Ditari i Kroit, të dhënat e para në zyrën e Enverit: Kadri Hazbiu është agjent

Aug 29, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

ENVER HOXHA DHE KADRI HAZBIU
Ditari i Haxhi Kroit: S’më shkonte mendja kurrë që ishte spiun

“Kur çështja u diskutua në Byronë Politike, Enveri më porositi t’i qëndroja pranë për çdo të papritur”

“Teksti që zbardha nga biseda në zyrën e kreut të Partisë”

Enveri qorton Viton: Mos dysho për vdekjen e Hysniut

Ka qenë fillimi i shtatorit të vitit 1982, kur në zyrën e Enverit kanë mbërritur për herë të parë të dhënat që penalizonin Kadri Hazbiun si agjent të shërbimeve të huaja. Së paku për aq sa ka regjistruar Haxhi Kroi në ditar, dokumenti i parë që konfirmonte tradhtinë e ish- ministrit historik të Sigurimit të Shtetit, ka qenë një dosje e hetuesisë “të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu e Dhora Leka”, në të cilën janë gjetur gjurmët e lidhjeve të Hazbiut me armiqtë e hershëm të Partisë, të dënuar në vitet ’50 për veprimtari agjenturore në shërbim të UDB-së së Titos. Në shënimin e datës 18 shtator 1982, shefi i kabinetit të kreut të regjimit bën të ditur se këtë material zbuluar rishtas nga Sigurimi i Shtetit ia ka dhënë Hoxha atë mëngjes për t’ia lexuar në studion e tij në aparatin e KQ. Nga ky moment, në zyrën e shefit të Partisë, një rreth i ngushtë njerëzish, ku për herë të parë shquhej Hekuran Isai për protagonizmin e spikatur, punonin me zell ditë e natë për të zbuluar deri në skutën e fundit tradhtinë e Hazbiut. Sakaq, ky i fundit vijonte normalisht daljet publike me të gjitha ofiqet partiake e shtetërore, pa menduar se diku nga dikush përgatitej regjia e tragjedisë vrastare. Sidoqoftë, sipas Kroit, kjo gjendje nuk ka zgjatur shumë. Në kujtimet e tij bëhet e ditur se Hazbiu është prezantuar për herë të parë me akuzën për tradhti dhe shërbime për agjenturat e huaja në mbledhjen e sekretariatit të KQ më 20 shtator 1982. “Mbledhja zgjati katër orë, shkruan shefi i kabinetit të Hoxhës në ditar, por Kadriu nuk nxori asgjë nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara dhe fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale.” Pesë ditë më vonë, sipas skemës së mirëmenduar, çështja “Hazbiu” është diskutuar në një mbledhje të jashtëzakonshme të Byrosë Politike. Përtej debatit të zjarrtë të konsumuar aty, i cili tashmë është bërë publik, Haxhi Kroi zbardh dy detaje interesante që zbulojnë paranojën në rritje te Hoxha. Duke iu referuar momenteve para zhvillimit të mbledhjes së Byrosë Politike, ai përmend porositë që kreu i Partisë i ka transmetuar atij drejtpërdrejt. “Kur të mblidhemi për çështjen e Kadriut, kujton ai këshillën e Enverit, në sallën e Byrosë Politike, merr masa që karriget e para të mos jenë afër simes, ndërsa ti të vish dhe të qëndrosh afër meje.” Përveç çështjes “Hazbiu”, një tjetër problem jo pak delikat, që ka zënë kreun e axhendës së Hoxhës në këtë periudhë, ka qënë reagimi dyshues i Vito Kapos mbi vdekjen e të shoqit, i cili kishte ndërruar jetë tri vite më parë në një klinikë në Paris. Haxhi Kroi përmend në ditar takimin e kësaj të fundit me shefin e Partisë më 27 shtator 1982 dhe kujton porosinë e Enverit në fund të bisedës për të zbardhur të plotë shiritin e incizuar me fjalën e tij. Nga blloku i sekretarit të Hoxhës, gazeta boton sot të plotë variantin e parë të fjalës së kreut të Partisë me qortimet e tij për të venë e Kapos lidhur me dyshimet e saj për vdekjen e Hysniut, një dokument ky që më vonë është redaktuar e përshtatur, por pa cenuar përmbajtjen…

DITARI I VITIT 1982

E shtunë 18 shtator 1982
Në orën 18:00 më thirri në shtëpi shoku Enver dhe më porositi që të njoftoja shokun Kadri Hazbiu që ditën e hënë, ora 10:00, ta priste në zyrë. Telefonoi që këtej nga studioja ime, më tha dhe ashtu bëra, po shoku Kadri nuk më doli në telefon. Në pritje që të dilte në telefon Kadriu, shoku Enver më dha që t’i lexoja disa materiale të hetuesisë të armiqve të vjetër Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dhora Leka etj. Mbasi mbaruam me këto, më porositi të marr prapë në telefon shokun Kadri, por përsëri ai nuk m’u përgjigj as në zyrë dhe as në shtëpi. Ndërkohë që po rrinim, shokun Enver e telefonoi shoku Ramiz dhe e vuri në dijeni se sonte po arrestojmë edhe mikun e komplotistëve të mëdhenj, Mehmet, Fiqret e Feçor Shehu, Nesti Nasen. Po i arrestojmë një nga një këta armiq, tha shoku Enver dhe vazhdoi: Pasnesër, në ora 10:00, me shokët Ramiz, Adil, Hekuran e Simon do të mblidhemi për çështjen e Kadriut në sallën e Byrosë Politike. Merr masa, më porositi, që karriget e para të mos jenë afër simes. Në mbledhje të vish edhe ti dhe të qëndrosh afër meje.

E hënë 20 shtator 1982
Shoku Enver thirri sot mbledhjen e sekretariatit të KQ. Veç sekretarëve, erdhën edhe shokët Adil e Hekuran për të shqyrtuar e përgatitur për Byronë Politike përgjegjësitë e anëtarit të Byrosë Politike, shokut Kadri Hazbiu, i cili duke punuar 30 vite me radhë në krye të Ministrisë së Brendshme, i rrethuar me elementë armiq e spiunë, e pakta që mund të thuhet, nuk ka nuhatur asgjë dhe nuk e ka ndihmuar asnjëherë Partinë për zbulimin e armiqve, në të kundërtën, të gjitha grupet armiqësore janë zbuluar nga Partia. Mbledhja zgjati katër orë. Shoku Kadri nuk nxori asgjë me rëndësi nga përgjegjësitë e tij, megjithëse u vu përpara fakteve shumë serioze të dokumentuara e fajeve të rënda të kryera në dijeninë e tij, të cilat ai i shpjegonte në mënyrë gjoja naive e sentimentale. U vendos që çështja e tij të shtrohet në Byronë Politike në mbledhjen e datës 25 shtator.

E mërkurë 22 shtator 1982
U bë mbledhja e Byrosë Politike, në të cilën raportoi shoku Enver materialin “Tablo sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore agjenturore të Mehmet Shehut”. U vendos që ky material, pasi të kalojë në mbledhjen e Plenumit, që do të bëhet më 24 shtator, të punohet në të gjitha mbledhjet e organizatave të Partisë. Me porosi të udhëheqjes, tok me shokët Ajet e Fatri, morëm masa për shtypjen e materialit të shokut Enver në shtypshkronjën ushtarake. Ndërkohë, punuam sipas porosisë që deponimet e armikes së Partisë Fiqrete Shehu t’i shumëzojmë në 40 shirita, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ky shirit u dëgjua në mbledhjen e Byrosë Politike dhe do të dëgjohet edhe në mbledhjen e Plenumit të KQ.
E premte 24 shtator 1982
Sot u mblodh Plenumi i KQ, që mori dijeni mbi veprimtarinë armiqësore shumë të rrezikshme të agjentit të shumë shteteve, Mehmet Shehu.
E hënë 27 shtator 1982
Kur mbaroi takimin me shokun Simon Ballabani, shoku Enver më porositi që të vinte aty shoqja Vito Kapo. Ajo erdhi dhe bisedoi me shokun Enver. Pas takimit, shoku Enver më dha për të zbardhur tekstin e bisedës që kishte bërë me të. E zbardha. Ishte një qortim që ai i bënte lidhur me dyshimet që Vito ka për vdekjen e Hysniut. Pasdite shkova për të takuar shokun Ramiz për probleme pune, por nuk mbarova punë, se ai nxitohej për të shkuar te shoku Enver. Më la komunikatën e Ministrisë së Brendshme për hedhjen dhe asgjësimin në vendin tonë të një grupi diversantësh në rrethin e Lushnjës, tekstin e së cilës do ta shikonte tani me shokun Enver dhe, po ta miratonte ai, t’ia dërgoja ATSH për botim. Në orën 18:00 më solli në zyrë autokritikën e vet ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, për gabimet që ka bërë. Ia dorëzova menjëherë shokut Ramiz, sa u kthye nga shoku Enver. Autokritika i drejtohet Byrosë Politike.
E martë 28 shtator 1982
Edhe sot shoku Enver doli shpejt. Ai ka mjaft punë me shokët, sidomos lidhur me pastrimin e kuadrit të dyshimtë apo të lëkundshëm në Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Punëve të Brendshme.
E enjte 30 shtator 1982
Sa dola në zyrë në orën 7:00, gjeta oficerin e shokut Enver me një zarf urgjent dhe tepër sekret për mua, që më dërgonte shoqja Nexhmije. Ishte një dorëshkrim i fjalës, që është duke përgatitur shoku Enver për mbledhjen e Byrosë Politike, ku do të diskutohet mbi fajet me pasoja shumë të rënda që ka kryer Kadri Hazbiu gjatë kohës 30-32 vjeçare që ka punuar në Ministrinë e Brendshme. Dorëshkrimi është i shoqes Nexhmije, ia ka diktuar shoku Enver. E shtypa shpejt e shpejt dhe u nisa t’ia lexoja shokut Enver se mos kishte për të bërë shtesa e korrigjime.
E premte 8 tetor 1982
Në orën 10:00 filloi mbledhja e Byrosë Politike për fajet e rënda të Kadri Hazbiut. Ajo vazhdoi edhe pasdite. Në fillim iu dha fjalë Kadriut, i cili u përpoq të mos tregonte asgjë, por të fliste në përgjithësi për përgjegjësitë e tij, pse në fakt çdo komplot armiqësor pas çlirimit e ka zbuluar Partia e shoku Enver dhe jo Ministria e Brendshme. Tani është e qartë që në këtë dikaster kanë qenë në krye banditë, kriminelë e spiunë shumë të rrezikshëm, si Mehmet Shehu e Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini etj. Po Kadri Hazbiu a nuk ish midis tyre?! Ky hiqej si njeri i mprehtë, i zgjuar, me përvojë të madhe në punët e Sigurimit të Shtetit, prandaj shpjegimet e tij para Byrosë Politike ishin justifikuese, të papranueshme, aspak bindëse. Askush nuk mund të pranojë që ky ishte një leshko. Sidomos fshehja Partisë e veprimtarisë së poshtër prej spiunësh të ndyrë që është bërë edhe me dijeninë e Kadri Hazbiut, duke vënë në dispozicion të KGB-së sekrete të një rëndësie të madhe, përbën një faj jashtëzakonisht të rëndë dhe tregon se ky nuk ka qenë jashtë kësaj valleje të ndyrë spiunësh. Byroja Politike vendosi përjashtimin e tij nga Byroja Politike dhe nga Plenumi dhe të shkarkohet menjëherë nga detyra e ministrit të Mbrojtjes. Poshtë tradhtia e tradhtarët!
E mërkurë 13 tetor 1982
Sot u mblodh Plenumi i KQ për të diskutuar mbi fajet e rënda të Kadri Hazbiut. Asnjë kthesë pozitive nuk bëri Kadriu. Autokritika e tij ishte një hap mbrapa nga ajo që bëri në mbledhjen e Byrosë Politike, ku ai u porosit të thellohej, të jetë i hapur që të ndihmojë Partinë dhe veten. Qëndrimi i tij në Plenum ishte provokues e arrogant e prej kapadaillëku. Më në fund, i nxori brirët djalli! Me qëndrimet e tij kundër udhëheqjes kryesore, Kadri Hazbiu doli hapur që ishte një nga elementët më të rëndësishëm të grupit të spiunit Mehmet Shehu. Prandaj shumë drejt veproi Plenumi që e përjashtoi nga radhët e veta, por edhe nga Partia.
E martë 16 tetor 1982
Sot shoku Enver mbush 74 vjeç. Për vizitë, sipas porosisë së shoqes Nexhmije, i shkuan vetëm anëtarët e Byrosë Politike.
E martë, 19 tetor 1982
Shoku Enver nuk doli në zyrë.
E mërkurë 20 tetor 1982
 Sot shoku Enver thirri në një takim të veçantë shokët Prokop Murra dhe Kiço Mustaqi. Kur po largohej në shtëpi në orën 13:30, më porositi se e ka regjistruar bisedën me ta dhe, meqë ka karakter sekret, ta zbardh vetëm unë.
E enjte 21 tetor 1982
Shoku Enver nuk doli në aparat.
E premte 22 tetor 1982
Sot shoku Enver erdhi në orën 9:45. Shkoi në takimin ditor, si gjithnjë, me sekretarët e KQ dhe qëndroi aty rreth dy orë. Shoqja Nexhmije erdhi dhe më kërkoi letrën që tradhtari Mehmet Shehu i kish dërguar majorit sovjetik, Ivanov, në vitin 1945, ku i fliste kundër Partisë dhe shokut Enver. Ajo kishte pyetur më parë shokun Enver dhe ky më tha që t’ia jap.
E hënë 25 tetor 1982
Sa erdhi shoku Enver në zyrë, më ktheu materialet e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe më porositi t’i them shokut Haxhi Lleshi se nuk do të marrë pjesë në mbledhje. Kur do largohej për në shtëpi, i dhashë një punim druri, ku ish gdhendur portreti i tij nga një punëtor lezhjan me rastin e 74-vjetorit. Ky quhet Bardhok Prenga. E pëlqeu. Shoku Enver më porositi ta falënderoj autorin dhe ky objekt t’i shkojë në shtëpi se do t’ia dhurojë djalit të Pranverës, që ka sot 6-vjetorin e lindjes.
E martë 26 tetor 1982
Me kujdesin e shokut Ramiz u gjet se qenka në arkiv një aparat që zmadhon shkronjat, shumë i përshtatshëm për nevojat e shokut Enver.
E hënë 1 nëntor 1982
Sa doli në zyrë shoku Enver, më tha të lija në zyrë shokun Ajet, të merrja me vete kapitullin e fundit të veprës “Titistët” dhe t’ia lexoja në zyrë. I lexova kështu rreth 40 faqe dhe diçka më shumë. Kur shoku Enver e pa që po lodhesha, më tha të ndërrohesha me shokun Ajet. Kështu bëmë. Ajeti i lexoi gati gjysmë ore. Pastaj erdhi shoqja Nexhmije, që kishte qenë në inaugurimin e Muzeut të Krujës dhe u larguan të dy. 
E martë 2 nëntor 1982
Shoku Enver nuk doli në punë. Në orën 13:00 më dërgoi shoku Hekuran një letër të mbyllur në zarf, që ia dërgon shokut Enver armiku Kadri Hazbiu. Ia çova shokut Enver. Pasdite, në orën 18:00, letrën e kësaj dhelpre që ka drejtuar për një kohë të gjatë organet e Punëve të Brendshme, sipas porosisë së shokut Enver ia ktheva shokut Hekuran.
E hënë 3 nëntor 1982
Shoku Enver më thirri në zyrë dhe më dha t’i lexoja edhe një herë letrën, që i kishte drejtuar Kadri Hazbiu. Asgjë nuk lë pa bërë ky armik i ndyrë, që më se tri dekada i ka shërbyer Koçi Xoxes e Mehmet Shehut për t’i bërë varrin lirisë e pavarësisë së Shqipërisë.
E premte 5 nëntor 1982
Shoku Enver nuk doli në zyrë.
E shtunë 6 nëntor 1982
Edhe sot shoku Enver punoi në shtëpi. I dërgova në shtëpi të daktilografuar kopjen e dytë të letrës, që i ka dërguar nga burgu armiku Kadri Hazbiu.
E hënë 15 nëntor 1982
Shoqja Tatiana Hoxha më tha se një kushëri i saj, inxhinier Farudin Hoxha, dëshironte të më takonte. E prita në orën 16:00. Më dha një letër për shokun Enver, ku e falënderon për besimin që i ka dhënë, duke e propozuar për t’u bërë ministër i Ndërtimit, por dëshira e tij është të mbetet inxhinier për projektimin e hidrocentraleve. Ia daktilografova letrën dhe nesër do ia jap shokut Enver..
E martë 16 nëntor 1982
Shoku Enver më porositi t’i telefonoja inxhinier Farudin Hoxhës, që i kishte bërë letër të mos e emëronin ministër, por nuk e gjeta. Në letrën e Farudinit shoku Enver kishte shkruar se do të bisedonte vetë me të për ta bindur se, edhe duke qenë ministër, do të jepte ndihmesën e vet për projektimin e hidrocentraleve.

vijon…

AFRIM IMAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura