Rama pret përfaqësuesit e LGBT: Po bashkëjetesës, por jo martesave

May 23, 2013 | 17:34
SHPËRNDAJE
Rama gjate pritjes se sotme

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka pritur dje në një takim Kristi Pinderin dhe Xheni Karajn, përfaqësuesit e komunitetit “Lesbike, Gej, Biseksual dhe Transgjinor”. Gjatë këtij takimi, sipas përfaqësuesve të LGBT-së, Rama u ka deklaruar se është pro bashkëjetesës së të njëjtit seks, por për çështjen e martesave gej kreu i PS-së ka deklaruar se për këtë çështje duhet përgatitur më parë shoqëria. “Kreu i socialistëve u shpjegoi aktivistëve se Shqipëria ka nevojë për një debat emancipues në lidhje me LGBT. Zoti Rama është pro të drejtës së bashkëjetesës, kurse në lidhje me çështjen e martesave mes së njëjtës gjini pranoi se më parë duhet përgatitur shoqëria dhe duhet përgatitur terreni për të pasur debate të frytshme dhe sidomos informim. “Shoqëria mund të mos jetë asnjëherë gati, por është roli i liderëve që ta ndihmojnë dhe ta përgatisin atë”, ishin të mendimit Karaj dhe Pinderi”, thuhet në njoftimin e LGBT. Pinderi dhe Karaj janë shprehur se prej PS-së komuniteti i tyre ka pritshmëri të larta për t’i dhënë fund diskriminimit. “Në grupet tona sociale dhjetëra pjesëtarë të komunitetit LGBT kanë pritshmëri të larta ndaj PS. Ata janë të vëmendshëm për çdo gjë që ju thoni dhe sigurisht do të ishte zhgënjim shumë i madh në rast se ju nuk mbështesni publikisht të drejtat e LGBT si një grupim që jeton ende mes frikës dhe izolimit”, u shprehën përfaqësuesit LGBT-së. Sipas tyre: “Zoti Rama u shpreh që në fillim se ka qenë ndër të parët që ka folur për çështjet e LGBT që në fillim të viteve ’90, “atëherë kur këtu të quanin homoseksual nëse flisje për çështje të tilla”, thuhet në njoftimin për shtyp të komunitetit LGBT-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura