Rigjykohet supermashtruesja

May 9, 2011 | 9:01
Albana Lazaj në gjykatë

Prokuroria e Tiranës ridërgon në Gjykatë me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, Albana Lazajn, gruan që u bë protagoniste e një supermashtrimi pak vite më parë në organet e drejtësisë.Më 5 maj 2011, dosja penale ndaj të akuzuarës Albana Lazaj së bashku me një person tjetër, Prend Kola, është dorëzuar në Gjykatën e Tiranës. Akuza e ngritur ndaj dy personave është “mashtrim me pasoja të rëndë”, “shpifje për shkak të detyrës” dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale”. Siç bëhet e ditur në faqen e Gjykatës së Tiranës, shorti ka caktuar si gjyqtar të çështjes Besnik Hoxhën. Albana Lazaj u bë e njohur në vitin 2007, për shkak të implikimit të saj në një çështje delikate mes Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda. Më 17 tetor 2007, policia e Tiranës do të deklaronte se seksioni i Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko–Financiar realizoi arrestimin e shtetases Albana Fran Lazaj, 34 vjeçe, banuese në Tiranë. Arrestimi i saj, sipas deklaratës së policisë, u bë pasi me anë të mashtrimit dyshohet të ketë përvetësuar shumën e parave prej 150 000 euro nga shtetasit Agim Sinan Bonaca, Ferit Kazi Ferhati, duke u premtuar lirimin nga burgu dy të pandehurve E.Sh dhe E.F, nëpërmjet dhënies së këtyre shumave tek drejtuesit e organeve kompetente të drejtësisë. Në fakt, arrestimi i Albana Lazes u bë në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo kishte shkuar aty me pretendimin se do të takohej me prokurorin, emrin e të cilit e kishte përmendur në mënyrë abuzive dhe të paligjshme në kontaktet e saj informale, por pikërisht në momentin kur prokurori në fjalë mori dijeni për këtë abuzim të rëndë me emrin e tij, menjëherë njoftoi sallën operative të policisë së Tiranës. Efektivat blu mbërritën në Prokurori dhe arrestuan në flagrancë shtetasen Albana Laze. Nga hetimi, më pas rezultoi se një shumë rreth 25 mijë euro nga ato që ajo kishte përvetësuar, i kishte përdorur për pronësimin e një lokali pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Për këtë shkak, ndaj të dyshuarës u ngrit edhe akuza e pastrimit të produkteve të veprës penale. Më 23 prill, Gjykata e Tiranës e shpalli fajtore Albana Lazajn dhe e dënoi atë me 12 vjet burg, por më pas dosja penale u apelua dhe gjykatat më të larta vendosën rikthimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Tiranës. Për këtë shkak, Prokuroria tërhoqi dosjen edhe një herë e pas plotësimit të kërkesave të gjykatave më të larta çështja u dërgua për rigjykim në Gjykatën e Tiranës.           tr.so

Deshmia

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës për dënimin e Albana Lazajt me 12 vjet burg, citohet se ajo është shprehur në dëshminë e vet se “.. Unë 150.000 eurot nuk i mohoj, nuk janë marrë me dhunë. Janë marrë dhe janë prishur. Janë marrë për të nxjerrë nga burgu Emiljano Sh…” Gjithashtu, në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Apelit Tiranë në dt. 08.11.2007, e pandehura veç të tjerash është shprehur, fiksuar në procesverbal “…Jam penduar sa kam bërë…”.

150 mije
euro është shuma që ka përfituar Albana Lazaj nga dy shtetas, duke u premtuar lirimin e tyre personave të familjeve, që interesoheshin për të ndihmuar të akuzuarit për vepra të rënda penale

Gjykata: Si u krye mashtrimi 150 mijë euro

Gjykata e Tiranës është shprehur në vendimin e saj të prillit 2009, se duke gënjyer në mënyrë sistematike shtetasit Agim B, Ferit Ferhati, ka përfituar prej tyre shumën e 150.000 eurove. Ajo që në fillim të premtimit i ka mashtruar shtetasit e mësipërm me qëllim përvetësimin e parave. Sipas Gjykatës, gënjeshtra që ka përdorur, sipas të cilës kishte akses tek titullarët e organeve te drejtësisë, ka qenë në funksion të marrjes së parave me qëllim për të mos i kthyer më. “Me paratë qe u ka marrë këtyre shtetasve, ajo ka likuiduar personat e tjerë të cilëve u kishte marrë borxh më parë. Në këtë mënyrë e pandehura duke gënjyer shtetasit Agim Bonaca dhe Ferit F e duke marrë prej tyre shumën prej 150.000 euro ka konsumuar elementet e veprës penale të mashtrimit në dem të disa personave dhe që ka sjellë pasoja të rënda”, thuhet nga gjykata.

© Panorama.al

Te lidhura