Luhet mesatarisht një herë në muaj/ Paradoks në “Air Albania”, vetëm 17 ndeshje në vitin 2022 (TABELA)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 12:51

Luhet mesatarisht një herë në muaj/ Paradoks në “Air Albania”, vetëm 17 ndeshje në vitin 2022 (TABELA)

Ngjarja më e fundit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” do të jetë prezantimi i projektit të KOKSH-it “Ekipet Sportive”, teksa dhe pak kohë më parë edhe FSHF-ja prezantoi projektin “Uniforma ime”.

air albania

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe sepse fundja të dyja kanë në thelb sportin, por paradoksi më i madh është qëllimi i asaj që është ndërtuar ky stadium: të luhet futboll.

Deri tani stadiumit më modern në vend çfarë nuk i kanë parë sytë. Nga ndeshje boksi, në Kuvend Kombëtar të PD-së, finale e Ligës së Konferencës apo edhe prezantime projektesh.

Stadiumi që ka pritur edhe ndeshjet e Kombëtares, pasi logjikisht është shtëpia e vet, por nëse bëjmë një bilanc që nga fillimi i këtij viti, në “Air Albania” janë luajtur vetëm 17 ndeshje nga kampionati vendës duke përfshirë këtu edhe Kupën e Shqipërisë.

Një numër tepër i ulët ndeshjesh, duke e ditur që shumica e tifozëve janë në kryeqytet dhe ndjesia kur shohin një ndeshje në “Air Albania”, është tjetër në krahasim me stadiumin “Selman Stërmasi”, që i mungon edhe ndriçimi.

Po për çfarë krenohemi me impiantin më modern në vend, kur ai pret një ndeshje në 20 ditë, duke llogaritur mesataren deri tani?

PROBLEMET – Një tjetër problematikë në këtë stadium ka qenë edhe bari i fushës, ku është ndërhyrë disa herë, madje dhe UEFA e ka marrë vetë në dorë përpara finales Roma-Fejnord.

Nëse lajmërohet se do të mbillet sërish fusha e stadiumit, prapë nuk është justifikim që deri tani, në muajin dhjetor, ndeshja e vetme që është luajtur në “Air Albania” është derbi Partizani-Tirana, ku nuk munguan edhe trazirat.

Ndërkohë, sezonin e kaluar, në pjesën e dytë të sezonit, duke nisur nga viti 2022, kemi parë vetëm 10 ndeshje në kampionat, kryesisht Tiranën kur luante si pritëse, pasi Partizani shpërngulej shpesh në “Elbasan Arena”.

Disa ndeshje luajti edhe Dinamo, u luajtën edhe tri ndeshje të Kupës, mes tyre edhe finalja e Kupës Vllaznia-Laçi.

Pas datës 30 mars, ndeshjet e radhës ishin vetëm tri, Tirana dhe Partizani në Europë dhe më pas, duke përjashtuar derbin, nuk gjejmë më ndeshje në këtë stadium.

NDESHJET (1)

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"