Çudi shqiptare, pronari i hotelit u mban peng pasaportat polakëve pse nuk pëlqyen dhomën

Aug 5, 2015 | 6:36
SHPËRNDAJE

Turistët polakë nuk pëlqejnë dhomën e hotelit dhe kërkojnë të largohen, por pronari u mban peng pasaportat. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë dhe është dashur ndërhyrja e policisë së Sarandës, që pronari me inicialet E.M., 31 vjeç, t’u japë shtetasve të huaj pasaportat që ata kishin lënë që në fillim te sporteli.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Burime të Policisë së Sarandës bënë të ditur se dy turistët polakë, R.M., 37 vjeç dhe D.M., 38 vjeç shkuan në hotelin e 31-vjecarit dhe prenotuan për të kaluar disa ditë pushimesh në Sarandë. Por më pas, dy turistët nuk kanë qenë të kënaqur me kushtet e hotelit dhe kanë kërkuar që të largoheshin për të prenotuar diku tjetër.

Pronari, duke mos dashur të humbasë dy klientët që kishin shkuar në biznesin e tij, u ka mbajtur pasaportat për më shumë se 1 orë, duke tentuar që ata të riktheheshin në dhomat e tyre. Pasi 31- vjeçari nuk ka pranuar t’ua kthente mbrapsht pasaportat, dy turistët polakë janë konfliktuar, duke kërkuar me ngulm të largoheshin.

Pas disa minutash debat mes tyre, është vënë në dijeni edhe policia. Siç mësohet, ka qenë një inspektor i zonës që ka mbërritur në hotelin në lagjen nr.4, apo siç njihet ndryshe në Sarandë si “Lagjia Kodër”. Pas ndërhyrjes së tij dhe kërkesës së vazhdueshme të turistëve për t’u larguar, pronari është detyruar që t’ua rikthejë atyre pasaportat.

Turistët janë larguar më pas në kërkim të një tjetër hoteli, me kushte më të përshtatshme për ta. Burime të Policisë bënë të ditur se në lidhje me këtë rast nuk ka pasur denoncim nga ana e dy turistëve. Të njëjtat burime thanë se ngjarja është vlerësuar maksimalisht dhe është zgjidhur me ndërmjetësimin e inspektorit të zonës, i cili ka mbërritur në vend pak minuta pasi kishte nisur mosmarrëveshja mes palëve.

Gjithashtu, mësohet se nuk ka pasur konflikt fizik, e për rrjedhojë asnjëra nga palët nuk ka pasur akuzë të kësaj natyre ndaj njëri-tjetrit. Dy polakët i kanë deponuar inspektorit se donin të largoheshin nga hoteli. Ata kishin lënë pasaportat te sporteli në momentin kur janë regjistruar, por kur janë ngjitur në dhomat e prenotuara, kanë vërejtur se kushtet nuk ishin si në pritshmërinë e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura