Vrasja për “nder”, vajza rrëfehet pas arrestimit, flet për viktimën: Ai…

Jan 28, 2019 | 12:19
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Tre të rinjtë që po mbahen të ndaluar në Policinë e Tiranës pas vrasjes që ndodhi në fshatin Bastar i Mesëm, krim që më pas tentuan ta fshihnin, kanë dhënë dëshmi kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.

Dëfrim Cani
Dëfrim Cani

Vrasja me levë e 34-vjeçarit Arben Gjeçi besohet të ketë ndodhur për çështje nderi, pas dyshimeve se motra e autorit të krimit kishte një lidhje jashtëmartesore me viktimën. Këto dyshime i ka pasur fillimisht Dëfrim Kurti, bashkëshorti i 20-vjeçares Elida Cani, që po ashtu ndodhet i arrestuar për fshehje krimi. Burimet thanë se ai e kishte biseduar me vëllain e saj këtë çështje dhe të dy më pas kanë ndjekur lëvizjet e viktimës e vajzës. Por kjo e fundit ka mohuar në Polici lidhjen e supozuar me Arben Gjeçin.

39799521_863642827158759_84

Sipas saj, ai e kishte ngacmuar disa herë në fshat, madje i kishte prerë edhe rrugën, por ajo nuk i kishte dhënë asnjë lloj afrimiteti. Por me gjithë këto shpjegime që kanë dhënë për këtë çështje, ata nuk kanë pranuar vrasjen. Autori i dyshuar i krimit, Esat Cani, ka pranuar të ketë debatuar me viktimën ditën kur ndodhi ngjarja, por mohon ta ketë vrarë atë. Policia thotë se ende nuk është gjetur objekti, me të cilin është kryer vrasja, por disa veshje të 34-vjeçarit, të gjetura pranë banesës së autorit, janë një provë e rëndësishme për grupin hetimor.

ARRESTIMET

Policia e Tiranës, të shtunën tha se kishte zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 24 janarit në fshatin Bastar i Mesëm, ku humbi jetën 34- vjeçari Arben Gjeçi. Sipas burimeve zyrtare të Policisë, pas një pune intensive dhe të pandërprerë 48-orëshe, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës janë zbardhur rrethanat dhe janë arrestuar 3 persona, për një ngjarje të raportuar në nisje si një vdekje aksidentale.

download

Të njëjtat burime saktësuan se dyshohet se shtetasi Esat Cani, 31 vjeç, më datë 24 janar, rreth orës 20:30, në fshatin Bastar i Mesëm ka goditur me sende të forta në kokë shtetasin Arben Gjeçi, 34 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Për pasojë, i riu humbi jetën në Spitalin e Traumës. Ngjarja në fillim u raportua si aksidentale, por hetimet provuan të kundërtën. Në Polici u shoqëruan disa persona dhe u kryen disa veprime komplekse hetimore në konfidencialitet të plotë.

Në vijim të këtyre veprimeve dyshohet se shtetasit Dëfrim Kurti dhe Elida Cani, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë fshehur të vërtetën e ngjarjes së ndodhur. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjet edhe një sasi lënde e dyshuar kanabisi.

“Shërbimet e Policisë Tiranë bënë arrestimin e shtetasve Esat Cani, 31 vjeç, për veprën penale ‘plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen’, Dëfrim Kurti, 29 vjeç, për veprën penale ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’ dhe ‘prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike’, Elida Cani, 20 vjeçe, për veprën penale ‘veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës'”, tha zyrtarisht Policia e Tiranës. Ndërsa shtoi se për shkak të hetimeve nuk mund të jepen detaje të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura