“Prindi 1” dhe “Prindi 2” në kopshtet e Tiranës, formulari mbetet “jetim”/ Si ra në duart e prindërve dokumenti i pazakontë brenda institucionit publik

Oct 29, 2021 | 10:22
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Një formular i pazakontë që po shpërndahet në kopshtet dhe çerdhet publike të Tiranës ka rindezur edhe një herë debatin e nxehtë për relativizimin e amësisë dhe atësisë, që në dokumente zyrtare është kërkuar të shënohen me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.

 

Teksa dokumenti po bën xhiro në institucionet publike të edukimit parashkollor, asnjë institucion nuk di/do të thotë asgjë më tepër se sa aq sa kanë parë të gjithë të shpërndarë në rrjete sociale.

Formulari “Mbi sjelljen e fëmijëve të moshës, 1.5-5 vjeç”, i ndarë nga një subjekt “fantazmë” në të cilin kur pyetet profesioni i prindërve të fëmijës, shënohen respektivisht me “prindi 1” dhe “prindi 2”.

Duke siguruar që dokumenti nuk ka marrë “OK” nga Bashkia e Tiranës, kryetari e heq përgjegjësinë nga vetja duke ia kaluar topin Ministrisë së Arsimit.

Ndërsa burime zyrtare brenda dikasterit të arsimit nënvizojnë se MAS nuk ka lidhje me menaxhimin e kopshteve dhe çerdheve. Kjo situatë e paprecedent ose provokim nuk ka ardhur nga hiçi dhe me gjasë, jo e papaqëllimtë.

Debati për termat e lartpërmendur ka nisur një vit më parë me kërkesën e komunitetit LGBTIQ dhe ka hasur në kundërshti të forta. Përballë tyre është krijuar Koalicioni Shqiptar për Mbrojtjen e Familjes.

Pikëpyetja e madhe që ngrihet pas këtij formulari që qarkullon në institucione publike është se kush e ka shpërndarë dhe se çfarë synon të mbledhë, gjë që duhet ta verifikojnë autoritetet përkatëse.

DENONCIMI

Ishte pastori Akil Pano që denoncoi shpërndarjen e dokumentit, pa dijeninë e prindërve, e me sa duket, edhe të institucioneve. Pastori e përkthen këtë veprim si “axhenda gay në aksion”.

“Në shkelje të plotë të ligjit mbi Kodin e Familjes, emri ‘mami’ dhe ‘babi’ vendosen në kllapa dhe zëvendësohen me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’. Axhenda gay ka nisur zbatimin qetësisht dhe në shkelje me kodin e familjes qëështë në fuqi. Ky lloj imponimi me dhunë është diktatura e minorancës mbi shumicën”, thotë pastori duke i bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë Arsimore, drejtorisë së shkollave dhe institucioneve të edukimit parashkollor të tërheqin menjëherë nga përdorimi këtë formular.

BASHKIA

Sapo është njohur me dokumentin që qarkullon në mjediset që menaxhohen nga vetë ajo, Bashkia e Tiranës ka reaguar duke publikuar formularin e vetëm që kërkohet të plotësohet nga prindërit, duke e cilësuar atë që qarkullon në media si “fake news”.

Ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj lë të hapur si shteg mundësinë që dokumenti i shpërndarë në një institucion edukimi të ketë marrë miratimin nga Ministria e Arsimit.

“Në kopshtet publike nuk lejohen njerëz të paautorizuar që të bëjnë iniciativa të tilla. Do të duhet që fillimisht të autorizohen nga Bashkia e Tiranës dhe pastaj mund të hyjnë, kontrolli është shumë i rreptë në kopshte. Megjithatë, mendoj se duhet të pyesim Ministrinë e Arsimit, se nuk besoj që fëmijët që nuk dinë shkrim dhe këndim kanë plotësuar formular, kështu që nuk duhet ta ekzagjerojmë”.

MINISTRIA E ARSIMIT

As Ministria e Arsimit nuk ka një përgjigje për pikëpyetjen e madhe: kush i ka hartuar, shpërndarë dhe me ç’qëllim formularët te prindërit?

Të pyetur nga gazeta, burime zyrtare brenda Ministrisë bëjnë me dije se gjithëçfarë ndodh në kopshte, me përjashtim të kurrikulave dhe rekrutimit të edukatoreve, varet nga Bashkia e Tiranës.

“Nuk jemi në dijeni për dokumentin në fjalë. Dhe duhet theksuar: për të hyrë në institucionet e edukimit parashkollor nuk merret leje në ministri, pasi ato nuk varen nga ne. Po të ishte institucion privat, ndoshta. Sidoqoftë, fakti që nuk ka një emër shoqate a organizate në formular, lë të kuptohet se pas atij dokumenti fshihen gjëra”.

Kështu, topi i përgjegjësisë kalon sa në një institucion në tjetrin. Si Bashkia dhe Ministria e Arsimit pretendojnë se nuk është tagër i tyre monitorimi i asaj çfarë ndodh në ambiente shtetërore, duke i lënë fëmijët krejt të pambrojtur.

KOMUNITETI

Përveç institucioneve që nuk dinë çfarë ndodh në ambientet që kanë në varësi, as iniciuesit e gjithë këtij debati që ka hakërryer jo pak qytetarë shqiptarë, komuniteti LGBTIQ, nuk janë në dijeni.

Përmes një deklarate, ata thonë se po përballen me valën e radhës së urrejtjes.

“Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve ‘prindi 1 dhe 2’. Ne si organizata ndajmë të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Për sa kohë nuk dimë absolutisht më tepër se kaq, pyesim!”, thuhet ne reagimin e komunitetit LGBTIQ.

Prej muajsh ka një debat në distancë midis pastorit Akil Pano dhe aleancës, e cila e ka dërguar atë te Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit.

Si ra në duart e prindërve dokumenti i pazakontë brenda institucionit publik

Përpara dy javësh, në 14 tetor, në mjediset e brendshme të një kopshti në afërsi të Xhamllikut, me t’i besuar fëmijën për atë ditë kopshtit, është hasur me një zonjë që kërkonte plotësimin e një formulari krejt të pazakontë.

Është gazetarja Ermelinda Hoxhaj ajo që ka bërë publik episodin me zonjën, e cila pretendon se ka marrë leje në Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer anketimin me prindërit, duke iu ofruar madje edhe fleksibilitet.

“Ky formular ka ardhur në kopshtin e fëmijës tim. Nuk ka të bëjë me edukatoret dhe asnjë person tjetër përgjegjës aty. Ishte një zonjë, që më tha se ishte mjeke dhe se formulari kishte si synim matjen e stresit dhe gjendjen spiko-emocioanle të fëmijës, ndoshta ndikuar edhe nga pandemia.

Zonjës i thashë që refuzoj të plotësoj këtë formular, më tha që mund ta merrni me vete, ta shikoni dhe ta sillni ditën e nesërme”, shprehet ajo duke artikuluar edhe qëndrimin e saj kundër nocioneve “prind 1” dhe “prind 2”.

Formulari i pazakontë në institucionet e edukimit nuk ka kaluar pa një reagim edhe nga selia blu. Deputeti Luçiano Boçi iu është bashkuar zërave kundër për shpërndarjen e formularëve të tillë në kopshte, duke e cilësuar atë si një helmim të familjes.

“Familja mbetet ngrehina nga marrin vlerë jeta, shoqëria, kombi e feja. Ajo s’mund të helmohet. Jemi kundër çdo diskriminimi, ngado vjen dhe si vjen, por jo mbështetje për synime të paqarta jashtë çdo shenjtërimi të familjes, kombit dhe fesë. Të hiqet nga qarkullimi!”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura