3 Shtator, 2019

Këngëtarja e famshme shqiptare rrëfen takimin e frikshëm me producentin: Ndihesha sikur do më përdhunonin


Këngëtarja e famshme, Bebe Rexha, ka dhënë së fundmi një intervistë për “Cosmopolitan”, ku ka folur hapur për përfshirjen e saj në industrinë e muzikës dhe për disa takime të frikshme që ka patur gjatë fillimit të karrierës me producentë.

Gjatë kësaj interviste, Bebe ka zbuluar disa përvoja të vështira në “Hollywood” ku shton: “Unë dua të krijoj një mjedis të sigurt për gratë”.

“Kur arrita për herë të parë në LA, punova me një producent shumë të madh. Ai më vendosi në një dhomë me shumë kantautorë dhe muzikantë të tjerë që të gjithë dukeshin të droguar”, ka thënë për revistën e njohur Rexha.

“Ishte një producent (tjetër) që hynte në studio dhe më masazhonte këmbët. Një herë ai u përpoq të shkonte më lart mbi gjunjë dhe po bëhej disi i ashpër, kështu që i tërhoqa këmbët. Ai tha, ‘Jo, unë do të bëj atë që dua’. Por unë jam rritur për të mos lejuar kurrë që dikush të prekë trupin tim nëse nuk dua që ta bëjë”, ka shtuar këngëtarja e famshme.

Pavarësisht se preferoi të mos tregojë emrin e producentit, Bebe tha se ky person është shumë i famshëm sot. Më pas Rexha tregoi edhe një takim paksa të frikshëm me një producent dhe gjashtë burra të tjerë në një dhomë studioje që i dukej sikur do ta përdhunonin:

“Një natë unë isha vetëm në studio dhe një producent tjetër kishte një grup prej pesë ose gjashtë djemsh. Unë kisha dëgjuar gjëra rreth tij nga e kaluara dhe thjesht nuk mund ta përballoja më. Ndihesha sikur do të përdhunohesha. Në heshtje thirra një taksi nga kabina e regjistrimit, e cila ishte e mbyllur dhe dola prej atje. Ishte nata më e keqe që kisha kaluar ndonjëherë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al