Shqipëria U-18 dhe historitë e pathëna të turneut në Kinë/ 9 ndeshje të zhvilluara dhe Gëzdari si aktor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 23:10

Shqipëria U-18 dhe historitë e pathëna të turneut në Kinë/ 9 ndeshje të zhvilluara dhe Gëzdari si aktor

Çfarë ishte ai turne futbolli i zhvillu ar në Republikën Popullore të Kinës në gushtin e vitit 1974? Cila ishte ajo përfaqësuese U-18 shqiptare, që në harkun një muaji, udhëtoi nga një qytet dhe një stadium në tjetrin, ku luhej ende nën sloganin “Rroftë miqësia”, ndonëse ajo marrëdhënie e pathyeshme me Kinën, sapo kishte nisur të krisej?!

KOMBETARJA U18

Kombëtarja U-18 para një ndeshjeje në Kinë. Në këmbë nga e majta: Th.Jançe (trajner), Mema, Baçi, Hyseni, Sejdari, Bushati, Starova, R.Resmja (trajner). Ulur nga e majta: Arra, Janku, Bakiri, Kushe, Metani.

Nga largimi i papritur nga ekipi i Agron Ballukut, te kartoni i parë i verdhë, blu xhinset, filxhanat, si dhe këngët “popullore italiane”, që edhe sot kujtohen me nostalgji nga disa prej protagonistëve që e përjetuan atë veprimtari. “Panorama Sport” sjell pas pesë dekadash historinë unike, të rrëfyer nga kapiteni i asaj kohe të Shqipërisë U-18, Sulejman Starova, golashënuesi Luan Metani, si dhe futbollistët Kreshnik Agolli dhe Edmond Gëzdari. Këtë të fundit, përveçse protagonist në fushë, e zbuluan në Kinë edhe si aktor filmi.

GRUMBULLIMI DHE NISJA PA MJEK

Jemi në vitin 1974 dhe përgatitjet e Kombëtares U-18 do të nisnin në muajin korrik, me grumbullimin në Hotel “Donika” në Tiranë, i njohur për të tilla qëndrime ekipesh. Trajnerë janë Thanas Jançe i Shkëndijës dhe Refik Resmja i Partizanit. 21 lojtarë, asnjë mbi moshë, protagonistë me skuadra si Shkëndija, Partizani, 17 Nëntori, Dinamo, etj.

KOMBETARJA2

Pekin, gusht 1974 në stadiumin “Punëtori”. Kombetarja U-18 e Shqipërisë, nga e djathta Starova, Hyseni, Sejdari, Baçi, Bushati, Bakiri, S.Mema, Kushe, Arra, Metani, V.Janku;

Portierë ishin Arjan Bakiri (Shkëndija), Bujar Sharra (17 Nëntori), Niko Qirko (Skënderbeu), mbrojtësit Sulejman Starova, Dion Kushe (të dy nga Shkëndija), Seit Hyseni, Millan Baçi (të dy nga 17 Nëntori), Ilir Papa (Skënderbeu), mesfushorët Sulejman Mema, Ardian Arra, Ferid Rragami (Shkëndija), Ilir Bushati (Partizani), Ferdinand Lleshi (Labinoti), si dhe sulmuesit Albert Sejdari, Vladimir Janku, Agron Balluku (Partizani), Kreshnik Agolli, Edmond Gëzdari (të dy nga 17 Nëntori), Luan Metani (Shkëndija), Kastriot Lleshi (31 Korriku) dhe Fatos Petani (Dinamo).

PEKIN

Grupi i futbollistëve kuqezi gjatë kohës së lirë në Pekin.

Stërvitja zhvillohej në stadiumin “Dinamo”, ndërsa nisja drejt Kinës u bë më 3 gusht. Përgjegjës ekipi ishte Manol Bozaxhiu, ndërsa shoqërues Sadik Mërhori, dy punonjës të sigurimit të shtetit, njëri për stafin, tjetri me sportistët, si dhe dy trajnerë. Nuk kishte as mjek dhe as masazhator. Bashkë me ekipin, FSHF e kohës dërgon edhe një arbitër, Lulzim Konçin, i cili ka qenë kryesor i FIFA-s.

FLAMURI

Dy skuadrat duke dalë në fushë para takimit në Shangai. Kapiteni Starova mban në dorë flamurin shqiptar.

Turneu filloi me 1 gusht dhe u mbyll më 13 shtator. U zhvilluan 8 ndeshje, me Shqipërinë që regjistroi 5 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Në Shënian, 1-0; në Can Cun humbja e vetme 2-3; Në Can Shan dy takime 3-0 dhe 2-0; Në Shangai me përfaqësuesen e qytetit 1-0, si dhe 1-1 me përfaqësuesen e ushtrisë; në Pekin dy takime: 1-1 me përfaqësuesen e Pekinit dhe 4-1 me ekipin kombëtar të të rinjve.

Nga UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"