“Shën e Premte”, kisha që i rezistoi kohës e komunizmit

SHPËRNDAJE

Kisha "Shën e Premte" në Kavajë

Në rrugën që të çon në fshatin Çetë të komunës Helmas, nuk do të mund të kuptoje aspak se je nisur drejt njërit prej objekteve më të hershme të kultit  jo vetëm të Kavajës, por dhe në mbarë vendin. Asnjë shenjë, asnjë tabelë përgjatë rrugës që të dëshmojë për rëndësinë historike, arkitekturore e artistike të këtij objekti kulti. Vetëm dy kilometra larg qendrës së qytetit, majë një kodre në lindje të tij, ndodhet kisha Shën e Premte. Ky objekt i kultit ortodoks mendohet të jetë rreth 750-vjeçar. Kisha e fshatit Çetë është i vetmi monument kulture, i stilit romano-gotik në Shqipëri, që ka mundur t’i rezistojë shkatërrimit klimaterik ndër shekuj, luftërave, si edhe epokës armike e rrafshuese të komunizmit. Atje ku historia zhbëhet nga dorëshkrimet nisin legjendat…
***
Kisha e vjetër ndodhet mes kurorave të mëdha me ullishte në kodrat e Çetës. Rikonstruksioni i fundit në pjesën e jashtme e ka “freskuar” disi panoramën e ndërtesës shekullore. Sapo futesh brenda, shikimi drejtohet në faqet e mureve.Pikturat shumën-gjyrëshe të vëllezërve Zografi kanë zbukuruar me mesazhe biblike e personazhe hyjnore të katër faqet e sallës gjysmë të errët. Në pjesën e altarit humbet… Pikturat aty janë punimi më i bukur në krejt faqet e murit. Efekti i kohës ka filluar të ndihet mbas kaq shumë shekujsh. Një hije trishtimi të rëndon po aq sa edhe rëndësia artistike e punimeve në mur, teksa i sheh të nxira nga pluhurat e tymi. Organet shtetërore janë mjaftuar vetëm me shpalljen monument kulture që në vitin 1963. Qysh atëherë nuk i është bërë asnjë lloj ndërhyrjeje dhe pamja zbehet çdo ditë e më shumë, nga efekti i kohës apo nga ndonjë zjarr i shkaktuar nga qirinjtë e ndezur. “Zjarri që ra së fundmi, rrezikoi të prishte thuajse të gjitha pikturat, – tregon Pandi Pirro, personi i caktuar për shërbesat në kishë. – Ky famëkeq, pasi gjeti shteg në portën e drunjtë në faqen veriore të kishës dhe thuajse shkatërroi gjithçka të pikturuar aty, përshkoi çatinë e drunjtë duke rrezikuar edhe pikturat në altar”. Por jo vetëm ngjarjet aksidentale kanë dëmtuar kishën. Sipas historianit Rifat Hoxha, ikonostasi i Kostandin Shpatarakut, që dikur ndante pjesën e altarit me naosin, një prej vlerave më të mëdha artistike u zhduk nga kisha vite më parë.
***

Pikturat murale brenda kishës

Legjendat e kanë veshur historinë e ndërtimit të kishës me gjithfarë mrekullish, ndërsa studimet historike e arkitekturore herë i afrohen gojëdhënave e herë vijnë me histori të reja interesante, që e tejkalojnë periudhën e pushtimit anzhuin të shekullit XIII, kohë në të cilën hidhen më së shumti hipotezat e ndërtimit të kishës. Megjithatë, historia mban ende të fshehta kohën e saktë të ndërtimit, emrin e mëparshëm të kishës, rolin dhe funksionin që ka luajtur ajo fillimisht. Punimet e stilit romano-gotik të çojnë në periudhën e vendosjes së Urdhrit Domenikan dhe Françeskan në zonën e Durrësit. Gjatë kësaj kohe u ndërtuan një varg kishash në këtë stil në të gjithë Shqipërinë e Mesme, e deri edhe në disa zona të Veriut. Sipas historianit Hoxha, kisha e fshatit Çetë mendohet të jetë e fundit e këtij stili e ndërtuar për nga drejtimi i Jugut, por sot e vetmja e këtij stili që i ka rezistuar shekujve. Dokumentacioni më i vjetër historik daton më 1691. Kjo periudhë njihet si koha e kalimit nga kishë katolike në ortodokse. Ndonëse u bënë rikonstruksione, shumë elemente romano-gotike vazhdojnë të ruhen ende sot. Vëllezërit e famshëm korçarë Zografi pikturuan në miniaturë të katër faqet e kishës. Ndërsa Kostandin Shpataraku kontribuoi me rreth 16 ikona, ndër të cilat edhe ikonostasin tashmë të zhdukur. Në gjendjen e sotme, kisha përbëhet nga altari, narteksi dhe naosi. Ndërtimi i një figure dielli (formë rrethi) me gurë në dyshemenë e kishës ka ngjallur interesin e shumë studiuesve. Ky simbol, sipas arkeologut Afrim Hoti, të çon në hipotezën se objekti i kultit duhet të jetë akoma më i hershëm se shekulli XIII, pasi simboli i diellit lidhet me paganizmin.
***
Atje ku dokumentet historike mbarojnë, nisin legjendat. Ato flasin për kalorës që përshkonin rrugën “Egnatia” buzë kishës drejt Kostandinopojës. “Sipas gojëdhënave, ishin tre kalorës që shkonin drejt Kostandinopojës ata që e ndërtuan kishën”, tregon Rifat Hoxha. Kryqtarët që përshkonin rrugën “Egantia”, ishin nisur për të çliruar Jerusalemin dhe varrin e Krishtit. Aty në kodrën e fshatit Çetë ata kaluan natën. Në mëngjes i kishin rrëfyer njëri-tjetrit ëndrrën e njëjtë të parë nga secili prej tyre. Shenjtorët i kishin kërkuar të mos niseshin për rrugë pa ndërtuar aty një kishë. Vendi i mirë do t’u vinte në ndihmë mjaft njerëzve… Sanije Derjaji, 83-vjeçarja që banon thuajse ngjitur më ndërtesën e kishës, di tjetër histori për ndërtimin e saj. Legjenda e Sanijes ngjan me vetë historinë e shenjtores Parashqevi (Shëna Premtja). “Vajza e re e kishte shtëpinë këtu afër. I tha të atit se kishte vendosur të mos martohej kurrë dhe iu lut atij t’i ndërtonte një kishë ku do kalonte jetën duke u shërbyer të gjithë njerëzve në nevojë. Kur vajti të ndizte qirinjtë, i thanë se ata ishin ndezur vetë”, tregon e moshuara. Sipas nënë Sanijes, gjatë atyre viteve njerëzit që kishin halle apo që ishin të sëmurë, vinin fshehurazi të luteshin në kishë. “Njerëzit kishin shumë besim në atë vend të mirë, vinin nga ana e anës”, tregon gruaja e moshuar, e cila e mirëmbante objektin në ato vite. E moshuara tregon se në kishë kanë sjellë njerëz të sëmurë, që nuk shihnin e nuk dëgjonin, por pasi kanë qëndruar një natë në kishë, të nesërmen ishin të shëruar.

Kisha u mbrojt nga banorët
Kisha e shpallur monument kulture në vitin 1963 thuajse ia hodhi vendimit të vitit 1967, kur u vendos nga sistemi unifikues i komunizmit të shkatërroheshin të gjitha objektet e kultit fetar. Megjithatë, sipas historianit Rifat Hoxha, kishën më së shumti në këto vite e kanë ruajtur vetë banorët e zonës, të cilët ndonëse ishin të besimit mysliman, kundërshtuan me forcë shkatërrimin e kishës. Objekti, i ruajtur me fanatizëm prej shtatë shekujsh, humbjen më të madhe e ka gjatë viteve të fundit. Ndonëse i shpallur monument kulture, mungojnë fondet shtetërore për mirëmbajtjen dhe studimet më të thelluara për historinë e saj.

KAVAJE/ HAMIDE SARAÇI

Te lidhura

 

1 KOMENT

Comments are closed.