Për ata që duan ta mbajnë futbollin jashtë politikës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2022 | 19:14

Për ata që duan ta mbajnë futbollin jashtë politikës

Nga ARTAN SHYTI
Sidomos kur vijnë zgjedhjet, kori i atyre që alarmohen se politika po “fut duart” në sport bëhet i zhurmshëm dhe piskama e disa prej tyre gati shurdhuese. Natyrisht, ky është një debat që nuk mund të bëhet kur pasionet e vetë zgjedhjes apo të zgjedhjes së atyre që na leverdisin më shumë janë në plan të parë. Por sot, kur, shyqyr zotit e kemi kaluar edhe dallgën e radhës së zgjedhjeve, është mirë t’i rikthehemi këtij “avazi”.

Artan-Shyti

Shkas për këtë bëhet intervista e Sep Blaterit, ish-presidentit të FIFA-s, rreth kalvarit të tij nëpër gjykata, së bashku me Platininë. Akuza për ryshfet dhe korrupsion, që u ngrit rreth tyre, megjithëse nuk u vërtetua, nxori në pah një element që duhet t’u mbyllë gojën përfundimisht atyre që akoma kanë iluzionin e ndërgjegjshëm apo janë bërtitës të paguar, se futbolli duhet të jetë një oaz ekstrapolitik.

Blateri pohon qartazi në këtë intervistë se caktimi i Rusisë si organizatore e Kupës së Botës 2018 dhe SHBA për edicionin 2022 kishte një objektiv politik jashtë sportiv, për të “bashkuar” fuqitë e mëdha botërore në futboll dhe për të dhënë një mesazh bashkëpunimi politik mes tyre. Pra FIFA, duke caktuar ku do të bëheshin Kupat e Botës, vendosi të merrte një mision të pastër politik për ta realizuar nëpërmjet futbollit.

‘Por plani i akordimit të Kupës së Botës për SHBA-në u prish nga ndërhyrja e qeverisë franceze për të favorizuar Katarin në shkëmbim të blerjes së miliarda dollarëve avionë nga ky shtet te Franca’- thotë vetë Blateri. Pra, Platini përdori ndikimin e tij që katër vota të vendosnin që Kupa e Botës të bëhej në Katar dhe jo në SHBA. Si një nder që ia kishte kërkuar Sarkozi(!?). Të gjithë e mbajnë mend që kjo e “tërboi” Amerikën dhe shërbeu si shtysë për denoncimin dhe ndjekjen penale të drejtuesve më të lartë të futbollit botëror dhe europian.

blater platini

Tani, nëse dikush mendon se kjo nuk është ndërhyrje politike, duhet të ketë probleme të mëdha me logjikën e tij…

Sporti ka qenë e do të jetë gjithnjë e më tepër një fushë shumë interesant për politikën. Të mbyllësh sytë përpara këtij realiteti dhe të kërkosh apolitizimin e sportit është ose miopi ose kultivim i interesave personale duke luajtur rolin e strucit…

Politikën nuk e shmangim dot nga përfshirja në sport. Zotësia është që ta kesh partnere dhe jo padrone. Aftësia është të jesh subjekt në bashkëpunimin me të dhe jo objekt i realizimit të interesave të saj, në dëm të sportit.

Ndershmëri është kur refuzon ndërhyrjen e saj të padrejtë në të gjitha rastet dhe jo që të kërkosh “ndihmë” kur të leverdis dhe të përdorësh apolitizimin kur nuk të leverdis.

Drejtues i sportit je kur kërkon nga politika dhe jo kur ke frikë apo bëhesh servil i saj.

Në çfarëdo forme të funksionimit të sportit, duam apo nuk duam, politika është aty.

Prandaj sporti duhet ta ketë të qartë se nuk “shpëton” dot nga marrëdhënia me politikën. Ai duhet, vetëm të ndajë mendjen se në cilin rol do të jetë në këtë marrëdhënie. Në rolin e shërbëtorit të nëpërkëmbur apo të bashkëpunëtorit të respektuar.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Blater tregon prapaskenat për Botërorin 2022: Mund ta organizonte SHBA-ja, por pasi Sarkozi i bleu Katarit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"