Rama në Shkodër sulmon Ademin e PD: Kandidaten e PD-së s’e njoh, nuk e di kush është as si fytyrë

May 4, 2015 | 7:20
SHPËRNDAJE

“Shkodrës i duhet Keti Bazhdari”. Kështu u shpreh Kryeministri Rama në takimin prezantues të kandidates së maxhorancës për Bashkinë e Shkodrës, në prezencë edhe të kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Gjatë takimit me banorë të Shkodrës në qendër të qytetit, Rama tha se “vota për Keti Bazhdarin është votë për Shkodrën”.

Rama dje në Shkodër

Duke treguar garancinë që qeveria do t’i jepte Bashkisë së Shkodrës në të ardhmen, Rama tha se kandidatja e Partisë Demokratike nuk mund ta ndihmojë qytetin e Shkodrës.

“Shkodra ka një specifikë. Eshtë garë mes dy zonjash që janë pjesë e këtij komuniteti dhe duhet vlerësuar gara për atë që janë, atë që thonë dhe atë që duket se mund të bëjnë. Unë nuk kam asnjë gjë me kundërshtaren e Keti Bazhdarit, por di të them që kandidatja e PD-së nuk mund të ndihmojë qytetin. S’kam çfarë të them për të, nuk e njoh, nuk e di kush është. Edhe figurën nuk ia mbaj mend, se nuk kujtohet ndonjëherë që ka thënë apo ka bërë ndonjë gjë që ka ngelur në mend si Jozefina. Por për çfarë ju duhet?! Flitet për kryetarin e Bashkisë, nuk flitet për komshien… për çfarë ju duhet?”, u shpreh Rama para qytetarëve të Shkodrës, të pranishëm në takimin e djeshëm.

Ai akuzoi PD-në se ka krijuar një mentalitet bllokues te të zgjedhurit e saj me qeverinë qendrore në dëm të qytetarëve.

“Një kryetar bashkie më mori në telefon dhe kërkoi bashkëpunim. I them hajde në zyrë dhe ai refuzon e më thotë se do e shihnin dhe i krijonte probleme. Por, si duhet të bashkëpunojë qeveria me pushtetin lokal nëse ata kanë hall se i shohin? Prandaj, për të hequr këtë mentalitet, vota e 21 qershorit nuk duhet të jetë një votë për të shpresuar në ndryshimin e qeverisë, por për ndryshimin e Bashkisë dhe modelit të qeverisjes lokale dhe te Keti Bazhdari qytetarët e Shkodrës kanë zgjedhjen më të mirë”, tha Rama.

Rama, Meta dhe Bazhdari dje në Shkodër

Duke treguar këtë episod, Kryeministri shtoi një argument përse duhet të votohet Keti Bazhdari në Shkodër, për të cilën premtoi se qeveria do të financojë rrugën e Velipojës. “Ajo rrugë kërkon mbështetjen e qeverisë. Me kë ta bëjë këtë qeveria? Na duhet Keti Bazhdari, sepse nuk kemi kohë për të humbur dhe nuk kemi mundësi të ndërtojmë një sistem ilegaliteti për të bashkëpunuar me kryetarët e bashkisë së Partisë Demokratike, sepse ata kanë frikë se i shohin”, u shpreh Kryeministri.

Ai tha se qeveria do të ndërmarrë reformën të thellë dhe për ujësjellësat, siç mori për energjinë elektrike. “Të zgjidhim problemin e ujësjellësave që janë të zhytur në borxhe dhe janë drejt falimentimit, njësoj si energjia. Tek ujësjellësat do të ndjekim një skemë të ndryshme nga ajo e energjisë, se e kemi të mundur të operojmë me një skemë tjetër”, tha Rama në përfundim të fjalës së tij.

VIDEO/ Ja si do jetë stadiumi i Shkodrës. Rama: Gati për serbët në 8 tetor

 

UPDATE/ Kryeministri i vendit Edi Rama përuroi fillimin e punimeve të stadiumit të ri “Loro Boriçi” në Shkodër, ku siç u shpreh shefi i qeverisë do të pritet ekipi serb më 8 tetor.

Rama me Bazhdarin në “Loro Boriçi”

Rama në fjalën e tij tha se qeveria është e vendosur “të bëjmë për sportin atë që s’është bërë në 20 vjet”. 

“Stadiumi kur është i denjë dhe kur i ka standardet për të mirëpritur jo vetëm skudara dhe tifozët, por edhe familjet, uroj të vijnë me familje, vajza e djem, prindërit të vijnë me fëmijët. Jam i bindur se e bukura është edhe mjeti më efikas edhe kundër dhunës dhe kundër abuzimit me hapësirat publike. Stadiumet janë ekonomi, direkte dhe indirekte…”, tha Rama. 

 

© Panorama.al

Te lidhura