14 Qershor, 2019

U arrestua 8 muaj më parë, lirohet nga burgu Stresi


Reperi Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit Stresi, është liruar sot nga qelia. Gjykata ka vendosur për lirinë me kusht për reperin e njohur.

Kujtojmë se Stresi u arrestua rreth tetë muaj më parë, pasi u kap në një hotel me një pistoletë pa leje.

Këngëtari 31-vjeçar u arrestua në ambientet e një hoteli në zonën e Linzës në Tiranë më 17 tetor të vitit të shkuar, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dhomën ku ai po qëndronte, Policia gjeti një armë zjarri, pistoletë “Pjetro Beretta”, me 12 fishekë, që dyshohet të jetë pa lejen e autoriteteve, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike të llojit kokainë.

Por ky nuk ishte rasti i vetëm që Stresi ka pasur probleme me Policinë, madje në një rast, ai u arratis nga ambientet e Komisariatit, duke shkaktuar një situatë të vështirë për punonjësit e Policisë. Disa ditë më parë, në një dalje televizive, këngëtari pohoi se kishte bërë edhe disa gabime, duke përmendur konkretisht arratisjen nga Komisariati.

Në këto tetë muaj, reperit i ka qëndruar shumë pranë familja dhe bashkëshortja e tij, Keisi, e cila në çdo moment ka treguar publikisht se sa e do.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al