Elbasani në Superiore, qyteti feston pas 10 vitesh me flakadanë dhe birra pas fitores me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2024 | 8:23

Elbasani në Superiore, qyteti feston pas 10 vitesh me flakadanë dhe birra pas fitores me Apoloninë

Pritjes i erdhi fundi. Qyteti i Elbasanit do të përfaqësohet mes më të mirëve të futbollit shqiptar pas 10 vitesh mungesë, me AF Elbasanin që katër javë nga mbyllja e kampionatit siguroi matematikisht ngjitjen në Superiore. E krijuar vetëm tre vite më parë ky klub ka bërë historinë, duke ngjitur shkallët një e nga një nga niveli më i ulët dhe tani e sheh veten aty ku duhet.

elbasani

Ndaj Apolonisë u mjaftonte edhe një barazim për të prerë biletën për në elitë, por e bënë atë si duhet, duke fituar dhe njëkohësisht ruajtur vendin e parë në klasifikim. Pengu më i madh i kësaj arritje është fakti që 90 minutat vendimtare i luajtën në një stadium të boshatisur, me ultrasit që gjetën mënyra alternative për të mos i lënë vetëm, duke hipur mbi taracat e pallateve.

NDESHJA – Ekipet e nisin qetë ndeshjen dhe vetëm me kalimin e minutave vijnë edhe rastet e para. Trifoni në kampin mik dhe Hasani tek ai vendës, vënë në provë portierët respektivë, por goditjet e tyre nuk kanë forcën e duhur për të rrezikuar. Elbasani del gradualisht në sulm dhe një kombinim i bukur Greca – Hila për pak sjell golin, por goditja e mesfushorit pritet nga portieri Harizaj. Verdheblutë duket se vuajnë nga emocionet dhe nuk dalin në lojën e tyre, me të parën që mbyllet pa gola. E njëjta situatë edhe në fraksionin e dytë, me raste nga të dyja kampet, ku fierakët godasin dy herë edhe tranversën, duke dhënë iluzionin se do t’i prishin festën elbasanasve. Mirëpo, zëvendësimet e duhura nga Dede japin efekt në të 84-ën, ku krosimi i Klevis Kasës shfrytëzohet më së miri nga Ardit Hoxhaj dhe elbasanasit janë në delir. Me këtë tri pikësh, tani e shohim veten matematikisht në Superiore.

elbasani birra

FESTA – 10 vite pritje nuk janë pak për një qytet si Elbasani që jeton me futbollin dhe pas vërshëllimës së Juxhin Xhajës nis festa. Klubi pati menduar disa bluza me mbishkrimin “We are back” (ne jemi kthyer), për të nënkuptuar rikthimin në Superiore, të cilat i veshi e gjithë skuadra. Më pas, festë me birrë dhe shampanjë në fushë të gjithë bashkë si skuadër, për të pritur edhe mbërritjen e tifozëve që lënë taracat e pallateve. Me flakadanë në duar krijojnë atmosferën e munguar përgjatë 90 minutave, ndërsa më herët gjatë ndeshjes patën hapur edhe një banderolë: “S’ka dënim që na ndalon drejt rrugës për kampion”.

tigrat

Pas festës legjitime në stadium, skuadra u mblodh në një nga baret e qytetit për të festuar deri në mesnatë dhe e te pruar me ndonjë birrë më shumë. Festa e vërtetë është lënë në fund të kampionatit, pasi misioni do të quhet plotësisht i kryer kur të shkojnë në Superiore si kampionë dhe kurorëzuar si duhet një sezon gati perfekt.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"