Financat: ‘Virgin’, në treg në kohën e socialistëve

Mar 16, 2011 | 15:18

TIRANË- “Kontrabanda e naftës ‘Virgin’ është favorizuar nga socialistët dhe ka gjetur lulëzim në treg pikërisht në kohën e tyre”. Kështu i është përgjigjur Ministria e Financave akuzave të PS-së për skandalin me naftën, që së fundi çoi në pranga 13 persona. Gjatë një deklarate për mediat, vetëm pak moment pas akzuave të radhës nga selia rozë, përmes deputetit Taulant Balla, zëdhënësja e ministrisë, e ka quajtur reagimin e socialistëve, shqetësim “pasi u janë prishur interesat mafizoze”.

“Gjatë vitit 2009 është arritur të bllokohet një sasi prej 18 mijë tonë naftë virgin si pasojë e masave të marra në tregun e brendshëm. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk është treguar asnjë litër naftë ‘virgine’”, tha zëdhënësja, duke sqaruar se kjo naftë është tregtuar lirshëm nën qeverisjen e administratës socialiste.

Sipas saj, Drejtoria e Doganave dhe Tatimeve kanë qenë aktive gjatë vitit 2009 në parandalimin e tregtisë së naftës virgin, ndërsa hetimet kanë nisur që në vitin 2008. Më tej, Ministria e Financave, sqaron se qeveria rriti akcizën për naftën virgine në 18 lekë për litër nga tetë  lekë për litër që ishte vendosur nga qeverisja socialiste si dhe po synon ngjyrosjen e karburanteve me synim mosngatërrimin e tyre.

“Është vendosur një akcizë si dhe u ndalua dhe nafta D2 nën të cilën maskohej dhe nafta virgine”, theksoi zëdhënësja.

© Panorama.al

Te lidhura