Homazhe për aktorin Albert Vërria, pengu i tij roli në filmin për dosjet

Aug 18, 2015 | 9:50
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Homazhe në teatrin “Petro Marko” të Vlorës për nder të aktorit Albert Vërria. Kolegë, familjarë, të afërm dhe dhjetëra qytetarë, të njohur e të panjohur janë ndalur paraditen e sotme për të nderuar aktorin, ndarë nga jeta dje në mbrëmje. Një mesazh lamtumire ka postuar edhe kreu i qeverisë Edi Rama, shoqëruar me një foto të aktorit në rolin që i dha famë. “Lamtumirë Kapedan” shkruan Rama, në profilin e tij në FB. 

***
“Që të jesh aktor i mirë, të punosh në film a në teatër, duhet të lësh një dokument që të jetë i pavdekshëm. Duhet të lësh shenjë te publiku, ashtu siç ka ndodhur në rastin e të mëdhenjve të aktrimit shqiptar, si Mihal Popi, Kadri Roshi, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Prokop Mima, Sandër Prosi, Ndrek Luca, e shumë, e shumë të tjerë, të cilët pas vdekjes kanë lënë pas figura e personazhe të pavdekshme. Për mua ata do të jenë të gjallë gjithnjë”. Kështu do të shprehej vite më parë aktori Albert Verria, i cili u nda nga jeta dje në mbrëmje. 

Albert Verria
Albert Verria

Aktori që do të bëhej i pavdekshëm për rolin e Xha Sulos në filmin “Kapedani”, ashtu si të gjithë ata aktorë që ishin idhuj për të. “Aktorëve si ai, vdekja u merr të keqen”, do të shkruante vetëm pak minuta pas publikimit të lajmit të vdekjes, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Albert Verria u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare, pas një lufte njëvjeçare me një sëmundje të rëndë, ku edhe iu nënshtrua disa operacioneve pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Por, pavarësisht sëmundjes që e kishte detyruar që të shkëputej nga jeta artistike, aktori ëndërronte të luante edhe një rol të fundit në jetën e tij. Vetëm pak muaj më parë, ai do të shprehej për mediat se i ishte ofruar një rol në projektin më të ri filmik të skenaristit dhe regjisorit Andamion Murataj, “Contromano”, mbi temën e hapjes së dosjeve.

Në këtë film ai do të interpretonte rolin e një ish-të përndjekuri politik, i cili kërkon të përballet me persekutorin e tij për të mësuar arsyet e përndjekjeve të gjata në vitet e diktaturës. Fatkeqësisht, një rol që mbeti vetëm në dëshirat e regjisorit e të aktorit, që mori me vete një peng. 


kapedan
ROLET
Albert Verria la pas 110 role, në kinematografi e në skenën e teatrit. Shumë syresh mbeten të papërsëritshëm. Verria ishte një mjeshtër i ndërtimit të karaktereve. Një burrë me një shtat të vogël, me një mimikë mbresëlënëse, që arriti të realizojë e të bëjë të vetat role, që e tejkalonin moshën e tij. Fare i ri do të mishëronte rolin e plakut zevzek që nuk duronte të urdhërohej nga gratë, një bej që kërkon të “sabotojë” një koncert, një kapter fashist, një pseudoveteran…

Ishte vetëm 32 vjeç kur luajti rolin e Xha Sulos, falë të cilit “Kapedani” do të mbetet një film që do t’i rezistojë të gjitha kohëve. Karriera e tij si aktor nisi me rolet e Vehipit te “Familja e peshkatarit” në 1963, të fajdexhiut te drama “Rrënjët” e Kujtim Spahivoglit në 1969, Halil Shkoza te “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit etj., për të vijuar me të tjera karaktere që do të përvijonin më qartë portretin e tij si aktor karakteri, tepër i kërkuar nga regjisorët e kohës.

Mund të përmendim rolet e Hilukut tek “Operacion Zjarri” (1973), Soll Lili tek “Agimet e stinës së madhe”, Kaporal Pelegrini te “Në fillim të verës” (1975), Nuri Beu te “Koncert në vitin 1936” (1978), Kopi tek filmi “Rrethimi i vogël” (1986) etj.

JETA
Albert Verria lindi në Fier më 3 shtator 1936, në familjen e madhe tregtare Vërria, një ndër 5 të parat që zbritën në Fier nga Voskopoja në vitin 1796 dhe që do të themelonin qytetin e Fierit. Në Fier bëri shkollën fillore dhe të mesme. Rrugën drejt artit e nisi qysh kur ishte fare i vogël e arkeologu Hasan Ceka, që asokohe gërmonte në Apoloni, i tregonte për amfiteatrin dhe dramaturgjinë antike. Pasi mbaroi studimet e mesme për zooteknikë, Albert Verria punoi si zooteknik për dy vjet në Kukës e më pas, u rikthye në Fier si pedagog në shkollën e kuadrove bujqësore, pa harruar ëndrrën e fëmijërisë për të aktruar.

Në 1959 kur u hap për herë të parë në Tiranë shkolla për aktorë, “Aleksandër Moisiu”, Albert Verria ishte me punë në Berat, ku regjisori me emër, Viktor Stratobërdha, e ndihmoi në përgatitjen e monologëve dhe pantonimave të ndryshme. Konkurroi dhe fitoi studimet në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu” (1959- -1963).

U emërua aktor në Teatrin e Vlorës, duke nisur kështu karrierën e tij si aktor. Që nga viti 1979, Albert Vërria mban titullin “Artist i Popullit”. Në vitin 1991 doli në pension dhe në vitet e tranzicionit që kalonte arti skenik, iu kushtua të shkruarit. Në vitet e fundit të jetës, botoi e promovoi disa libra, si “Rrëfim paradoksal”, “Deshifrimi”, “Misteri” dhe “Deri kur”, ndërsa i mbetën, për mungesë financimi, ende të pabotuar librat e tjerë si “Homosapiens dhe i padukshmi”, “Universi, koha, materia”, “Fundi i pashmangshëm”. Para pak vitesh, hapi ekspozitën me 62 fotografi nga rolet e tij më të spikatura. 
ALMA MILE

Filmat dhe personazhet e luajtura nga Albert Vërria

Historiani dhe kameleonët (1988), Historiani

Trapi i Vjetër (2005), komedi

Misioni përtej detit – (1988)

Në emër të lirisë – (1987)

Rrethimi i vogël – (1986), shoku Kopi

Melodi e pandërprerë – (1985) bariu

Ditë të qytetit tim – (1982) (TV)

Agimet e stinës së madhe (1981), Soll Lili

Dëshmorët e monumenteve (1980), Tasi

Përtej mureve të gurta – (1979), babai i Asimes

Koncert në vitin 1936 – (1978), Nuri Beu

Nga mesi i errësirës – (1978) , Ibishi

I treti – (1978), Saliu

Thirrja – (1976), Lec Kabashi

Në fillim të verës – (1975) , Kaporal Pelegrini

Shtigje të luftës – (1974), Jani Ferra

Shpërthimi – (1974) xha Kasemi

Brazdat – (1973), babai Ademit

Operacioni zjarri – (1973), Hiluku

Kapedani – (1972), xha Sulo

Kur zbardhi një ditë – (1971), Bakalli

I teti në bronz – (1970), Alo

Përse bie kjo daulle – (1969), i deh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura