22 Korrik, 2022

“O trime me fletë”/ Bes Kallaku tremb Xhensila Myrtezajn, reagimi epik i këngëtares


Siç e kemi parë në rrjetet sociale, rrengjet nga Bes Kallaku nuk kanë të sosur dhe e vetmja që i vuan në kurrizin e saj është Xhensila. Së fundmi aktori ka ndarë në rrjete sociale një video, që i ka bërë të gjithë për të qeshur, por ama Xhensilës ia ka bërë gjakun ujë.

Xhensila ka qenë duke folur në telefon në oborrin e shtëpisë dhe Besi ka përfituar nga rasti për ta trembur pak. Në video këngëtarja duket shumë e fokusuar tek telefonata dhe as që e ka vënë re Besin që i afrohet nga mbrapa. Ai i afrohet e tremb dhe Xhensila bërtet. Teksa ka shpërndarë videon në rrjetet sociale, aktori me ironi shkruan: “Xhensila, o trime me fletë”.

Në fakt kjo nuk është hera e parë që Xhensila përjeton diçka të tillë dhe duhet të jetë mësuar me situata të ngjashme, që janë sa frikësuese, po aq edhe qesharake.

Aktualisht ata janë fokusuar te vajza e tyre, Ajka, dhe po pushojnë së bashku. Disa javë më parë, në një intervistë për ‘Mirage’, këngëtarja është shprehur se kur e sheh të bijën që luan vetëm i dhimbset dhe do ta bëjë atë me një motër ose vëlla. Sakaq, pranoi se edhe Besi po i kërkon një fëmijë të dytë.

“Në fakt më shumë kërkon babi(Besi) një fëmijë të dytë sesa Ajka një motër ose vëlla. Ajka e do mamin dhe babin vetëm për vete, aq më pak tani që jemi goxha të ngarkuar me punë. E përmend por jo si kërkesë. E shikoj se ka ardhur momenti për të patur një fëmijë të dytë. Ne kemi kohë që e mendojmë këtë sepse shikoj që ndonjëherë luan aty te cepi i shtëpisë me lodrat e saj pasi unë kam konsumuar të gjithë lojërat me të. E shikoj vetëm dhe kjo më krijon dhimbje. Duhet një fëmijë i dytë që të ketë Ajka një vëlla ose motër”.-u shpreh artistja.

Por, pavarësisht dëshirës Xhensila nuk është shtatzënë dhe pse në mediat sociale është përfolur kohët e fundit se është në pritje të ëmbël.

“Mediat shkojnë vazhdimisht dhe deri tani i bie të kisha bërë nja 7 fëmijë. E shoh veten çdo 3 muaj se jam shtatzënë në faqet e para.” tha Xhensila asaj kohe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al