20 Mars, 2019

Humbi në shkretëtirë, 5-vjeçari zbulon se mbijetoi duke ngrënë bar: U frikësova


Një djalë 5-vjeçar u zhduk gjatë një udhëtimi familjar të dielën, por fatmirësisht u gjet pas 24-orësh në shkretëtirë. Ngjarja ka ndodhur në Argjentinën perëndimore, ku një ekip vullnetarësh e gjeti vogëlushin 21 km larg vendit ku u pa për herë të fundit.

“Ishte ftohtë, fjeta keq duke u shtrirë mbi një shkëmb”, tha Benjamin Sanchez për mediat vendase, i cili mbante veshur vetëm një bluzë dhe pantallona. E për të larguar urinë, ai ka treguar se ka ngrënë bar.

5-vjeçari u gjet i ulur nën një pemë nga një motoçiklist pas një operacioni kërkimi ku u përfshinë rreth 1.000 policë, zyrtarë të mbrojtjes civile dhe vullnetarë.

“Mami po më ndiqte dhe unë fillova të vrapoja, por pastaj humba. U mbështeta mbi një gur dhe fillova të bërtas por ajo nuk më dëgjonte. Nisa të ecja drejt një drite që ishte shumë larg”, është shprehur Benjamin për gazetën “El Clarín”.

Ndërkohë temperaturat në rajon ndryshojnë nga 30 gradë celcius gjatë ditës në rreth zero gradë gjatë natës. “Unë u frikësova. Isha me të vërtetë i lumtur kur pashë nënën time”, shtoi 5-vjeçari pasi u gjet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"
© Panoramaplus.al