njerëzve, se pista më e sigurt është se vajza nuk ka qenë fare në Greqi, por është në fshatrat e thellë të Tiranës.
A jeni e kënaqur me punën e shtetit deri më tani?
Unë kam bërë tri herë padi për 5 vajzat dhe duket që nuk po punojnë siç duhet dhe shteti nuk po punon pastër për çështjen e Bleonës. Shteti vetëm hesht. Unë si nënë i kam bërë kërkesë presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit Lulzim Basha, kryetares së kuvendit Jozefina Topalli që të punojnë pastër dhe me zemër për gjetjen e vajzës, pasi vajza ka gati një vit që ndodhet në Tiranë dhe që të mos gjendet, kjo është katastrofë për popullin.
Ku i bazoni ju këto fakte?
Unë bazohem se shumë njerëz kanë thënë që pista në Greqi nuk ka qenë kurrë e vërtetë. Duhet të pyeten vajzat, pasi ato e dinë më mirë se ku është Bleona. Por, shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje për vajzat, prandaj unë si nënë jam e detyruar të bëj vetëgjyqësi, përderisa shteti nuk po merr asgjë përsipër. Si mund të jem e kënaqur unë nga shteti, përderisa deri tani nuk ka dhënë asnjë rezultat dhe asnjë sukses mbi kërkimet?!
Ju thatë që mund të jetë i përfshirë shteti. Ku i bazoni këto akuza?
Si ka mundësi që 5 vajzat e rritura ta humbin një vajzë 6-vjeçare në atë kohë? Duke qenë se kam bërë padi për to, unë dyshoj dhe akuzoj, ndërsa shteti dhe policia nuk merr asgjë përsipër. Dhe këtu dyshoj që policia mund të ketë lidhje në zhdukjen e Bleonës dhe nuk bën asgjë për gjetjen e saj. Ne kemi nevojë për shtet dhe shteti për popull dhe këtë dua unë si nënë: të dënohen vajzat. Dua sa më shpejt gjetjen e Bleonës. Ai (shteti) e di se si vepron, se çfarë bën. Bëj thirrje që me urdhër të Presidentit, Kryeministrit dua që të njoftojnë ekspertët ndërkombëtarë për gjetjen e Bleonës, se kështu nuk po shtyhet. Ka 1 vit që vajza sillet e mbështillet rreth Shqipërisë dhe askush nuk vë gisht për ta gjetur vërtet. Pra, vajza ime ndodhet në Shqipëri dhe për këtë jam e sigurt.
Çfarë dini tjetër për këtë fakt?
Unë di që njerëzit që e mbajnë, janë nga zona jonë, Zapod dhe dinë mirë gorançe (gjuha që flitet në ato zona).
Ju i keni dhënë më parë këto informacione, apo për herë të parë i bëni publike sot?
Unë i kam dhënë dhe në polici, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe dua që të punojnë pastër për gjetjen e Bleonës. Unë si nënë do të bëj vetëgjyqësi ndaj pesë vajzave dhe pastaj s’kanë pse të thonë se pse ndodhi kjo, ndërsa unë i kam vënë në dijeni me qindra herë. Bleona po vuan ndonëse është totalisht e pafajshme, ajo e di si është dhe në dorë të kujt ka rënë. Unë jetoj me shpresë se vajzën do ta gjej dhe kjo më mban gjallë.

“Ndihmë për Bukurije Matën”

Aktualisht, Bukurije Mata bashkë me të birin jeton në fshatin Lojme, i cili është më i izoluari në rrethin e Kukësit, i ngritur në shpatin e Gjalicës. Kryetari i komunës së Zapodit, Dan Kaloshi, thotë për “Panorama” se komuna, tani ka marrë në dorë dokumentet zyrtare që vërtetojnë divorcin e çiftit Mata. “Ne dimë se Bukurija jeton në vështirësi ekonomike dhe ka kaluar një dramë të madhe në jetën e saj. Aktualisht, ne po e trajtojmë më ndihmë të plotë ekonomike, pasi ajo ka marrë përsipër dhe kujdestarinë e djalit, por dhe të Bleonës së pagjetur. Por, kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme. Ne do të zbatojmë dhe ligjet, duke i dhënë një status të veçantë dhe trajtim ekonomiko-social”.

 

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura