Sundimtari dhe dijetari

Nov 29, 2012 | 13:17
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

Fryma e çdo epoke historike, ndër të tjera, është përvijuar edhe nga marrëdhëniet që sundimtarët kanë pasur me dijetarët. Qysh nga antikiteti deri në bashkëkohësi, duke përmendur Aristotelin dhe Aleksandrin e Madh, Platonin dhe tiranin e Sirakuzës, Lajbnicin dhe Pjetrin e Rusisë, Volterin dhe Frederikun e Prusisë, Haidegerin dhe Hitlerin Xhentilën dhe Musolinin e shumë të tjerë, vërejmë se ka ekzistuar një raport ndërmjet sundimit dhe diturisë.
Komplekse po e po, por shpeshherë  tragjike kanë rezultuar këto bashkëjetesa. Gjithmonë të tilla kanë mbetur ato. Duket se sundimtaret kanë dështuar në përpjekjet për t’u bërë dijetarë e dijetaret për t’u bërë sundimtarë.
Ndonjëherë ata janë takuar në mes duke marrë nga njëri-tjetri të mundurën. Ndërsa të pamundurën e gjejmë në shumë libra si formë ideale qeverisjeje të realizuar në “ishuj të lumtur” apo në “qytete dielli”. Moor i pat vënë emrin “Utopia” jetës dhe qeverisjes së saj në një ishull të tillë. Mendimi utopik mund të zbulojë gjurmë të së ardhmes në të shkuarën dhe e tejkalon gjithmonë faktin duke pasur si qëllim të ardhmen.
Në qendër të mendimit utopik është nocioni i dilektikës si i patjetërsueshëm, i cili përfshihet në mënyrë efikase brenda kontradiktave që prezanton realiteti në sintoni me lëvizjen reale të historisë me qëllimin për të realizuar projektin utopik.
Vepra utopike në kulturën shqiptare ka, por lind pyetja a ka ekzistuar në historinë e Shqipërisë një binom kësodore, një “ishull i lumtur”, një raport ndërmjet një sundimtari dhe një dijetari, si ka qenë bashkëjetesa e tyre, ç‘rezultate pati?
Duke lexuar veprën e At Zef Pllumit “Frati i pashallarve bushatli”, përgjigjja është po. Kjo ka ndodhur në Shkodër gjatë sundimit të Mehmet pashë Plakut dhe të birit Karahmahmutit ose Karagegës. Dijetari është një mjek e frat françeskan. Jo rastësisht e pazakontë!
Teksti nuk është historik, por dëshmi mbi një dëshmi, rrëfim mbi një rrëfim. Histori e letërsi si funksion pa kufij të ndarë.
At Zef Pllumi në rininë e tij ka lexuar një kronikë  në arkivin françeskan apo kujtime të fratit Erazmo Balneo, por shkëputja e dhunshme e largon atë për disa dekada nga arkivi, i cili në vetvete bie pre e dhunës. Pas viteve ‘90 vihet në kërkim të kronikës, por nuk e gjen. Thotë që e rishkruan atë siç e mban mend, por shton që në titull “Kronikë ose gojdhanë”!? Atij i kanë mbetur disa shenja të burimit memuaristi, aq sa i lejon kujtesa…!
Gjatë kthimit te ky burim ia vlen të marrim parasysh që nga madhësia e hendekut midis ngjarjeve dhe kohës së shkrimit të tyre, varet në një shkallë të madhe edhe vërtetësia e të dhënave faktike, por edhe pikëpamja e autorit. Sa më i madh të jetë ky hendek kohor, aq më e madhe mund të jetë gjasa e gabimeve të kujtesës.
Largësia e kohës së shkrimit të kujtimeve nga përshkrimi i ngjarjeve shumëzon në kujtime gabimet e llojeve të ndryshme, madje, përpos harrimit të fakteve e detajeve, vihen re edhe deformime, të cilat në psikologjinë eksperimentale njihen me termin “mashtrime ëndërruese”, kur “në kujtesë mjegullohet e shkuara e largët, dhe e dëshiruara shitet si realitet”.
Një histori e treguar në këto rrethana, siç do të shohim, na shfaqet si projekt utopik, rrënjët e të cilit i gjemë te “Kujtesa e mjegulluar” jo pa dashje, një histori e rishkruar si testament utopiko-politik. Nga historia e vërtetë merr gjithçka i duhet për “historinë e tij” dhe lë jashtë gjithçka që i turbullon projektin. Utopikja shihet si projekt pozitivist me mundësi konkretizimi së paku për fratin françeskan. Utopia është që nga fillimi një fiksion e, si e tillë, e gjen fushën e vet më pjellore te letërsia. Letërsia e ndihmon Pllumin ta shohë të ardhmen si mundësi objektive.
Me “Fratin e pashallarve bushatli”, duke folur për të shkuarën, Pllumi ndërton “kohën e ardhme të historisë” sipas parimeve të cilat mund t’i përmbledhim si të etikës, të arsyes, të dinjitetit,  të së drejtës, të lirisë, barazisë e paternalizmit kristian, si dhe parimin e legjitimitetit parotoman. Bushatlinjtë nga Pllumi mendohen si një derë fisnikësh arbër që përqafuan islamin, por me vetëdije të fortë për përkatësinë shqiptare.
Nga historia dimë që “Shkodra” e bushatlinjve nuk ishte “një ishull i lumtur”, por një pashallëk i fuqishëm me të gjitha karakteristikat e një pashallëku otoman në kufi me çaste paqeje e tambure lufte, bashkëjetesë e vëllavrasje, vrasje e  intriga të brendshme për pushtet, por edhe momenti ku përsëpari pas gati 300 vitesh katolikët mund të  kenë disa të drejta. Të drejta që Pllumi i zgjeron duke i shndërruar në platformë të bashkëjetesës së përhershme.
Në kroniken e Balneut të këtij françeskani  që ngjan më shumë nxënës i Volterit sesa ndjekës i Shën Françeskut, i cili  hyn në oborrin bushatli me një “deux ex machina” ose një “mrekullie”   zbulojmë një sundimtar otoman në fillim të rrëfimit   tek i cili kultivohet një metamorfozë e pangjashme ndër pashallarë të tjerë, aq sa e shndërron në një nacionalist shqiptar në fund të tij.
Mehmet pashë plaku dhe i biri Karamahmuti, nën ndikimin e këtij mjeku që i shpëton dy herë, një herë jetën dhe një herë “ndërgjegjen”,   përkufizojnë me qartësi konceptin e atdheut dhe jo të pashallëkut.
Balneu, përfaqësues i këmbënguljes europiane mbi Shqipërinë ose i metaforës së saj, plazmon  identitetin e ri   te Karamahmut pasha. Perandoria otomane prej së cilës merr fermanin për të qenë sundimtar i Shkodrës shpaloset si armike e  shqiptarëve qysh asokohe nga dialogjet e Balneut dhe Karagegës.  “Aty kam me dekë, por kurrë nuk do t’i dorëzohem armikut të popullit shqiptar”, ose “kurrë nuk do të vesh rroba turke”. Kështu e  rrëfen Pllumi premtimin e pinjollit bushatli duke  nxjerrë në pah shenjat kombëtare.
Sipas një logjike utopike  dhe në kushtet kur në Shqipëri ka shenja të nostalgjisë dhe neotomanizmit,  Pllumi i vitit 2001 preferon të na rrëfejë se nga Balneu  ka gjetur këto  pohime të adresuara  Karahmamut Pashës, sipas të cilit: Skënderbeu  dhe Rolandi ishin modeli dhe ideali nga të cilët mori “shpirtin e lirisë”. Një ideal kësodore  do të thotë vetëm luftë me otomanet  dhe trashëgiminë e tyre që rrezikon shqiptarsinë,   fakt  ky  që  dy fretërit e  kanë për zemër.
Liria kombëtare dhe sundimi paternalist i princit shqiptar i frymëzuar nga koncepte si dija, urtia, trimnia, besa  e drejtësia, e konturojnë atë si një princ antimakiavel, i cili më shumë se nga realiteti duket i dalë nga Bibla dhe dëshira.
Bashkëpunimi me Europën nga e cila vjen kultura dhe shpëtimi,  është vetë marrëdhënia me françeskanin dijetar, por ajo shfaqet edhe nga një sistem i mirorganizuar detajesh si nëpërmjet lidhjeve tregtare Shkodër-Venedik, mësimit të  gjuhës latine e italiane si gjuhe kulture, leximit të “Historisë së Skënderbeut” të Barletit, të cilën pasha i ri nuk e heqka dore!?.
Te ky libër Pllumi shfaq bashkimin e  dashurisë me nevojën  për heroin kombëtar, vetëdijen dhe dëshirën  se rreth tij kombi ka identitet të qartë. Prezenca e tij e ndërtuar në një të kaluar relativisht të largët revokon aktualitetin e më shumë atë që vjen pas tij. At Zefi, Karamahmut  pashën e sheh si  përfaqësues të shumicës myslimane në vend, shumicë që e dëshiron  kaq të lidhur me Skënderbeun. Një lidhje e tillë shënjon komtarësinë mbi besimin, por edhe legjitimin e këtij besimi nga një besim më i vjetër në vend.
Pllumi ishte bashkëkohor në të kuptuar realitetesh e në përkufizimin e tyre.
Duke jetuar në një vend me dy besime të ndara në myslimanë sunitë dhe bektashinj, të krishterë ortodoksë dhe katolikë, Pllumi reformon nëpërmjet Balneut edhe pozicionet e ngurta dhe ndonjëherë paragjykuese të Kishës Katolike ndaj besimeve të tjera. Balneu rrëfehet  si  misionar fleksibël për  mënyrën se si e interpreton Ungjillin e vërtetë si formë dashurie dhe bashkëpunimi për vëllezërit myslimanë shumicë në këtë vend “pa ndërgjegjësimin e të cilëve nuk do të kishte kurrë pavarësi kombëtare”. Sipas kësaj kronike, “respektimi  i fesë së tjetrit dhe mospretendimi i anasjelltë për ndërrimin e saj” është çelësi i bashkëjetesës shqiptare, por edhe i kalimit në modernitet. Karamahmut pasha i Pllumit një sjellje të tillë në një moment të jetës e ka nevojë të brendshme shpirtërore, por edhe parim politik. Pllumi shpreson te lindja e kësaj nevoje të brendshme te   populli i tij.
Pllumi shfaq gjithashtu edhe një projekt që e tejkalon Shqipërinë “etnike” sipas tij, apo Erazmo Balneut që në këtë libër është edhe zëri i pashallarëve bushatlinj, krijimi i “konfederatës ilirike” do të ishte zgjidhja ideale. Sipas dyshes Pllumi-Balneu, kjo konfederatë  duhej të ishte  shtet i lirë, i drejtuem prej Karamahmutit, tek e  cila   do të përfshinte  banorët myslimanë, katolikë e ortodoksë me të drejta të barabarta kombësie, gjuhe e feje. Ndonëse sipas fakteve historike Karamahmuti u vra duke luftuar për pushtimin e Cetinës dhe jo duke bërë bisedime për shtetformim multietnik e multireligjioz.
Në një areal lokal, ai qytetit të zgjedhur prej tij, d.m.th. Shkodrës me të cilën është identifikuar kulturalisht,  i kujton se rilindja e qytetit ka filluar në momentin kur ai shfaqet në aleancë me malet e mëdha që ka përreth,  të cilat e kanë shpëtuar nga shumë tallaze. Jo e paqëllimshme kjo kujtese apo sugjerim në një kohë paragjykimesh dhe shpërthimesh izolacioniste të etniteteve të vogla lokale apo kombëtare të tipit, malok apo qytetar, Jug-Veri, toskë-gegë, kosovar-shqiptar.
Si rregull, në një situatë të tillë ndërkallet nocioni kontekst sepse çdo interpretim i tekstit, interpretim shkencor apo leximor, na shpie pashmangshëm të ky term. Studimi i kontekstit është një kusht i domosdoshëm i depërtimit në thellësi të veprës, një prej premisave më kryesore e arritjeve si të konceptit autorial të veprës artistike, ashtu edhe të intuitës parësore të procesit leximor. Kështu, në të shkuarën e “ritreguar” funksionalizohet fuqimisht e ardhmja e saj, e cila varet më së shumti nga pakti i dëshmimit, nga kodi etik me të cilin u mor përsipër të përzgjidhej, të gjykohej dhe të dëshmohej.
Shkodra e At Zef Pllumit  rrëfyer te “Frati i pashallarve bushatli” më shumë se një realitet historik është një utopi politike, por nga humusi i saj Pllumi rikrijon sundimtarin ideal, sa paternalist, aq edhe iluminist, vetëm europianist një përftim le të themi të “Frederikut të Prusisë” në modernitet.
Ndonëse në fund të historisë, si për të mos përgënjeshtuar dështimin e raportit sundimtar–dijetar, Balneu largohet për të shpëtuar kokën, kësaj rradhe jo i kërcënuar nga princi i cili paskësh qenë “pushtuar” mendërisht prej fratit, por prej popullit dhe pushtuesit që nuk ndan të njëjtat objektiva me  sundimtarin  e tij  tashmë “të ndryshuar” nga Balneu dhe Pllumi.
Pllumi kështu e ka shfaqur, por njëkohësisht e ka vënë në diskutim utopinë e tij gjatë së cilës me konsekuencë e udhëhoqi dijetarin atje ku desh, deri atje ku i mbërrin dëshira, shpresa e dyshimi.
Fiksioni për të shfaqet si hapësira e funksionimit të historisë. Ashtu sikurse e lejon të shkuarën të vërshojë bindshëm në të tashmen tonë, elementi fiksional ka cilësinë ekskluzive të vijushmërisë në kohë, të asaj vijueshmërie që na bind ne për ekzistencën e së nesërmes historike  të propozuar  nga një prift shkrimtar “misionar i rebeluar” i keqparë prej ndonjërit  të vetesh, që dëshmohej anarkist dhe që nga politika kuptonte shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura