Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, Veliaj: Të bëhemi të gjithë bashkë dhe të shërbejmë si agjentë marketingu në vendin tonë

Apr 5, 2024 | 15:46
SHPËRNDAJE

Nisi sot edicioni i 6 i “Panairit Ndërkombëtar të Turizmit”, një panair dyditor që prezanton potencialet turistike të Shqipërisë përmes tur-operatorëve, sipërmarrësve, investitorëve dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj industrie.

veliaj

I ftuar në ceremoninë hapëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi këtë panair si një mundësi fantastike për promovimin turistik të kryeqytetit.

“Kush merret me turizëm e di që nuk është një punë 08.00-17.00, që ti mbyll qepenin dhe fle gjumë. Është një punë që bëhet obsesion, në ditë jave, në fundjavë. Më vjen mirë që qyteti pas 8 vitesh, 25% të produktit të vet të brendshëm e ka turizëm dhe 25% teknologji informacioni. Ndonjëherë, të dyja bëhen bashkë. Fjala vjen, Piramida e Tiranës, si transformim, si metaforë, si një hapësirë e jashtëzakonshme urbane, është edhe turizëm edhe IT. Aty shkohet edhe për të bërë foto në Instagram, edhe për të parë arkitekturën, edhe për të kuptuar se si simbolika e fortë e Piramidës është kthyer sot në një hapësirë të jashtëzakonshme, të hapur për të rinjtë, që mësojnë zanatet e reja, kupton se si mund të gërshetohen të dyja këto industri”, tha Veliaj.

Mandej, ai tha se me rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve në Shqipëri dhe me rritjen e ndjeshme të investimeve që po bëhen, duhen edhe burime njerëzore të kualifikuara, teksa vuri theksin te investimi dhe shtimi i shkollave profesionale.

“Kemi nevojë absolute për të investuar tek burimet njerëzore sepse nuk na mjaftojnë sot shkollat profesionale, se s’ishin konceptuar për këtë boom turistik, as për Tiranën, as për Shqipërinë me 10 mln turistë. Me gjithë respektin dhe dashurinë që kemi për kolegët tanë nga Ballkani, që punojnë në Tiranë, ardhja e tyre këtu është një apel për faktin që na duhet menaxherët tanë të hoteleve, të resorteve, menaxherët tanë të sallave, menaxherët tanë të gjithë këtyre operacioneve të kateringut dhe organizimit të eventeve. Unë besoj që ka një moment për të folur edhe politikisht dhe më vjen mirë që jo vetëm do jenë ministrat e Turizmit nga gjithë Evropa në këtë organizim fantastik, për të sjellë gjithë Evropën këtu, për të parë se si ky laborator turizmi mund të replikohet. Poor unë besoj shumë fort që ne politikisht duhet ta shohim turizmin me më shumë dashuri. Ftesa për të gjithë është: Nuk ka rëndësi nëse jemi sot opozitë, nesër në qeveri. Rëndësi ka që të gjithë të shërbejmë si agjentë marketingu, për atë që mund të kthehet në burimin tonë të të ardhurave, mirëqenies dhe jetës me dinjitet në Ballkan”, u shpreh ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura