18 Maj, 2019

Jeni ekspert në rrjetet sociale? Mbretëresha Elizabeth II kërkon menaxher për “Instagram”-in


Të gjithë ata që dinë sesi të kujdesen për një faqe perfekte në “Instagram” dhe dinë të shkruajnë saktë, atëherë kanë mundësi që të bëhen pjesë e ekipit mbretëror britanik të komunikimeve.

Në faqen e internetit ku listohen vendet vakante të punës në oborr, po kërkohet edhe një punonjës i komunikimeve digjitale. Personi në fjalë do të gjejë mënyra të reja për të ruajtur praninë e Mbretëreshës Elizabeth II në sytë e publikut dhe në skenën botërore.

Ky vend pune, që përfshin edhe mbulimin e vizitave shtetërore, kërkimin dhe shkrimin e artikujve, si dhe menaxhimin e platformave digjitale, vjen me një pagë prej rreth 30 mijë paund ose 38 mijë dollarë. Kjo varet në varësi edhe të eksperiencës së mëparshme.

Gjithashtu bëhet e ditur se aplikanti i suksesshëm do të sigurojë edhe një paketë gjithëpërfshirëse avantazhesh, leje vjetore prej 33 ditësh dhe dreka falas. Vendi i punës do të jetë në Pallatin “Buckingham”.

Ndërkohë kujtojmë se në mars të këtij viti, Mbretëresha Elizabeth II publikoi postimin e parë në “Instagram” gjatë një vizite në Muzeun e Shkencave të Londrës.

Familja mbretërore britanike ka ndërkohë miliona ndjekës në llogaritë e saj zyrtare në “Instagram”, “Facebook” dhe “Twitter”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al