Si do bëhet fushatë elektorale me kufizimet aktuale? Kushtetuesja afat një javë Komitetit Teknik, ja çfarë shfuqizon nga urdhri i Ministrisë

Mar 10, 2021 | 10:26
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese shqiptare mars 2021

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Republikane të Fatmir Mediut për mosndalimin e tubimeve elektorale. Kushtetuesja detyron Komitetin Teknik të Ekspertëve që të rishikojë brenda një jave nga data e shpalljes kohëzgjatjen e kufizimeve të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë për masat anti-Covid.

Anëtarëve të kësaj gjykate u është dashur plot një javë për të shqyrtuar dhe dhënë një vendim mbi kërkesën e PR-së.

“Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi: pranimin pjesërisht të kërkesës. Shfuqizimin e shprehjes ‘deri në një urdhër të dytë’, në pikën 1 të urdhrit nr. 633, datë 17.11.2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Detyrimin e organit kompetent të rishikojë kohëzgjatjen e kufizimeve, brenda një jave nga shpallja e këtij vendimi”, citohet në vendimin e Kushtetueses.

Kujtojmë që Komitetit Teknik ka vendosur muajin e kaluar vijimin e kohëzgjatjes së kufizimeve, që parashikon ndalimin e tubimeve elektorale. Kujtojmë se më 4 dhjetor 2020 Partia Republikane depozitoi në Gjykatën Kushtetuese një padi, ku kërkoi rrëzimin dhe shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, të datës 17 nëntor 2019, që ndalon grumbullime me më shumë se 10 persona, tubimet, mbledhjet partiake, ceremonitë martesore etj.

“Partia Republikane Shqiptare (kërkuesi), si parti politike e cila është aktualisht e angazhuar aktivisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 prill 2021, si dhe partitë e tjera opozitare, dëmtohen rëndë nga akti objekt kërkese, i cili ndalon specifikisht aktivitetin e këtyre partive dhe për pasojë, vetë esencën e ekzistencën e tyre si parti politike.

Akti objekt kërkese pengon specifikisht, në mënyrë drastike, kërkuesin dhe partitë opozitare në përmbushjen e rolit të tyre kushtetues si parti politike; pra si një faktor qendror i formimit të vullnetit politik të zgjedhësve. Për pasojë, akti objekt kërkese bie ndesh me parimet, të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, ndaj si i tillë duhet të shfuqizohet”, thuhej në kërkesën e PR-së depozituar në Gjykatën Kushtetuese.

Për vetë kreu e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kjo gjë është e papranueshme pasi cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë opozitën dhe fushatën e saj zgjedhore. Gjatë dorëzimit të saj, Mediu deklaroi se në emër të masave antiCovid, Kryeministri Edi Rama po tenton të karantinojë opozitën duke e penguar qëllimisht në fushatën e 25 prillit.

“Veprimtaritë e Edi Ramës tentojnë që të krijojnë karantinë për opozitën. Në një kohë që i ka lejuar vetes dhe përmes vlerësimeve të komitetit, që Parlamenti të mblidhet, qeveria apo dhe pushteti lokal të bëjë aktivitete mbi 10 veta dhe kufizon opozitën. Kjo është situatë e papranueshme, antiligjore. Nuk mund të ketë dy standarde për partitë politike apo dhe qytetarët. Të gjithë jemi njerëz përballë të njëjtin rrezik dhe duhet të zbatojmë të njëjtat rregulla”.

Gjatë ditëve të fundit kemi pasur një rënie të ndjeshme të gjobave të Policisë kundër politikanëve dhe subjekteve të biznesit ku organizohen takimet e tyre elektorale. Ajo që u vu re gjatë zbatimit të vendimit ishte gjobitja e disa drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa gjobat munguan për figurat e Partisë Socialiste, për takime të ngjashme me mbi dhjetë persona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura