VIDEO/ Kukësi në krye, fiton edhe Partizani. Tirana ngec me Korabin

Dec 10, 2016 | 19:28
SHPËRNDAJE

Partizani ka arritur të fitojë me rezultatin 2-0 ndaj Laçit në takimin e vlefshëm për javën e 15 të Kategorisë Superiore, të zhvilluar pasditen e sotme në “Elbasan Arena”.

Goli i Ekuban në minutën e 20 dhe goli i Torasës në minutën e 62-të me penallti kthyen të kuqtë te fitorja pas 2 barazimeve radhazi pa gola në javët e kaluara.

Pas kësaj fitoreje, Partizani ngjitet në kuotën e 28 pikëve duke mbetur në vendin e tretë të renditjes.

Ndërkohë Laçi mbetet në kuotën e 11 pikëve, në vendin e parafundit të renditjes, pozicion që të rrëzon në Kategorinë e Parë.

Korabi ndal Tiranën në kryeqytet, goli i Takut nuk mjafton

Tirana dhe Korabi kanë ndarë nga një pikë në duelin e luajtur në “Selman Stërmasi” mes dy ekipeve, përballje e mbyllur me shifrat 1-1.

Mendohej se do të ishte një fitore e lehtë për Tiranën, duke pasur parasysh se e filloi ndeshjen me një gol të shpejtë të Takut si dhe Korabi humbi menjëherë një prej titullarëve për dëmtim. Por dibranët arritën të barazonin shumë shpejt me Plakun me mundësinë e parë që iu shfaq, e më pas i rezistoi furisë së bardhebluve të cilët provuan të gjenin përsëri rrugën e rrjetës.

Edhe pse skuadra e Josës zhvendosi lojën në gjysmëfushën kundërshtare gjatë pjesës së dytë, duke provuar me gjuajtjet nga jashtë, apo me depërtimet nga krahët që të gjente rrugën e rrjetës, sulmi nuk prodhoi shumë gjuajtje në portë dhe portieri Spahia nuk u vu thuajse asnjëherë në vështirësi gjatë këtyre 45 minutave.

Në fund, kjo pikë kënaq më shumë Korabin e vendit të fundit sesa bardheblutë, të cilët shohin se si u largohet zona e Europës.

Mjafton Emini, Kukesi thyen Flamurtarin

Kukësi nuk gabon dhe në javën e 15-të të Kategorisë Superiore mposht 1-0 Flamurtarin. Në “Zeqir Ymeri”, vendasit i falen golit të Izair Eminit në minutën e 23-të.

Suksesi i merituar i shkëput verilindorët të vetëm në krye me 31 pikë, 2 më shumë se Skënderbeu. Kurse Flamurtari mbetet i shtati, në kuotën 13.

Shi golash në Shkodër, Rexhinaldo i jep suksesin Luftëtarit 

Luftëtari i ka dhënë fund serisë prej katër barazimesh radhazi duke marrë një fitore shumë të rëndësishme 3-2 në fushën e Vllaznisë.

Në një ndeshje mjaft emocionuese me raste për të dy skuadrat, dhe që nisi vrullshëm me katër gola të shpejtë, gjirokastritët ditën të tregoheshin kërkues atëherë kur duhej,

Pasi ngulmuan dhe rrezikuan disa herë portën e Agoviç, ata arritën edhe të kalonin për herë të tretë portierin e Vllaznisë për të marrë tri pikë që i mbajnë larg zonës së ftohtë të klasifikimit dhe afrojnë shumë me objektivin e mbijetesës në Superiore.

TABELA

Tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura