
KASTRIOT ISLAMI
Kam qenë mbështetësi më i fuqishëm i reformës perëndimore në drejtësi, si njëra nga rrugët institucionale për të çrrënjosur “korrupsionin, oligarkinë, banditizmin dhe krimin” (KOBK) që kanë kapur e drejtojnë qeverisjen e vendit e po tentojnë të kapin përfundimisht e plotësisht edhe drejtësinë.
Duke qenë ndërkohë një kundërshtar e luftëtar i ashpër i kapjes oligarkike të drejtësisë, vazhdoj të besoj se parimet demokratike kushtetuese të evokuara nga Komisioni i Venecias duhet të mbeten udhërrëfyesi i kësaj reforme. Angazhimi e roli i ambasadorit Lu ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mbetet vendimtar për të mos devijuar asnjë milimetër nga “korniza veneciane”.
Ndërkohë që objektivi i reformës në drejtësi është i qartë për politikanët, gjyqtarët e prokurorët e ndershëm, qytetarët dhe mbi të gjitha për SHBA e BE, rreziku i kapjes së drejtësisë nga klientela oligarkike është ende i lartë. Sepse hilet e djallëzitë e kundërshtarëve të kësaj reforme janë të fshehura e të maskuara në çdo detaj të draftit të njëanshëm e do të mbeten të tilla deri në fund të procesit.
Shqipëria, një vend anëtar i NATO dhe kandidat për në BE, ku interesat amerikane janë të larta e prezente, ka të gjitha mundësitë të ngrejë këtë radhë, me hir a pahir, me çdo mjet e mënyrë, një sistem drejtësie që çrrënjos KOBK dhe ndëshkon dhe/ ose largon të gjithë ideatorët, konceptuesit, organizuesit, realizuesit dhe përfituesit e kësaj situate. Kapja e plotë e drejtësisë nga oligarkia dhe nënshtrimi i opozitës dhe qytetarëve ndaj kësaj situate do të ishte një ogur i keq për vendin…
I. EDI RAMA, IDEATORI E PËRFITUESI I OLIGARKISË SYNON TË KAPË EDHE DREJTËSINË
“Kapja politike” e gjyqësorit nga Rama do të mbetet një sfidë deri në minutën e fundit të miratimit e implementimit të saj. Sfida reale ka të bëjë me faktin që maxhoranca e inkriminuar e oligarke, pra, jolegjitime, ashtu siç nënvizohet edhe në rekomandimet e Venecias, s’duhet të lejohet të kontrollojë miratimin e “reformës veneciane”, aq më tepër kur grupi i teknicienëve të kontrolluar nga KOBK ka “ekzekutuar” parimin fundamental të “check and balance”.
Kjo gjë mund të arrihet vetëm nëse plotësohen tri kushte i) të reflektohen pa ambiguitet e me konsensusin e plotë sugjerimet e Venecias; ii) ambasadori amerikan dhe ekspertët e Venecias të monitorojnë/ mbikëqyrin procesin duke alertuar çdo devijim nga Venecia që çon në kapje të sistemit; iii) minimalisht, të gjitha vendimet me 3/5 të parashikuara në draftin e njëanshëm nga ekspertët e maxhorancës së KOBK, duhet të ndryshohen sipas sugjerimeve të Venecias, sepse pikërisht aty fle djalli i “kapjes oligarkike të sistemit”.
II. TRI MUNDËSITË E ECURISË SË REFORMËS SË DREJTËSISË
Tri do të ishin mundësitë teorike për të arritur te miratimi i reformës “veneciane”: i) të mos miratohet reforma për shkak të tentativave të Ramës për të kapur sistemin duke devijuar me hile nga sugjerimet e Venecias dhe duke iu shmangur makiavelisht monitorimit amerikan; ii) të miratohet me hir ose me pahir “reforma veneciane” me mbikëqyrjen e rreptë amerikane dhe konsensusin e plotë të të gjitha palëve; dhe iii) të bllokohet fillimisht reforma, nga hilet e Ramës për të kapur sistemin, e më tej qytetarët do të detyroheshin të përballeshin me KOBK, duke çuar në një “qeveri teknike” që detyrimisht do të miratonte “reformën veneciane” me mbikëqyrjen e rreptë amerikane, reformën zgjedhore dhe do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme. Normalisht duhet të ndodhë opsioni i dytë. Opsioni i tretë s’do të përjashtohej për të arritur objektivin, nëse minohet ndodh opsioni i parë apo minohet opsioni i dytë.
III. RADIKALIZMI EKSTREM PËR TË MASKUAR KAPJEN OLIGARKIKE
Qëllimi i Ramës në krye të maxhorancës oligarkike ka qenë dhe mbetet kapja e gjyqësorit. Stili është tashmë i njohur dhe i qartë për të gjithë.
Për të justifikuar spastrimin e thellë të gjyqtarëve e të prokurorëve, pra, për të djegur së bashku me barin e thatë edhe të njomin, pra, për të hapur sa më shumë vende të lira për gjyqtarët e prokurorët e klientelës duhet bërë bombardimi mediatik dhe lëshuar akuza ekstreme radikale kundër sistemit gjyqësor. Bombardim që ka për qëllim ta paraqesë situatën shumë më të errët dhe më të zezë se ç’është në realitet. E them këtë jo për të mbrojtur të korruptuarit në sistemin gjyqësor, por për të qenë realist.
Në fakt duhen pranuar dy teza i) nga njëra anë, situata e korrupsionit në gjyqësor është po aq e rëndë sa edhe në sektorë të tjerë, ndërkohë që në këtë sistem ku pritet drejtësi edhe për të gjithë sektorët e tjerë kjo situatë është e papranueshme; ii) dhe nga ana tjetër, përfaqësuesit dhe drejtuesit e oligarkisë në qeverisje e kuvend s’kanë të drejtën morale për të bërë akuza të tilla kur vetë janë të tillë, njëkohësisht përgjegjës për këtë situatë e për më tepër pas këtyre akuzave fshehin synimet për kapjen e sistemit të drejtësisë.
Më tej përfaqësuesit e oligarkisë në qeverisje, këtë panoramë tmerrësisht të zezë e paraqesin si argument për një reformë ekstremisht radikale, ndërkohë që siç paralajmëron edhe Komisioni i Venecias radikalizmi ekstrem maskon synimin për të kapur politikisht gjyqësorin dhe për ta ruajtur këtë kapje edhe në të ardhmen.
Ky është thelbi që duhet kuptuar nga shqiptarët, nga partnerët dhe mbi të gjitha nga ambasadori Lu, i cili ka “misionin” e mbikëqyrjes së kësaj reforme në kushtet e kontrollit të maxhorancës e qeverisjes nga “krimi e oligarkia”, madje pas një sfide jo fort të këndshme nga Rama për largimin e kandidatëve me rekorde kriminale në zgjedhjet e 2015-s.
Sugjerimet elegante të Komisionit të Venecias synojnë të shmangin pikërisht ato zgjidhje radikale ekstreme pas të cilave është fshehur apo maskuar synimi makiavelik për kapjen oligarkike të sistemit gjyqësor nga maxhoranca oligarkike me 3/5.
Aq më tepër që Komisioni i Venecias ka asistuar gjatë 25 vjetëve përmirësimin/reformimin gradual të sistemit gjyqësor, ndërkohë që mosfunksionaliteti dhe korrupsioni i lartë lidhen më shumë me individët e korruptuar dhe keqimplementimin sesa me vetë sistemin që natyrisht do të kërkonte ndryshime, edhe të thella, por jo me radikalizëm ekstrem të qëllimshëm, i cili synon të maskojë kapjen oligarkike.
IV. KOMISIONI I VENECIAS
Komisioni i Venecias gëzon reputacionin e “gardianit” të parimeve demokratike kushtetuese dhe opinionet e tij janë pritur përgjithësisht me konsensus në vendet demokratike. Shpresoj e besoj se kjo do të ndodhë në Shqipëri, pra, që “sugjerimet veneciane” të jenë udhërrëfyesi për reformën “radikale”, drafti i së cilës është përgatitur në mënyrë të njëanshme.
