“Një ditë para ngjarjes therëm bashkë derrat”, flet i burgosuri për vrasjen e kushëririt: Fjalët e fundit që më tha, kur u ktheva …

Oct 25, 2019 | 17:59
SHPËRNDAJE

SENAD NIKSHIQI/ Akuzohet se vrau kushëririn, “Arrest me burg” me afat 40 ditë për Marash Arrajn.

Lazer-Arraj-770x436

Ka qenë vetë prokurorja e çështjes, Esmeralda Ndoci, që kërkoi këtë masë për të pritur aktet e ekspertimit për rrobat e autorit të dyshuar dhe prova të tjera plotësuese, që nuk kanë përfunduar ende.

Si prova të deritanishme, prokurorja ka paraqitur vetëm disa indicie, duke qenë se pak minuta para vrasjes, 26-vjeçari dhe Lazër Arraj kanë qenë së bashku dhe janë administruar bisedat telefonike të personave. Vetë i dyshuari ka deklaruar përpara Gjykatës se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.

“Një ditë përpara unë kam qenë me kushëririn në Dukagjin. Mua më ka thirrur babai për të shkuar sepse kam qenë në Shkodër dhe më telefonoi që t’i vija në ndihmë për të sjellë prodhimet e dimrit. Një ditë përpara ngjarjes, unë dhe kushëriri, Lazëri, ishim së bashku duke therur derrat për ta ngarkuar mishin dhe për ta dërguar drejt Shkodrës. Pas kësaj kemi marrë edhe prodhime tjera, i kemi ngarkuar në kalë dhe jemi nisur bashkë me Lazërin nga fshati drejt rrugës kryesore për të dalë te furgoni dhe për të ikur drejt Shkodrës.

Diku në gjysmë të rrugës, kushëriri më tha që të eci përpara për të ndaluar furgonin që të mos na ikte dhe ai u ul duke liruar disa rroba dhe që të pushonte pak sepse rruga nga fshati te furgoni është e gjatë, rreth 40 minuta në këmbë, terreni është malor dhe kërkoi të pushonte. Unë kalova përpara dhe dola në rrugën kryesore. Pasi shkova atje, dëgjova krismat, por edhe pashë se po vonohej. Krismat nuk më bënë shumë përshtypje sepse ndodh shpesh atje që të ketë krisma, por u shqetësova nga vonesa. U ktheva dhe e gjeta rreth 500 metra më larg nga ku e kisha lënë, i vdekur mes dy gurëve të mëdhenj”.

Pavarësisht kërkesës së avokatit për një masë sigurie të lehtë, gjyqtarja Ermira Dedja vendosi “Arrest me burg”, me afat 40 ditë për të pritur aktet e ekspertimit. Lazër Arraj u gjet i vrarë me kallashnikov më 21 tetor, ndërsa kthehej nga fshati i tij i lindjes, Palaj, për në qytetin e Shkodrës.

VIKTIMA

Lazër Arraj ishte një person i njohur në Dukagjin. Kjo, pasi në vitin 1993, pas një vjedhjeje të kryer bashkë me dy persona të tjerë, ka marrë një dënim, por pas pak vitesh është liruar. Ai ka vijuar që të njihet si person problematik në zonë. Kohët e fundit ka dyshime se është përfshirë edhe në informacione të dhëna për Policinë lidhur me parcelat e drogës në zonën e thellë të Dukagjinit, gjë e cila është një pistë kryesore për vrasjen e tij.

Viktima Lazër Arraj është edhe vjehrri i Angjelin Shkambit, ky i vrarë para dy vitesh te varrezat në Stom Golem nga shoku i tij, ndërsa më përpara ishte arrestuar me një grup të madh lidhur me kultivimin e kanabisit. Nuk ka dyshime që vrasja e Lazër Arrajt të ketë lidhje me ekzekutimin e dhëndrit të tij. Pas kësaj ngjarjeje, dy familjet nuk kanë marrëdhënie të mira.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura