TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama e ka nisur fjalën e tij në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare me falënderim për të gjithë ata që u solidarizuan me trup e shpirt në protestën homazh për nder të dëshmorëve të 21 janarit.
Ai ka falënderuar ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu për angazhimin këmbëngulës në mbështetjen e një hetimi të tërë e deri në fund të 21 janarit për të zbardhur të katër vrasjet dhe për të ndëshkuar vrasësit.
“Bashkëngjis këtu kërkesën publike dhe këmbëngulëse për prokurorinë që bazuar mbi të gjitha provat dhe falë mbështetjes së ekspertizës më të lartë botërore në drejtim të interesimit të saj ti shkojë deri në fund cështjes së drejtësisë për 21 janarin. Për interesin kombëtar e publik në funksion të një shteti të mirfilltë të së drejtës ne nuk jemi të interesuar vetëm për të dalë në dritë ekzekutori por edhe për tu vënë para përgjegjësisë urdhëruesit, ata që kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore të drejtojnë strukturat që në 21 janar vranë dhe plagosën qytetarë të pafajshëm, protestues të paarmatosur, që ushtruan të drejtën e tyre për protestë”- tha Rama.