Por shenjat e para të dhëna nga Rama dhe zëdhënësit e tij, pas ardhjes së sugjerimeve të Venecias, s’kanë qenë pozitive. Rama dhe zëdhënësit e tij, të cilët kanë përgatitur në mënyrë të njëanshme draftin e reformës në drejtësi, pas publikimit të “138 konkluzioneve të Komisionit të Venecias” kanë krijuar përshtypjen se do t’i shpërfillin sugjerimet e Venecias dhe do t’i qëndrojnë draftit të tyre të njëanshëm; këtë gjë natyrisht do ta bëjnë herë haptas, herë tinëzisht dhe herë makiavelisht. Madje do të përpiqen të shmangin edhe mbikëqyrjen e ambasadorit Lu, duke tentuar të arrijnë objektivin e tyre të pandryshueshëm, kapjen klienteliste të sistemit të drejtësisë.
Opozita, pothuajse tërësisht jashtë loje gjatë të gjithë kohës së përgatitjes së draftit të njëanshëm nga ana e eksperteve të caktuar nga Rama, ka mbështetur fuqimisht “opinionin venecian” dhe është deklaruar qartas se do të japë mbështetjen pa rezerva për “reformën veneciane” me “mbikëqyrjen amerikane”, si të vetmet garanci për të shmangur kapjen e sistemit nga regjimi i oligarkisë, krimit dhe korrupsionit.
Përfundimisht mund të thuhet se opozita është e gatshme dhe tërësisht e angazhuar të mbështesë dhe të bëhet pjesë e një procesi gjithëpërfshirës e konsensual, vetëm në rastin e një “reforme veneciane” me “uachdog-un” e fuqishëm amerikan.
V. “MISIONI”/ ROLI I AMBASADORIT LU…
Ambasadori Lu është i vendosur që reforma e drejtësisë të përmbyllet sipas objektivit, pra, për të luftuar “oligarkinë, korrupsionin e krimin” që kanë kapur qeverisjen e vendit në nivelin më të lartë. Kjo reformë është në linjë me gjithçka, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit në Mynih, në 1 shkurt 2014, për oligarkinë në vendet e Ballkanit.
Ambasadori Lu ka “misionin” kompleks të mbikëqyrë realizimin e “reformës veneciane”. Përmes këtij misioni/roli të ambasadorit Lu qytetarët shqiptarë presin:
i) të arrihet objektivi i ndëshkimit të “oligarkisë, korrupsionit dhe krimit” para zgjedhjeve të ardhshme;
ii) që reforma të miratohet me konsensus të plotë, i cili është i domosdoshëm për suksesin e saj;
iii) të garantohet reflektimi me sukses të plotë i të gjitha sugjerimeve të Venecias;
iv) të stigmatizohen qartas në publik politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët që kundërshtojnë reformën, që bëjnë hile e marifete për të anashkaluar sugjerimet e Venecias, aq më tepër ata që ndryshe flasin në takime me të, ndryshe në publik, ndryshe veprojnë;
v) të kuptojë djallëzitë makivelike pas të cilave fshihet kapja e sistemit, të kuptojë se pas çdo vendimi nga maxhoranca me 3/5 fshihet kapja e sistemit të drejtësisë, në të tashmen e në të ardhmen; dhe
vi) së fundmi, të zgjidhë paradoksin që oligarkët, kriminelët, banditët, të korruptuarit të mos bëhen pengesë apo të hedhin në erë reformën, por të detyrohen apo zhvleftësohen të miratojnë mekanizmin që do të shërbejë më tej për largimin/ndëshkimin e tyre. Misioni/roli i ambasadorit Lu natyrisht do të ishte shumë më i lehtë nëse procesin s’do ta kontrollonte Rama, ideatori, realizuesi, programuesi, realizuesi e përfituesi i kësaj situate.
VI. DRAFTI I NJËANSHËM I EKSPERTËVE TË MAXHORANCËS JOLEGJITIM Pavarësisht angazhimit ekstremal të SHBA, s’kanë munguar përpjekjet e Ramës për ta orientuar reformën në drejtësi drejt qëllimit tradicional, atë të kapjes së tij nga politika. Që nga raporti i analizës që paraqet një situatë shumë më të keqe se ç’është realisht, te nevoja për një reformë “shumë më radikale” se ç’duhej të ishte dhe deri te zgjidhjet e komplikuara, komplekse dhe të sofistikuara për “kapjen politike të gjyqësorit”, Rama është përpjekur për të kontrolluar të gjithë procesin me synim kapjen e sistemit të drejtësisë.
Ky synim lexohet qartë
i) në përbërjen klienteliste të ekipit draftues,
ii) mënyrën e fshehtë e të njëanshme të hartimit të draftit,
iii) përmbajtjen e tij dhe
iv) deri në vërejtjet e opozitës e madje edhe të LSI. Të gjithë dyshonin se pavarësisht angazhimit maksimal të ambasadorit Lu, Rama do të arrinte të kapte sistemin përmes këtij drafti të njëanshëm. E vetmja shpresë mbetej opinioni i Komisionit të Venecias, thjesht për të vendosur reformën në shinat e parimeve demokratike e mbi të gjitha për të penguar kapjen politike të drejtësisë nga “oligarkia, korrupsioni, krimi”. Përfundimi është i qartë, vetëm një “reformë veneciane” me “mbikëqyrje amerikane”, prezente gjatë të gjithë kohës, në çdo detaj, aty ku fle djalli, do të mund të garantonte një reformë të suksesshme.
VII. DISA NGA CILËSITË E “REFORMËS VENECIANE”…
Reforma e drejtësisë, pas shqyrtimit paraprak të draftit të hartuar në mënyrë të njëanshme nga “ekspertët” e përzgjedhur vetëm nga Rama, duket se është futur në rrugë të mbarë nga 138 përfundimet/sugjerimet/ vërejtjet e Komisionit të Venecias. Opinionet paraprake të Venecias janë një mundësi e mirë për parlamentin shqiptar për të kthyer draftin e njëanshëm në një dokument të gjithëpranuar të standardeve perëndimore, i cili garanton një sistem drejtësie profesional, të ndershëm, të paanshëm e të pavarur nga politika e të pacenuar nga sindroma e “korporatizmit”.
Konkretisht, 138 vlerësimet e Komisionit të Venecias e bëjnë “Reformën veneciane” të jetë:
A) Gjithëpërfshirëse substancialisht. Komisioni i Venecias (KV), duke u qëndruar në “fanatizëm” parimeve të rëndësishme kushtetuese demokratike, ka hequr mundësinë që miratimi i kësaj reforme të jetë i njëanshëm, qoftë edhe nga maxhoranca me 3/5, jolegjitime për shkak të dominimit të saj nga oligarkët dhe individët me rekorde kriminale.
“Reforma veneciane” ka shanset të jetë gjithëpërfshirëse realisht. Një proces gjithëpërfshirës politikisht mund të përjashtonte nevojën e votave të “oligarkëve, kriminelëve, të korruptuarve” që apriori do të ishin kundër kësaj reforme. Gjithëpërfshirja do t’i jepte integritet e forcë morale reformës, si një reformë e deputetëve të pastër të kuvendit, e cila ka për mision të veprojë si “gijotinë” kundër KOBK.
Po ashtu gjithëpërfshirja do të integronte gjyqtarët e prokurorët, profesionistë e me integritet.
B) Racionale, duke kundërshtuar radikalizmin që favorizon kapjen politike. KV evidenton se zgjidhjet radikale janë të paarsyeshme, krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shtojnë mosbesimin e publikut në gjyqësor, dhe krijojnë rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin.
C) Parimore, duke ruajtur rolin e Gjykatës Kushtetuese. KV sugjeron që vendimet e GJK të kenë forcë detyruese të përgjithshme. GJK duhet të ketë kompetencë për të shqyrtuar më së paku procedurën e miratimit të amendamenteve kushtetuese.
D) Kushtetuese, duke penguar ndërprerjen antikushtetuese të mandateve. KV sugjeron që mandati i Prokurorit të Përgjithshëm të mos ndërpritet dhe është i nevojshëm vijimi i ushtrimit të punës deri në përfundimin e mandatit të tij.
E) Siguruese të garancive kushtetuese dhe e të drejtës së ankimit. KV shprehet kundër pezullimit të të gjitha garancive kushtetuese në rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu Komisioni i Venecias shprehet se rivlerësimi i prokurorëve e gjykatësve të bëhet përmes një procesi të drejtë ligjor, përfshi të drejtën e ankimit te një institucion i paanshëm.
F) Garante nga kapje politike të institucioneve të drejtësisë. KV vëren se maxhoranca aktuale ka shumicën e cilësuar për të zgjedhur anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prandaj risjell në vëmendje një opinion të mëparshëm: kur kriteri i miratimit me shumicë të cilësuar përfshihet në Kushtetutë me iniciativë të një grupimi politik që e zotëron këtë shumicë, atëherë ky rregull, në vend që të sigurojë pluralizmin e shkëputje politike të organit rregullator, në fakt “çimenton” ndikimin e këtij grupi të veçantë brenda organit rregullator dhe mbron këtë ndikim kundër ndryshimit të krahëve politikë në të ardhmen. Ky është djalli ku fshihet kapja e sistemit të drejtësisë nga Rama dhe klientela e tij.
G) Të mbrojtur nga ndërhyrjet e Ekzekutivit. KV thekson se roli i ministrit të Drejtësisë në KLGJ duhet të reduktohet dhe vlerëson se prezenca e ministrit të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm në Tribunalin Disiplinor është problematike. Propozohet të rishikohet roli i ministrit të Drejtësisë, në funksion të shmangies së konfliktit të interesit dhe presionit të mundshëm mbi organet e pavarura të sistemit gjyqësor.
H) Antikorporatiste. KV shprehet se krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) komplikon strukturën e sistemit gjyqësor dhe ka për qëllim reduktimin e lirisë së zgjedhjes së organeve kushtetuese të përfshira në procesin e emërimit. Në sistemin e propozuar të përbërjes së KED, një trupë e vogël elitare është vendosur në një pozitë shumë të fuqishme.
Shumica e njëmbëdhjetë anëtarëve të saj janë të lidhur ngushtë me gjyqësorin: gjashtë prej tyre përfaqësojnë gjyqësorin, dy të tjerë përfaqësojnë prokurorët, një përfaqëson ekzekutivin (ministri i Drejtësisë) dhe dy të tjerët përfaqësojnë profesionet e tjera juridike (kryetari i Dhomës dhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Lartë, i cili zgjidhet nga anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe nuk është për këtë arsye një gjykatës). Kjo qasje rrit rrezikun e korporatizmit.
VIII. OLIGARKIA DUHET TË ÇRRËNJOSET ME ÇDO MËNYRË E MJET…
Rama, zotëruesi i një pasurie 200 milionë euro të fshehur në llogari off shore, në realitet është kundër një reforme të vërtetë perëndimore nga frika e ndëshkimit prej saj. Zgjidhja e lehtë, efikase, e shpejtë dhe e suksesshme do të ishte pa prezencën e Ramës, i cili do të tentojë deri në fund të kapë sistemin ose të hedhë në erë reformën, nëse nuk e arrin kapjen.
Një zgjidhje “oportuniste” (unë jam shumë mosbesues dhe kundër kësaj qasjeje) do të ishte që Rama të tolerohej të ishte një nga aktorët për të realizuar me konsensus të plotë një reformë të standardeve demokratike perëndimore. Në këtë rast opozita do të duhet të stigmatizonte në vijimësi çdo tentativë tinëzare apo hile të Ramës për kapjen e sistemit dhe të kanalizonte irritimin e qytetarëve nëse ai do të minonte reformën.
Çdo përpjekje për të devijuar “reformën veneciane” do të rriste më tej irritimin e qytetarëve të gatshëm për t’u përballur në çdo moment me “oligarkinë, banditizmin dhe krimin e korrupsionin” deri në largimin e saj. Kam një besim të palëkundur se këtë radhë, me hir a pahir, me çdo mënyrë e mjet, do të ngrihet mekanizmi për ndëshkimin/ çrrënjosjen e KOBK dhe të ideatorëve e përfituesve të saj.
Nëse oligarkia me të gjitha mjetet e saj do të arrijë të vendosë nën kontroll të plotë edhe drejtësinë, atëherë qytetarëve iu mbetet ose përballja, ose nënshtrimi ndaj saj.
© Panorama.al











