27 Dhjetor, 2017

Laert Vasili bëhet kurioz për protestën, futet brenda zonës së sigurisë


Aktori Laert Vasili, i cili këtë sezon u ngjit në skenën e tetarit me shfaqjen “Dama me Kamelie”, është fotografuar në protestën e opozitës . Ai ndodhej aty pak ditë më parë, ku herë pas here nuk munguan përplasjet me efektivët e policisë për të thyer kordonin e tyre, me qëllim hyrjen në sallën e Parlamentit, kohë në të cilën po niste procedura për të votuar Prokurorin e Përgjithshëm. Në pjesën ku ndodheshin gazetarët u pa të qëndronte kureshtar për çfarë po ndodhte edhe Laert Vasili, i cili është një artist që e shohim shpesh në protesta të tilla.

Nuk dihet, nëse ai shfaq në këtë mënyrë bindjet e tij politike, apo i ndjek për kureshtje, pra, për t’u frymëzuar nga ndodhi reale për punën e tij si aktor. Prej vitesh, Laerti është vendosur në Tiranë, vendim që e mori pas ftesës që i bëri regjisorja Vera Grabocka për të garuar në spektaklin e kërcimit “Dance with me”. Në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit ai deklaroi se “fajtore” për kthimin e tij nga Greqia (ku bëri karrierë për vite e vite) kishte qenë pikërisht Vera, e cila e kishte bindur të qëndronte këtu. Dhe nuk po i del keq, pasi ai çdo sezon teatror është i angazhuar me role kryesore në shfaqje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al