9 Mars, 2019

Marsela Çibukaj shfaqet për herë të parë me të dashurin, Vitmar Bashën (FOTO)


U desh koncerti i Ermal Metës në Pallatin e Kongreseve që të kishim fotot e para në çift të këngëtares së talentuar Marsela Çibukaj dhe artistit po ashtu shumë të njohur, Vitmar Basha.

Ata erdhën bashkë dhe madje kur panë paparazzin tonë, shtuan edhe një përqafim në ecjen e tyre drejt sallës. Këtë lidhje e “dekonspiroi” si fillim Vitmari. Ai ka qenë i ftuar në emisionin “Lart e Poshtë” me Eraldo Rexhon, ku dhe është shprehur se Marsela jo vetëm që është e dashura, por edhe Muza e tij.

Marsela Çibukaj është përpjekur që ta mbajë larg vëmendjes së mediave jetën e saj private. Por të gjitha i ka zbuluar i dashuri i saj, këngëtari Vitmar Basha. Ajo e ka shtyrë këngëtarin të ecë përpara, madje ai i ka dedikuar albumin e fundit, për të cilin thotë se është një dedikim për Marselën.

Nga ana tjetër, edhe Marsela nuk i ka rezistuar tundimit që të flasë në publik për të dashurin e saj të zemrës. Gjatë një interviste për “Talk Talk” në revista “Class”, dhënë rreth një vit më parë, ajo ka folur për herë të parë për personin e rëndësishëm në jetën e saj.

“Më pëlqen që ‘Mirëmëngjesin’ të ma thotë ai. Është një person që më bën të lumtur”, ka treguar Marsela. Ndërsa pyetjes: “Çfarë profesioni ka ky person?”, i është përgjigjur e rezervuar përsëri. “Le të themi që jemi brenda fushës së artit”, ka përfunduar fjalën ajo. Marsela asokohe zbuloi se në planet e saj dhe të djalit misterioz është edhe martesa. Tashmë puzzle-i i ka të gjitha pjesët që i mungonin. Këngëtarja aq e dashur për publikun Marsela Çibukaj na ka prezantuar më në fund të dashurin e saj, me të cilin duket që është shumë e lumtur.

PANORAMA PLUS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al