Taulant Xhaka merr shtetësi shqiptare

Dec 19, 2013 | 12:15
SHPËRNDAJE

Taulant Xhaka është nënshtetas shqiptar. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka firmosur dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare mbrojtësit të Bazelit, i cili ka lindur në Prishtinë. Mesfushori me tipare mbrojtëse prej kohësh ka shprehur dëshirën që t’i bashkohet Shqipërisë dhe nga 2014-ta do të jetë në dispozicion të trajnerit Xhani de Biazi. Duhet thënë se Xhaka ka zhvilluar deri tani mbi 40 ndeshje me kategoritë e U-17, U-18, U-19, U-20 dhe U-21 të Zvicrës, por nuk është në planet e trajnerit të përfaqësueses A, Otmar Hitcfeld, sikurse vëllai i tij, Graniti. Kjo ka bërë që ai të synojë marrjen e një pasaporte shqiptare dhe më pas aktivizimin me ngjyrat kuqezi. Ashtu si në rastin e vëllezërve Boateng, të cilët luajnë me dy kombëtare të ndryshme (Kevin-Princ luan për Ganën, kurse Zherom për Gjermaninë), e njëjta gjë pritet të konfirmohet edhe për vëllezërit Xhaka: Graniti luan për Zvicrën, ndërkohë që Taulanti pritet të grumbullohet me Shqipërinë. Sakaq, duhet thënë se babai i Taulantit dhe Granitit, Ragip Xhaka, pat polemizuar keqas në shtator të 2012-s, para ndeshjes Zvicër-Shqipëri, me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Sipas tij, ky i fundit nëpërmjet njerëzve të Federatës pat kërkuar parà në këmbim të angazhimit të djemve të tij në Kombëtaren shqiptare. Por duket se së fundmi këto gjëra janë sheshuar, ndaj edhe Federata pat përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me pasaportë shqiptare të Taulant Xhakës. Tani mbetet që lojtari të grumbullohet nga tekniku i përfaqësueses, por gjithsesi para se të zbresë në fushë në një ndeshje zyrtare, ai do duhet të marrë edhe një leje nga FIFA, për arsye se është aktivizuar me të gjitha kombëtaret e moshave të Zvicrës, ashtu sikundër ndodhi edhe me Migjen Bashën, Vullnet Bashën, Amir Abrashin dhe Shkëlzen Gashin. Nëse do të grumbullohet me kuqezinjtë, Xhaka do të jetë kosovari i 47-të që do përfaqësojë një nga kombëtaret e Shqipërisë.

Ergys Kaçe
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka qenë në pankinë gjatë ndeshjes së djeshme të PAOK-ut në fushën e Atromitos, e cila përfundoi në barazim 1-1, por ai nuk luajti asnjë minutë. Megjithatë, është pozitiv fakti që më në fund Kaçe u rikthye në skuadër pas pezullimit në muajin shtator për shkak të një fotoje me fanellën me logon e UÇK-së. Dje ka luajtur në kampionat edhe Vila te Janina, në transfertën ndaj Olimpikaosit. Mesfushori luajti si titullar, ndërsa Andi Lila nuk ka qenë në këtë takim, pasi ishte i pezulluar me kartonë.

Cana – Berisha
Etrit Berisha nuk është stërvitur as ditën e djeshme te Lacio. Pas traumës në kokë që pësoi të shtunën e javës së kaluar, portieri i Kombëtares shqiptare është lënë sërish pushim dhe, sikundër raportojnë mediat italiane, nuk është stërvitur as dje me skuadrën e parë. Ndërkohë nuk ka pasur probleme për Lorik Canën. Ky i fundit u zëvendësua në pushim mes dy pjesëve në ndeshjen e fundit Lacio-Livorno për shkak të një gjendjeje gripale, por dje kapiteni i Kombëtares shqiptare është rikthyer në stërvitje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura