Visar Mulliqi: Në Kosovë është koha për evolucion

SHPËRNDAJE

Piktori Visar Mulliqi

Djali i piktorit Muslim Mulliqi ekspozon në galerinë “FAP”

Pas dështimit të ekspozitës së ’97-ës vjen në Tiranë me një ekspozitë personale

“Tash po tregoj dhe unë çka di të bëj”, thotë duke qeshur Visari, djali i piktorit të madh kosovar, Muslim Mulliqi, i cili ndodhet në Tiranë për ekspozitën e tij personale të titulluar “Evolucion”. Duke qenë profesor pranë Universitetit të Arteve në Prishtinë, Mulliqi ka preferuar ta hapë këtë ekspozitë në galerinë “FAP”, ku ka më shumë mundësi që arti i tij të vizitohet nga kolegë e studentë. Piktura e tij është abstrakte, plot kontraste ngjyrash dhe tërheqin vëmendjen qysh sa vë këmbën në galeri. E kuqe, e gjelbër, e verdhë, blu… Është një pikturë optimiste, që i largohet mënyrës se si i ati pikturonte. “Është e thjeshtë, unë nuk di të pikturoj njashtu”, thotë Visari modestish për veprën e të atit. Në një intervistë ai na tregon për punën e tij, për raportin me të atin, por edhe për zhvillimin e pikturës në Kosovë dhe ndihmën që ofron shteti….
Gati një vit më parë ishit në Tiranë për të prezantuar punët e babait tuaj, ndërsa tani vini me një ekspozitë personale…
Prej një kohe të gjatë kam pasur dëshirë të hap një ekspozitë në Tiranë. Doja të hapja një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, pikërisht në mars të vitit 1997, por për shkak të trazirave kjo nuk u realizua. Kështu që vit pas viti, më në fund, u bë e mundur hapja e kësaj ekspozite dhe unë po paraqitem me punët e mia.
Pse në galerinë “FAP”? Ishte një zgjedhje juaja kjo për të qenë pranë kolegësh e studentësh?
Kjo ekspozitë është në vijim të bashkëpunimit mes universiteteve tona, që ka për qëllim prezantimin e punëve të profesorëve e studentëve. Kjo është e rëndësishme për shkëmbimin e eksperiencave mes kolegësh, por edhe një dëshmi e gjallë për studentët mbi punën që bëjnë profesorët e tyre, të Tiranës, apo Prishtinës qofshin. Është një mënyrë e mirë për të bashkëbiseduar e për të ndarë mendime me ta.
Pse e keni quajtur “Evolucion”?
“Evolucion” është në vazhdimësi të cikleve të mia piktorike. Në vitin 2000, kur isha në Austri, hapa një ekspozitë që e quajta “Kokat që flasin në ’99”. Gjatë bombardimeve kam qëndruar në Austri dhe kjo ekspozitë lindi si rezultat i imazheve që unë kisha të atyre njerëzve, atyre kokave që deportoheshin në kufi. Ishin të shtrembëruara, të trishtuara. Ekspozitën vijuese e quajta optimizmi. Duke e lidhur me kohërat që po kalonte vendi im, mendova që përmes mënyrës dhe ngjyrave të mia të them se tashmë më e keqja ka kaluar dhe është koha për të qenë optimistë. Pas shkatërrimit duhet ecur përpara. Ndërsa tani jemi në procesin e evolucionit. Një proces që përfshin që nga natyra, deri te dashuria. Tashmë ne revolucionin e kemi mbaruar dhe jemi në evolucion.
Optimizmin ju e shprehni dukshëm dhe përmes ngjyrave, apo jo?

“Evolucion në natyrë”, vepër e Visar Mulliqit

Më pëlqejnë ngjyrat e gjalla, më pëlqen kjo frymë, me qëllim që edhe vizitori i ekspozitës të mund të ketë një qasje pozitive e të mund të mbushet me një lloj optimizmi. Që nga struktura, tekstura, kombinimi i ngjyrave duhet të jetë pak më i fuqishëm, që të mund ta intrigojë shikuesin që në momentin e parë që ai e shikon atë.
Zakonisht bijve të artistëve të mëdhenj nuk u vjen fort mirë që t’u thonë “djali i…”, megjithatë është diçka e pashmangshme. Sa ka ndihmuar babai në formimin tuaj?
Ne kemi pasur një atelie shumë të madhe, që tashmë po kthehet në muze dhe është në ndërtim e sipër. Punonim në të njëjtën hapësirë, por ndikimi ka qenë fare i vogël, sepse unë kisha një mënyrë tërësisht të ndryshme të shprehuri, dhe kjo për një arsye fare të thjeshtë, sepse unë nuk di të pikturoj ashtu. Ajo ishte një punë që kërkonte më shumë kohë, më e vështirë, kurse unë isha më shumë i momentit, i instinktit. Madje dhe mënyrën e të punuarit e kishim ndryshe. Babai pëlqente të punonte ditën me shumë dritë, që t’i binin rrezet e diellit, kurse unë nuk mund të punoja dot ditën, veçse natën. Isha shumë më i ri aso kohe…
Përveçse ishte babai juaj, e adhuronit si piktor?
Normalisht… Sa më shumë që bëhem piktor (pasi asnjëherë nuk mund të bëhesh piktor deri në fund, sepse gjithmonë je në kërkim të diçkaje) unë e kuptoj se sa piktor i mirë ka qenë. Dhe këtë e them pa modesti. Sepse tashmë jam i ndërgjegjshëm se sa shumë mund duhet për të bërë një vepër dhe se ç’është një punë e mirë. Ai akoma është i paarritshëm.
Ju thatë se gjithçka evoluon, a ndihet ky proces në pikturë?
Mund të flas vetëm për artin në Kosovë, më së shumti në lëmin e pikturës, dhe qartësisht shoh evoluim. Në vitet ’70 mbizotëronte shumë ngjyra gri, një lloj realizmi i vogël, gërshetuar me modernizmin, ndërsa tani shohim më shumë ngjyra, më ekspresive, më abstrakte.
Jo me pa të drejtë artistët te ne ankohen për mungesën e mbështetjes nga ana e shtetit. Si është ky raport në Kosovë?
As te ne nuk është më mirë, por ka njerëz që e duan artin, që e mbështesin deri diku. Ministria e Kulturës është duke punuar një çikë më mirë se më parë, por si te ju, ashtu edhe te ne, qeveria e ka artin në fund, ndërkohë që një imazh të mirë drejt botës mund ta përçosh më së miri përmes artit, sesa me forma të tjera.

ALMA MILE

Te lidhura

 

3 KOMENTET

Comments are closed.