Odise Roshi, kontratë 4-vjeçare tek Këlni

May 20, 2011 | 10:43
SHPËRNDAJE
Odise Roshi

Odise Roshi, është zyrtarisht një lojtar i skuadrës gjermane, FC Këln. Lajmin është konfirmuar në faqen zyrtare të klubit nga drejtori sportiv, Volker Finke.Ish-mesfushori i talentuar i Flamurtarit, firmosi një kontratë profesioniste, pasi kaloi provën që trajneri dhe drejtuesit i bënë për dy ditë radhazi. “Jemi shumë të gëzuar, që mundëm të realizonim transferimin e Roshit. Ai është një talent i madh dhe një lojtar i perspektivës në vijën sulmuese. Roshi na bindi për aftësitë e tija dhe, po kështu, edhe nga ato që kishim parë prej tij me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë dhe në kampionatin e Kategorisë Superiore”, ka pohuar Finke. Roshi, ka firmosur një kontratë katërvjeçare, por nuk bëhen të ditura detajet e tjera. Natyrisht, klubi gjerman nuk ka paguar asgjë për kartonin e tij, pasi futbollistit i kishte përfunduar kontrata me Flamurtarin. Kështu, në Bundesligën e Parë gjermane, për sezonin e ardhshëm, do të luajnë tre lojtarë shqiptarë: veterani Altin Lala (Hannover), Odise Roshi (Këlni) dhe Edmond Kapllani, nëse ky i fundit do të rikthehet tek Augsburgu pas huazimit te Padeborni i Bundesligës 2. Ndërkaq, kalimi i Roshit tek Këlni, ka pasur një jehonë në mediat gjermane. “Transfermaret.de”: “FC Këln rekrutoi mesfushorin e Kombëtares U-21 shqiptare, Odise Roshin. Roshi u transferua në parametra zero në Rhein dhe nënshkroi një kontratë profesioniste”. Ndërsa “RP Online” shkruan: “FC Këln ka siguruar shërbimet e talentit shqiptar, Odise Roshi, i cili vjen nga Flamurtari i Vlorës”. “Spox.com” e ka komentuar kështu kalimin e 19-vjeçartit shqiptar tek Këlni: “Një djalosh për Këlnin. 19-vjeçari këmbëdjathtë, la një përshtypje shumë të mirë gjatë provës, ndaj ka fituar edhe kontratën”.

 

Leonard Karaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura