Skemë e re dhe Batha si lider në mesfushë, Flamurtari argëtohet me Orikun me “poker” golash në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2024 | 9:30

Skemë e re dhe Batha si lider në mesfushë, Flamurtari argëtohet me Orikun me “poker” golash në miqësore

Flamurtari bind në miqësoren e parë. Kuqezinjtë udhëtuan në Orikum për të testuar veten dhe nuk u shkoi keq. Fituan me shifrat 1-4, duke bërë një paraqitje të kënaqshme në derbi e Bashkisë së Vlorës. Një mundësi e mirë për të provuar edhe tre blerjet e reja. E ndërsa Idriz Batha do ta niste si titullar, dy afrimet e tjera Arton Podrimcaku dhe Gersi Diamanti morën minuta në pjesën e dytë.

flamurtari

Trajneri Dritan Resuli ndryshoi modulin e lojës në këtë ndeshje, ndërsa provoi skemën 3-5-2. Në portë ishte Teqja, ndërsa para tij u rreshtuan Deliaj, Sidibe dhe Vitija. Në mesin e fushës u aktivizuan Hasa, Batha, D.Pjeshka, Vucaj dhe Beqja, ndërsa në sulm dyshja Oliveira-Leshi.

Oriku vinte pa ndryshime në formacion, por vetëm në pankinë. Për shkak se trajneri Sherif Idrizi gjendet në Itali për arsye familjare, në pankinë për këtë miqësore ishte përgatitësi i portierëve Argen Halilaj.

Flamurtari do ta gjente shumë shpejt golin. Oliveira shumë pranë zonës gjen të lirë Beqjan që nuk e ka të vështirë të shënojë në vetëm tri minuta nga starti i takimit. Por pas tetë minutash lojë, Beqja do të gjente dhe golin e dytë personal, kësaj here pas një shërbimi të Vucajt.

Rastet do të ishin të shumta nga kuqezinjtë, por do të mungonte finalizimi. Shpërdorime edhe nga Oliveira dhe Leshi, që nuk tregohen të saktë përpara portës. Pas minutës së 20-të, Oriku do të rriste lojën, por nuk do të kishte forcën kërcënuese ndaj kundërshtarit.

Në minutën e 33-të, Leshi do të shënonte edhe të tretin. Është sërish Vucaj që me një pasim të saktë do të asistonte për të riun vlonjat që do t’i çonte shifrat në 0- 3. Tri minuta nga fundi, Oriku përpiqet të kërcënojë dhe do të shënonte me Koreshin. Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e Flamurtarit.

Pas pushimit, trajneri Dritan Resuli do të bënte shumë zëvendësime, që nisnin nga porta me ulje në stol të Teqjas për t’i lënë vendin Kaloshit. Në fushë edhe Paulo Pjeshka, Podrimcaku, Bregova, Diamanti, Dalanaj dhe Haxhiraj. Kjo pjesë do të ishte më e barabartë, por orikasit nuk e gjejnë më rrugën e rrjetës.

Në minutën e 88-të Flamurtari do të shënonte edhe të katërtin. Sidibe gjen të lirë Danalajn që nuk do ta kishte të vështirë të shënonte.

Tashmë vlonjatët do të luajë ndeshjen e radhës miqësore përpara rinisjes së kampionatit, ndërsa të shtunën do të jenë në Lushnjë.

012145146515

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"