SHIFRAT/ “300 mijë euro duhet t’i japësh kryetarit për t’u bërë deputet, 500 mijë për kryetar bashkie”

Mar 19, 2018 | 14:02
SHPËRNDAJE

Ish deputeti socialist, aktualisht kryetar i partise “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima shkruan se per te marre nje mandat deputeti duhet t’i paguar kryetarin e partise ose sekseret prane tij deri ne 300 mije euro. 

Ne nje analize me titull “Fotot e kryetareve”, Kokedhima shkruan se nga 200-500 mije euro paguajne kandidatet per kryetar bashkie, nderkohe qe Tirana ka nje status tjeter.

NGA KOCO KOKEDHIMA

Është bërë “normale” tashmë që kryetarët e partive të vjetra shqiptare paguajnë qindra-mijëra dollarë për një foto me Barack Obama-n apo Donald Trump-in. Kërkojnë të blejnë nga pak nder! Duan t’u hedhin hi syve njerëzve, të dëshmojnë se janë shumë më të rëndësishëm se sa i vlerësojmë ne në këtë provincën tonë. Duan të manipulojnë veçanërisht militantët fanatikë të partive të vjetra që këta të fundit të turren me thika në gojë dhe të shqyejnë zgjedhjet dhe shtetin për t’i dhënë pushtet kryetarit të tyre të pander që do të sundojë në katër vitet që do vijnë! Paratë e kryetarëve të partive të vjetra janë para droge e kriminelësh.

Kokedhima

Ja pse shumë kriminelë i shohim në parlament, disa të tjerë fitojnë tenderat e qeverisë dhe të tjetë akoma emërojnë drejtorët e shtetit. Drejtorët mbledhin para gjatë ditës duke grabitur popullin, në mbrëmje i ndajnë me kryetarët e partive dhe padronët e tyre kriminelë. Për të punuar me fondet publike e përfituar koncensione duhet të paguash kryetarët e partive të vjetra me shuma marramendëse e pjesë të biznesit që shkojnë nga 20 deri në 50 për qind të kontratës apo të kapitalit.
Për të vënë kandidaturën për deputet në partitë e vjetra duhet të paguash kryetarët, sekserët dhe ortakët e tyre që mund të jenë sekretarë të përgjithshëm, nënkryetarë, kryetarë grupi, ministra apo ish-ministra etj, me shuma nga 200 deri në 300 mijë euro. Dëshiron të vësh kandidaturën për kryetar bashkie? Duhet të paguash si më sipër kryetarët e partive të vjetra nga 200 mijë deri në 500 mijë euro. Bashkia e Tiranës ka situatë tjetër. Fondet që mblidhen ilegalisht dhe nëpër xhepa nga kryetarët e partive të vjetra dhe kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë shkojnë në mbi 30 milionë euro. Fiton apo i humbet zgjedhjet partia, kryetarët fitojnë gjithmonë miliarda lekë.
Prania e financimeve ilegale të partive të vjetra nga polet e huaja që nuk janë dashamirëse të paqes, të kursit euroatlantik dhe të interesave të Shqipërisë, është bërë një temë debati me ndjeshmëri gjithnjë e më të lartë në mjediset tona. Partitë e vjetra dhe kryetarët e tyre janë sot kështjella të krimit dhe të mafies. Në këto 25 vite shkatërruan zgjedhjet dhe liritë politike, lirinë e tregut dhe të konkurencës, i dhanë fund sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, grumbulluan të gjitha pushtetet në duart e konjukturës së kryetarëve të dy-tri partive të vjetra, rrëzuan republikën që ëndërronin qytetarët dhe vendosën sundimin shtypës të tiranisë së krimit dhe të korrupsionit; mbyllën çdo hapësirë për partitë e reja dhe përtëritjen e elitës politike në rrugë paqësore; komisionerët e numëruesit e tyre, së bashku me institucionet e shtetit vjedhin, blejnë, manipulojnë dhe deformojnë votën e popullit. Sundimtarët e rinj vetëm grabisin çdo ditë pa mëshirë popullin dhe pasuritë e tij, rrisin borxhin publik dhe taksat në një vend që nuk ka prodhim, ekonomi reale dhe eksporte.
Është e qartë se Shqipëria ka dështuar që të vendosë demokracinë dhe partnerët e saj perëndimorë nuk po kanë një interes të dukshëm që vendi ynë të çlirohet nga konjuktura e kryetarëve të partive të vjetra. Ka 25 vjet që Shqipëria bën zgjedhje që janë ku e ku më pa integritet dhe më të pabesueshme edhe se pseudozgjedhjet që bënte rregjimi i kaluar monist. Partnerët tanë ndërkombëtarë financojnë dhe mbajnë në këmbë rregjimin tiranik të Tiranës dhe çertifikojnë si progresive vazhdimisht zgjedhjet tona të palira, pa standarde dhe jo demokratike. Po të bëheshin këto zgjedhje në një vend perëndimor, ai vend do të zhytej në flakë, në zjarr dhe në kaos.
Nëse nuk do të zhvillohen tri reforma të thella të sistemit politik, Shqipëria mund të shkojë në eksplozione sociale dhe në destabilizim. Besojmë plotësisht në vullnetin e mirë të partnerëve tanë perëndimorë për të luftuar korrupsionin dhe krimin përmes reformës në drejtësi. Por pa reforma të thella politike reforma në drejtësi do të rezultojë zhgënjyese, Shqipëria do të kalojë nga tirania anarkike e krimit dhe e korrupsionit, në tiraninë gjyqësore të krimit dhe të korrupsionit. Kjo është arsyeja se pse qeveria jonë e korruptuar deri në palcë kërkon ta paraqesë si çudibërëse reformën në drejtësi dhe ka shmangur si djalli temjanin reformimin e zgjedhjeve, partive dhe sistemit politik në tërësi. ZGJIDHJA kërkon reformimin e zgjedhjeve, përfshirjen e teknologjisë elektronike në to, çlirimin e tyre nga administrata e partive, presioni i pushtetit dhe përdorimi i burimeve shtetërore.
ZGJIDHJA ka një platformë të qartë për të mos lejuar që konjuktura e dy-tre kryetarëve të partive të vjetra të vazhdojë të mbajë të kapura partitë, qeverinë, ekonominë, tregun, mediat, drejtësinë, parlamentin, gjithçka. Pa ndarje reale e të qartë të pushteteve, vendi ynë nuk do ketë kurrë liri e drejtësi për njerëzit e tij të ndershëm.
ZGJIDHJA kërkon një rreformë të thellë për kontrollin e rreptë të financimit të partive politike, ndarrjen e tyre nga paratë e krimit, nga shitja e posteve të përfaqësuesve të popullit, nga financimet e errëta të drejtpërdrejta ose të tërthorta të interesave të huaja dhe lobeve antishqiptare dhe nga kryetarët që pasurohen duke kapur partitë dhe duke i shndërruar ato nga pasuri kombëtare e organizata politike me standarde që duhet të ishin, në ndërrmarrje private fitimprurëse të kryetarëve. Kryetarët e partive të vjetra do vazhdojnë çdo vit të risin çmimin e një fotoje me presidentët e Amerikës deri në 1 mln USD e më shumë për të blerë pak nder për vete dhe pak inspirim për hordhitë e militantëve të tyre trutharë që mbajnë në pushtet këta shtypës e kusarë të popullit tonë. ZGJIDHJA në pushtet do të ndalojë me ligj kryetarët e partive që të lobojnë e paguajnë nëpër botë për pushtetin e tyre personal apo për partitë e tyre, për të bërë foto apo për të ndikuar zgjedhjet në Shqipëri. Kush do bëjë gjëra të tilla duhet të shkojë në burg! ZGJIDHJA do të lejojë vetëm lobime për interesa specifike e të qarta të shtetit dhe të kombit shqiptar, të rregulluara, kryera dhe monitoruara nga institucionet e ngarkuara me ligj, por kurrë për të retushuar imazhin e pushtetarëve tanë të korruptuar, kurrë për të mundësuar ndërhyrjen e të huajve në zgjedhjet dhe qendrat vendimmarrëse politike shqiptare. Gjatë zgjedhjeve partitë e vjetra hedhin shuma marramendëse parash nga burime ilegale për të deformuar vullnetin e popullit dhe për të ndikuar, kushtëzuat e kontrolluar vendimmarrjen e qeverisë dhe parlamentit. Përfshirja e disa prej financuesve të partive politike nëpër listat zgjedhore dhe në funksione të larta administrative ka si synim blerjen e funksioneve publike, me qëllim grabitjen e financave të shtetit. Depërtimi i parave nga interesa të huaja në zgjedhjet dhe partitë shqiptare mund të ketë qenë dhe të jetë edhe në të ardhmen me pasoja të rënda kundër shtetit dhe kombit tonë. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë rrethanë. Prandaj, transparenca e të ardhurave dhe shpenzimeve për çdo parti duhet të kryhet në çdo vit fiskal. Është e vërtetë se kemi një ligj të tejkaluar dhe pa vlerë për financimin e partive. Nuk ka kontroll mbi raportimin dhe pasqyrimin e fondeve; nuk ka limit dhe transparencë për donacionet private e të huaja, si dhe nuk ka limit për shpenzimet e fushatave elektorale. Të gjitha këto duhet të vendosen në Kodin e ri Zgjedhor dhe në Kodin Penal të Shqipërisë. Nevojitet një ligji i ri për të gjitha aspektet e financimit të politikës; partive si organizata, aktiviteteve politike, si dhe fushatave zgjedhore. ZGJIDHJA kërkon ta ndryshojë këtë realitet që mban peng qytetarët, votën, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. Kjo arrihet vetëm duke i përmbysur partitë e vjetra me forcën e bashkuar të qytetarëve të Shqipërisë rreth programit të ZGJIDHJE-s.
#BashkohuniMeZgjidhjen

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura