Tirana bën “goditjen” e fundit të merkatos, Mustafa firmos në limit

Sep 2, 2016 | 11:46
SHPËRNDAJE

Tirana “godet” në limit. Bardheblutë kanë siguruar zyrtarisht shërbimet e Argjend Mustafës. Ka kohë që përflitet emri i tij në merkaton e kryeqytetasve, por vetëm dje në mbrëmje, rreth orës 21:00, është mbyllur gjithçka pozitivisht.

Prej pak ditësh kosovari ndodhej në Shqipëri, ndërsa ka negociuar jo vetëm me bardheblutë, por edhe me ekipin tjetër të kryeqytetit, konkretisht Partizanin.

argjend mustafa

Megjithatë, tratativat me ish-ekipin (me të cilët luajti në 2014-ën, por pa gjetur hapësira të mëdha dhe u aktivizua në 6 ndeshje) nuk kanë shkuar edhe aq mirë, pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët sa u përket termave financiarë. Por e kundërta ka ndodhur me Tiranën, e cila e ka “blinduar” mesfushorin për 2 vite, ose më saktë kontratë sezonale, por me opsion rinovimi për një tjetër sezon.

Burime pranë lojtarit konfirmojnë se do të përfitojë afro 2 mijë euro në muaj, shto këtu edhe bonuset. Me afrimin e Argjend Mustafës, trajnerit Ilir Daja i plotësohet një nga dëshirat dhe rrjedhimisht i përforcohet mesfusha.

Megjithatë, vlen të saktësohet se alternativat sidomos në qendër të mesit të fushës shtohen ndjeshëm, kur dihet që në gatishmëri janë Karabeci, Daja, Vucaj, Merville, Taku apo Deliaj. Pritet që futbollisti t’i bashkohet pas disa ditësh grupit, pasi do i duhet të rrugëtojë drejt Kosovës, për të marrë bagazhet.

mustafa

Në të tilla kushte, Mustafa mbetet në Superiore, pas aventurës me Besën fillimisht, Partizanin dhe së fundmi me Laçin. Kjo mund të konsiderohet edhe blerja e fundit e merkatos së verës, paçka se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë “surprize”.

E vetmja mënyrë për të marrë të tjerë lojtarë në merkato është federimi te Tirana B dhe më pas mund t’i jepet mundësia që të aktivizohen me ekipin e parë.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura